MILOSAO

Pse Shmidt e hedh poshtë historiografinë shqiptare?!

14:00 - 25.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Kristo Frashëri* – Kontributi i dytë që ai dha në intervistën e fundit, është gjithashtu i çuditshëm. Vetë Oliveri thotë se gjesti i Skënderbeut duke kapur për gjoksi komandantin e kështjellës së Tranit, Giovanni Antonio de Foxa, tregoka karakterin e Skënderbeut se e urren tradhtinë. Ai vetë shkruan se ky gjest, i cili i ngjan “dy burrave që zihen për gryke”, tregon karakterin e Skënderbeut. Pyesim: a mjafton ky gjest për të provuar se Skënderbeu e urren tradhtinë? Ky qenka një nga zbulimet e mëdha që paska arritur historiani zviceran? Ai ka harruar se Skënderbeu nuk është një Vilhelm Tel që fiton lavdi duke iu bindur mbretit të qëllojë me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të vet, por një kreshnik që ballafaqohet me dhjetëra herë në fushën e betejave, me ushtritë osmane shumë herë më superiore se ushtritë shqiptare. Veç kësaj, përse na e shet këtë episod sikur ai e ka zbuluar për herë të parë? Për më tepër, ai mbështetet vetëm në letrën e diplomatit milanez, të cilën e lexon mbrapsht (nuk është Skënderbeu që i propozon mbretit Ferrant, siç thotë O. J. Schmitt-i, që ta hiqte qafe G. A. De Foxa-n, por e kundërta, është mbreti Ferrant, siç shkruhet në letrën e diplomatit milanez, ai që i kërkon Skënderbeut ta hiqte atë qafe). Veç kësaj, në monografinë e përmendur të Kr. Frashërit mbi Skënderbeun janë dhënë jo një, por tre burime të ndryshme për këtë episod (ff. 285-386). Më në fund, gjesti i Skënderbeut nuk tregon, siç thotë O. Schmitt-i, urrejtjen e tij ndaj tradhtisë, mbasi në këtë rast ai zbatonte porosinë e mbretit Ferrant. Qëndrimin ndaj tradhtisë Skënderbeu e ka treguar jo në qytetin Trani të Pulies (Itali) ku zbatonte porosinë e mbretit Ferrant, por në Shqipëri ku ishte vetë “Zot” dhe ku nuk i ndëshkoi bashkëpunëtorët e tij kur e tradhtuan.




Kjo linjë nuk i ka pëlqyer historianit të ri zviceran Oliver Jens Schmitt. Ai me një të rënë të lapsit e ka dënuar me vdekje historiografinë shqiptare skënderbegiane jo vetëm të viteve të regjimit komunist, por edhe të periudhës parakomuniste. Përse? Sipas tij, çdo pikëpamje mbi ngjarjet historike të së kaluarës e shprehur gjatë regjimit komunist është prodhim i Enver Hoxhës ose prodhim që i shkonte për shtat regjimit komunist. Meqenëse figura e Skënderbeut ashtu siç e ka trajtuar historiografia shqiptare gjatë viteve të regjimit komunist i paska shërbyer diktaturës enveriste, kjo historiografi dhe ky Skënderbe, sipas O. J. Schmitt-it, duhet flakur tej. Sikurse shihet, historiografinë shqiptare skënderbegiane O. J. Schmitt-i e dënon si një historiografi dogmatike, vetëm se i paska shërbyer regjimit komunist. Historiani zviceran nuk sheh se me argumentin që sjell se ajo historiografi duhet dënuar vetëm se i ka shërbyer regjimit komunist dhe jo se është në vetvete e pasaktë, tregon se ai nuk i ka parë rrënjët e vërteta të ideologjisë nacional-komuniste, me të cilën ai e damkos të ashtuquajturën diktaturë të proletariatit të periudhës së E. Hoxhës. Historianët që kanë ndjekur nga afër zhvillimin e ngjarjeve politike dhe ideologjike të Shqipërisë, nuk e kanë vështirë të kuptojnë bashkëjetesën e ideologjisë komuniste të Karl Marksit dhe ideologjinë nacionaliste të rilindësve shqiptarë të bashkëngjitura në të ashtuquajturën ideologji të demokracisë popullore. Ata nuk e kanë vështirë të kuptojnë se Enver Hoxha me ardhjen në pushtet ishte i detyruar të përgjërohej, si për njërën ashtu dhe për tjetrën, duke mos u shkëputur nga asnjëra prej tyre. Madje, duke u mbështetur sipas rrethanave historike më tepër herë te njëra ideologji, herë te tjetra. Kur Shqipëria u pranua në Traktatin e Varshavës më 1955, E. Hoxha mbasi siguroi mbështetjen e bllokut socialist ndërkombëtar, nga synimet që kishte me qëllim të përforcimit të mbështetjes në forcat e brendshme, e ndjeu veten më të lirë për të zbatuar politikën nacionale rilindëse. Prishja e marrëdhënieve politike me kampin socialist, e bëri më të domosdoshëm mbështetjen te forcat nacionale politike të brendshme. Tek ky zgjim i politikës nacionale shpjegohen kremtimet e bujshme që ndërmori qeveria e E. Hoxhës në vitet ’60-’70 siç ishin kremtimi i 50-vjetorit të shpalljes së pavarësisë (28 Nëntor 1962); përkujtimi ndërkombëtar i jashtëzakonshëm i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut më 17 janar 1968; kremtimi i 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (10 qershor 1978) dhe i temave të tjera të historisë kombëtare të Shqipërisë. Rëndësi të veçantë pati përkujtimi i 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Kjo për arsye se 500-vjetori i vdekjes së Heroit ishte një rast i mirëpritur për të nënvizuar karakterin nacional të jetës së Shqipërisë, edhe në situatën e trazuar kur Shqipëria për të siguruar pavarësinë jetonte midis shtetësimeve të theksuara. Çështja nacionale ishte për Shqipërinë një çështje jetike. Për realizimin e saj, forcat politike shqiptare nuk mund të qëndronin spektatore vetëm duke u mbështetur te doktrina marksiste. Në fakt, jo vetëm forcat demokratike shqiptare të djathta e të majta, por edhe dashamirësit e Shqipërisë të shpërndarë në mbarë botën, e ndjenë për detyrë të jepnin kontributin e tyre në çështjen kombëtare shqiptare. Është e padrejtë që të gjithë dashamirësit e pavarësisë së Shqipërisë të periudhës së Rilindjes, të cilësohen të doktrinuar si komunistë, për arsye se E. Hoxha shpalosi edhe ai flamurin e Pavarësisë Kombëtare.

Mirëpo, historiani zviceran përpiqet të hedhë në kosh edhe historiografinë shqiptare skënderbegiane parakomuniste, e cila, sipas tij, ka ndjekur pak a shumë të njëjtën linjë. Kjo tregon se nuk është fjala te regjimi komunist, por te vetë Skënderbeu. Dëshmi është fakti se urrejtja ndaj Skënderbeut e ka shtyrë historianin zviceran të fshijë nga Pasqyra e Bibliografisë të trajtesës së tij disa nga veprat e historiografisë skënderbegiane shqiptare të botuara jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe para se të vendosej diktatura. Përse nuk e ka përmendur disertacionin e Xhevat Korçës, botuar më 1923? Përse nuk i ka vënë në dukje meritat e disertacionit të Athanas Gegajt, botuar më 1937? Përse merret me Fan Nolin e vitit 1921 dhe jo me Fan Nolin e vitit 1947, i cili, sikurse u tha, e ka korigjuar vetë punimin e tij të vitit 1921? Përse në Pasqyrën e Bibliografisë së trajtesës së tij nuk e sheh gjëkundi emrin e Aleks Budës?
Megjithatë, midis historianëve shqiptarë të periudhës komuniste breshërinë më të madhe O. Schmitt-i e drejtoi kundër prof. Aleks Budës. Kjo për arsye se ai u bë më 1973 kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Argumentet që sjell historiani zviceran janë vërtet të habitshme. Sipas tij, prof. Aleks Buda, i cili dihet se nuk ka bërë pjesë asnjëherë në strukturat udhëheqëse të Partisë Komuniste, madje nuk ka qenë as anëtar i thjeshtë i PKSh-së apo i PPSh-së, i paska shërbyer më tepër se kushdo Enver Hoxhës në synimet e diktatorit për t’u bërë vetë mit i historisë së Shqipërisë. Historiani zviceran kapet pas ngjarjeve që ndodhën në vitin 1967 kur filloi fushata, edhe për ne e egër dhe absurde, kundër institucioneve fetare të të gjitha riteve pa dallim. Sipas tij, vlerësimi i Skënderbeut në këtë kohë nga E. Hoxha u shty nga nevoja që kishte Partia e Punës për të zëvendësuar fetë që komunizmi po i luftonte me doktrina dhe me institucione me një fe të re, me në qendër figurën e Skënderbeut. Ai pohon: “Më 1968 u bë një kongres i madh shkencor dhe filluan përpjekjet që kulti i Skënderbeut të futet si një religjon zëvendësues. Pra, feja ndalohet dhe fillon ateizmi, por njerëzve u duhej dhënë diçka zëvendësuese”. Për këtë arsye, pohon ai, Skënderbeu u prapagandua edhe nga historiografia shqiptare “si figura qendrore e një feje civile komuniste”. Natyrisht është e tepruar të thuhet se kjo ishte, sipas tij, pika kulmore e figurës së Skënderbeut. Ai u pa si paraardhësi i Enver Hoxhës dhe u përdor një pamje shumë ideologjike e figurës së tij (Gazeta “Albania”, e shtunë, 24 janar 2009, f. 21).

Në të njëjtën kohë, historiani zviceran pranon se midis figurës së Skënderbeut dhe diktatorit Enver Hoxha ka një ndryshim të madh. Ndryshimin, të cilin ai nuk e thotë, po ia themi ne. Skënderbeu udhëhiqte politikisht një vend të hapur, kurse Enver Hoxha një vend të izoluar. Skënderbeu u orientua nga Perëndimi, Enver Hoxha nga Lindja. Skënderbeu ishte fetar, E. Hoxha ateist. Skënderbeu ishte tolerant, Enver Hoxha ishte despot. Skënderbeu nuk dënoi njeri me vdekje, Enver Hoxha kosariti mjaft koka kundërshtarësh. Pyesim: në këto rrethana, si mundej Skënderbeu t’i shërbente diktaturës së E. Hoxhës? Si mundej Enver Hoxha ta kthente veprën e Skënderbeut në një fe në shërbim të diktaturës komuniste? Si mundej që E. Hoxha të bëhej një Skënderbe i ri?
Në suazën e këtij “zbulimi” imagjinar që ka sjellë truri i fantaksur i O. Schmitt-it është vendosur dhe Aleks Buda. Për të provuar saktësinë e zbulimit të tij historiani zviceran sjell si shembull një fragment nga një shkrim i Aleks Budës, në të cilin ne prisnim që kryetari “mëkatar” i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë t’i thurrte hosana Enver Hoxhës. Në të vërtetë, ai nuk e zë fare në gojë E. Hoxhën. Në fragmentin që O. Schmitt ka nxjerrë nga shkrimi i Aleks Budës me titull “Fan Noli dhe Skënderbeu”, thuhet:

“Pas luftës së madhe antifashiste, ku pjesëmarrja e masave popullore luajti një rol kaq të madh në asgjësimin e pushtuesve, figura e Skënderbeut u bë përsëri aktuale dhe mori një vlerë të re. Historiografia jonë ka për t’i dhënë Heroit tonë, ashtu si gjithë figurave të mëdha historike, rolin e vet të merituar, nëqoftëse do të niset nga vlerësimi për rolin e masave popullore”.
Historiani zviceran do të kishte të drejtë ta akuzonte E. Hoxhën si manipulator të figurës së Skënderbeut për interesat e veta dhe Aleks Budën, siç e quan ai, “mendimtarin paraprijës të tablosë historike nacional-staliniste”, në rast se figura e Heroit kombëtar nuk do të kishte qenë vlerësuar nga historiografia e mëparshme shqiptare dhe nga historiografia skënderbegiane botërore. Motivet thjesht patriotike që e shtynë regjimin komunist ta vlerësojë epopenë heroike të shek. XV dhe udhëheqësin e saj, Skënderbeun, nuk është nevoja të përsëriten. Me këtë rast duhet thënë me keqardhje se manipulator i figurës së Skënderbeut nuk është as E. Hoxha, as A. Buda, as historianët e tjerë shqiptarë, por historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, i cili po e politizon historinë në mënyrë më të shëmtuar se E. Hoxha. Enver Hoxha dhe Aleks Buda, që të dy – po e themi pa frikë, edhe pse e dimë se mund të keqkuptohemi – ishin pinjollë familjesh rilindëse. Hysen Hoxha, babai shpirtëror i Enver Hoxhës, mori pjesë në shpalljen e Pavarësisë kombëtare në Vlorë, më 28 Nëntor 1912. Po ashtu edhe Taq Buda, i jati i Aleksit, ishte një nga farkëtarët e Pavarësisë së Shqipërisë. Si të tillë, që të dy ishin edukuar në familje dhe në shkollë me adhurimin për Skënderbeun. Për më tepër, para vendosjes së regjimit komunist askush nuk kishte guxuar ta shpërfytyronte figurën e Skënderbeut, siç po përpiqet tani ta shpërfytyrojë Oliver Jens Schmitt. Fragmenti nga shkrimi i prof. Aleks Budës me titull “Fan Noli dhe Skënderbeu”, që sjell O. Schmitt nuk tregon vartësinë e tij ideologjike nga E. Hoxha. Përkundrazi, shkrimi i tij tregon konsideratën që kishte kryetari i ardhshëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për Fan Nolin, për atë peshkop që nuk ishte komunist-stalinist, por simpatizant i demokracisë amerikane vilsoniane dhe roozveltiane – demokraci të cilën E. Hoxha e kishte halë në sy.
Historiani zviceran do të kishte gjithashtu të drejtë ta akuzonte të ashtuquajturin “mit” të Skënderbeut si krijesë të regjimit komunist në rast se qarqet antikomuniste shqiptare dhe ndërkombëtare të viteve të regjimit komunist do të kishin mbajtur një qëndrim të ndryshëm ndaj figurës së Skënderbeut. Por, si për inat të O. J. Schmitt, të gjithë historianët kundërshtarë të rreptë të regjimit komunist, qofshin shqiptarë, qofshin të huaj, e përkujtuan me përkushtim më 1968 Skënderbeun si Hero kombëtar të shqiptarëve, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes, njësoj siç e përkujtuan edhe historianët që jetonin në Shqipërinë komuniste. Doni shembuj?

Merrni “Aktet e Konferencës II Albanologjike” në dy vëllime, e cila u mbajt në Tiranë me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në janar të vitit 1968. Aty do të shihni se Skënderbeun e trajtuan si hero jo vetëm historianët shqiptarë, por edhe disa historianë të huaj nga Evropa perëndimore si: F. Thiriet, A. Ducellier, K. Treimer, J. Irmcher, T. Johallas, etj, të cilët nuk mund të akuzohen si komunistë. Nëse dëshironi, shihni edhe aktet e simpoziumit që u mbajt në Prishtinë, në maj të vitit 1968, gjithashtu me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut, ku përveç historianëve shqiptarë mbajtën kumtesa për Heroin kombëtar të shqiptarëve edhe disa historianë të Evropës perëndimore, si: H. Sauer-Nordendorf, R. Schëanke, K. Treimer, madje dhe historianë jugosllavë, si: S. Cirkoviç, N. Filipoviç, A. Handziç, H. Hadzibegiç, R. Mihaljiç, O. Jasar etj, të cilët ndryshe nga historianët e dikurshëm nacionalistë serbë, e vlerësuan Skënderbeun për kontributin e madh që dha për lirinë e popullit të vet. Do të përmendim këtu “Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare”, që u mbajt në Palermo më 1968, ku morën pjesë historianë shqiptarë dhe të huaj, me siguri antikomunistë si P. Bartl (Munchen, Gjermani Perëndimore), Stavro Skëndi (shqiptar i mërguar në Sh.B.A), V. Malaj (famullitar katolik në Tivar) dhe misionarë të Vatikanit si B. Pandziç, P. Ignazio Parrino etj.

Po atë vit, edhe emigracioni politik shqiptar i përbërë kryesisht nga kundërshtarë të rreptë të regjimit komunist, si Hasan Dosti, Ernest Koliqi, Rexhep Krasniqi, Dhimitër Berati, Martin Camaj etj., e përkujtuan Skënderbeun në një seminar madhështor të organizuar nëNeë York, në të cilin e vlerësuan Gjergj Kastriotin si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare, si farkëtar i kombit shqiptar dhe si mbrojtës i qytetërimit evropian, pak a shumë në po atë masë dhe në po ato terma që përdorën historianët shqiptarë në atdheun e tyre komunist.
Le ta mbyllim këtë parashtresë rreth faktologjisë historike mbi të cilën është mbështetur historiani zviceran me konsideratën thellësisht të padrejtë që ai ka për Kristo Frashërin, i cili shfrytëzon afërsisht po atë bibliografi, si autor i monografisë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, botuar në Tiranë më 2002. Sikurse e tregon data, monografia është botuar 12 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, pra pasi kishte marrë fund presioni politik i shtetit partiak. Si rrjedhim, këtë punim Kr. Frashëri e ka shkruar sipas bindjeve të veta shkencore. Dihet se në regjimin demokratik të gjitha bindjet shkencore kanë, pa përjashtim, të drejtën e qytetarisë. Aq më tepër, këtë të drejtë e ka historiani Kristo Frashëri, i cili në punimin e vet është mbështetur kryekëput mbi dokumentacionin historik, kancelaresk, kronikal, epistolar dhe tregimtar, shqiptar dhe të huaj, lindore dhe perëndimore, pa përjashtim të shek. XV. Vetëm në ato raste të pakta kur për çështje të dorës së dytë nuk ndeshi në burime dokumentare, ai trokiti në dyert e M. Barletit dhe K. Beçikemit, kurdoherë në atë masë sa njoftimet e vjelura prej tyre të mos binin ndesh me logjikën historike. Historiani zviceran vetëm sa e ka përmendur në Pasqyrën e Bibliografisë këtë trajtesë, e vetmja trajtesë e plotë mbi veprën dhe jetën e Skënderbeut botuar në Shqipëri, para, gjatë dhe pas regjimit komunist. Është e drejta e historianit zviceran që të mos e përfillë përmbajtjen e saj. Megjithatë, është e pandershme që të shfrytëzojë të dhënat e kësaj trajtese pa e cituar dhe ca më keq të deformojë ndonjërën prej tyre. Kështu p.sh., ai pasi sulmon prof. Aleks Budën, shkruan:

“Sidoqoftë, ashtu si dhe biografi i dytë, Kristo Frashëri, një nga përfaqësuesit kryesorë të historiografisë komuniste, ai nuk është në gjendje ta lërë kuadrin nacional historik e bashkë me të interpretimin etno-kombëtar”. Lexuesi shqiptar, i cili nuk është mësuar të ushqehet me lugë bosh, kërkon të dijë se në cilën çështje që Kr. Frashëri ka trajtuar në historinë e Skënderbeut nuk është shkëputur dot, sikurse e stigmatizon O. J. Schmitt-i, nga kuadri nacional historik i regjimit komunist. Çfarë pret O. J. Schmitt-i nga Kristo Frashëri kur shkruan se ai ende nuk është shkëputur nga interpretimi etno-kulturor? Mos pret vallë që ai të hedhë baltë mbi kombin e vet? Ka edhe më. Kur flet për vlerën e biografëve të hershëm të Skënderbeut, Barletit dhe Beçikemit, ai shkruan:
“Në anën tjetër qëndrojnë kryesisht historianë shqiptarë, duke filluar me Fan Nolin e deri te Kristo Frashëri, të cilët u falën këtyre biografëve besim të plotë, edhe pse Kr. Frashëri në hyrjen e tij pohon disa rezerva, të cilat më pas në paraqitjen që bën nuk i merr më parasysh”.
Edhe në këtë rast, historiani zviceran, si zakonisht, ia fut kot. As Fan Noli, as Kristo Frashëri nuk e kanë ndërtuar historinë e Skënderbeut mbi Barletin dhe Biemmin. Natyrisht që historianët shqiptarë nuk janë dakort me Franc Babingerin, i cili është një përçmues i Skënderbeut dhe për këtë arsye e quan Barletin “përralltar”, kurse Biemmin “falsifikator”. Nëse historiani zviceran nuk e ka lexuar Biemmin dhe, ca më keq, nëse e ka lexuar, duket se nuk e ka kuptuar se Kr. Frashëri pohon se prifti breshian e ka ndërtuar historinë e tij mbi Skënderbeun në dy fonde burimore të veçuara – në historinë e Anonimit Tivaras dhe në burime historike të padyshimta. Ndryshe nga F. Noli, i cili në kundërshtim me pohimet e dy historianëve gjermanë (K. Ohly dhe F. Babinger), vazhdon t’i marrë në konsideratë njoftimet e Anonimit Tivaras dhe ndryshe nga A. Buda, i cili nuk e përfill fare F. Biemmin – Kristo Frashëri e ka pranuar verdiktin e dy historianëve gjermanë mbi Biemmin si falsifikator vetëm kur mbështetet te Anonimi Tivaras, por vazhdon ta marrë në konsideratë G. Biemmin për atë pjesë ku ai mbështetet në burime historike që nuk kanë të bëjnë me Anonimin Tivaras. Si rrjedhim, historiani zviceran duhet të heqë dorë nga abuzimet që nuk e nderojnë.
Në punimin e vet mbi Skënderbeun, historiani zviceran Oliver Jens Schmitt ka përdorur në shumë raste onomastikën sllave. Në pajtim me këtë prirje, të jatin e Skënderbeut nuk e quan Gjon, por Ivan Kastrioti. Trajta sllave “Ivan” me të cilën ai quan të jatin e Skënderbeut, ka shkaktuar me të drejtë një përshtypje të hidhur në opinionin shqiptar në përgjithësi. Arsyeja nuk është vetëm fakti se opinioni shqiptar është mësuar deri tani ta quajë të jatin e Heroit me emrin shqiptar Gjon Kastrioti, por edhe te ngarkesa e heshtur etnike që nënkupton përdorimi i pasaktë dhe i panevojshëm për shqiptarët i një trajte sllave që ata s’e kanë dëgjuar asnjëherë.
Dimë se prapa emrave të përveçëm në trajta të huaja që kanë përdorur shqiptarët, ka në të kaluarën historianë që janë përpjekur të shohin pa të drejtë kombësinë e huaj. Kështu për shembull, nacionalistët serbë kanë ngulur këmbë në të kaluarën për origjinën sllave të Skënderbeut duke shfrytëzuar trajtën që ndeshet në disa akte sllave Jovan për të jatin, Vojsava për të ëmën, madje dhe trajtën serbe Gjuragj për vetë Gjergj Kastriotin. Me sa dimë ne, edhe serbët e ditëve tona (p.sh. Jovan Radoviçi) e kanë hedhur poshtë këtë tezë.
Për hir të madhështisë që Skënderbeu fitoi në historinë evropiane, nuk janë vetëm serbët, por edhe grekët, që u përpoqën t’i atribuonin Skënderbeut origjinë jo shqiptare, në fakt helene. Ndërsa serbët u kapën pas emrit Jovan të të jatit të Skënderbeut që ndeshet në aktet serbe dhe pas emrit Stanish që mbante vëllai i tij i madh, – nacionalistët grekë u kapën pas mbiemrit Kastriot, të cilin e lexuan Kastriotis, që do të thotë në greqisht banor i Kalasë. Madje, historiani grek i shekullit XIX, M. Dimitzas dhe të tjerë pas tij, për ta helenizuar njëqind përqind Skënderbeun e modifikuan mbiemrin Kastriot në Kastriotis, kurse emrin nga Gjergj në Jorgo.
Historiani zviceran besoj se e di, por nëse nuk e di do t’ia kujtojmë prirjen proverbiale të nacionalistëve serbë, të cilët i sllavizonin apo i serbizonin jo vetëm emrat e viseve të sunduara prej tyre, por edhe emrat e qyteteve jo serbe që lakmonin një ditë t’i pushtonin, për të argumentuar aneksimin e tyre. Dihet për shembull, se serbëve mesjetarë nuk ua zinte goja ta quanin Venedikun – Venediko, por Mletac, Raguzën – Dubrovnik, Selanikun –Solum, Stambollin – Carigrad, Durrësin – Drraç, Shkodrën – Skadar, Beratin – Beligrad, madje për të mos u zgjatur, edhe Vjenën ku zoti Schmitt jep mësime, e quajtën Beç.

Ndonëse edhe ai vetë nuk e beson tezën e përmbajtjes etnike të onomastikës, tërthorazi e mbron origjinën sllave të Skënderbeut. Pyetja shtrohet: a është i vërtetë pohimi që ka bërë historiani zviceran se në burimet historike babai i Skënderbeut shfaqet me emrin Ivan dhe se edhe vetë shqiptarët e kohës së tij e paskan quajtur Ivan Kastrioti, kurse forma Gjon nuk ndeshet, sipas tij, në burimet historike? (Gazeta Shqiptare, 21 dhjetor 2008).
*Titulli është i redaksisë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.