Kryesore

Mbyti gruan me litar, vëllai i 74-vjeçares: Djemtë e dinin. Si e zbuluam vrasjen, dy ditë para krimit ai…

10:10 - 28.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

FIER – Një vit pas vdekjes së një 74-vjeçareje në Patos, policia e Fierit në bashkëpunim me Pro-kurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë kanë zbuluar krimin makabër në familjen Velaj. Pas hetimeve të kryera, ka rezultuar se e moshuara Vreke Velaj nuk vdiq për shkaqe natyrale, siç u tha në janar të vitit që shkoi, por është vrarë nga bashkëshorti i saj. Bëhet fjalë për 75-vjeçarin Namik Velaj, i cili ka përfunduar në pranga dhe akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Ndër-kaq, policia ka proceduar penalisht edhe mjekun e qendrës shëndetësore të Patosit, Ilir Tanku, i cili akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Dyshohet se ky i fundit është përfshirë në këtë ngjarje të rëndë, ndaj i është hequr dhe e drejta e ushtrimit të profesionit. Mësohet se dyshimet e vëllezërve të viktimës çuan në zbardhjen e krimit brenda familjes.




Në foto: Vëllai i viktimës, Qemal Muskaj, duke folur për “GSH”

ZBARDHJA E VRASJES
Pas një viti hetimesh intensive dhe përgjimeve të familjarëve të viktimës, rezultoi se Vreke Velaj ishte mbytur nga bashkëshorti, Namiku. Nga hetimet e udhëhequra nga prokurori i Krimeve të Rënda Besnik Muçi, rezultoi se 75-vjeçari pasi e kishte mbytur me litar të shoqen në banesën e tyre, e kishte veshur me rrobat e saj më të mira dhe qafën ia kishte mbuluar me një shall, të cilën e ndjera e ruante si kujtim nga vajza që nuk jetonte më. Namik Velaj iu kishte kërkuar të afërmve të gruas të mos ia preknin shallin që e kishte amanet nga e bija, duke u përpjekur kështu të mbulonte shenjat e krimit të tij. Pavarësisht se Velaj kishte thënë se gruaja e tij kishte ndërruar jetë nga hipertensioni e problemet në zemër, “vërtetuar” kjo edhe nga mjeku i qendrës shëndetësore Ilir Tanku, kjo gjë nuk i ka bindur vëllezërit e së ndjerës. Për më tepër që kunatat e 74-vjeçares kishin pikasur poshtë shallit hematoma të zeza të shkaktuara nga litari, me të cilin ajo ishte mbytur. Pak ditë pas ngjarjes, vëllezërit e gruas bënë denoncim në polici duke kërkuar zbardhjen e ngjarje. Menjëherë kanë nisur hetimet, të cilat konkluduan se e moshuara ishte vrarë nga bashkëshorti. Ndërkaq, vëllai i viktimës Qemal Muskaj dje rrëfeu për “Gazeta Shqiptare” se që në momentin kur morën vesh për vdekjen e së motrës kanë pasur dyshime, pasi çifti i të moshuarve kishte pasur kontradikta të vazhdueshme. Ai tha se kunati nuk pranonte që të shihnin motrën e pajetë dhe as t’i hiqnin nga qafa një shall që i kishin vendosur, në mënyrë që të mos dukej shenja e litarit.

Në foto: Kunata e viktimës

VËLLAI I VIKTIMËS
Me aq sa e dini ju historinë, si ka ndodhur ngjarja?
Në datën 3 janar të 2017-ës, në orën 4 të mëngjesit morëm një lajmërim nga Italia. Mua më mori vëllai, i cili më tha se na ka vdekur motra. E pyeta si e mësoi, dhe më tha se e kishte marrë djali i saj nga Italia. Të katër vëllezërit shkuam direkt. Kur shkuam, pamë që kishin mbaruar të gjitha formalitetet. Doja të vija atje ku ishte, por më largonin nga aty. Na zunë derën, e na thanë jo mos hyni se po vishet. I thamë që të shkonin kunatat ta vishnin, por s’u bë gjë. E pastaj na thanë ejani se u vesh. Këta të funeralit ishin aty dhe ne nuk e morëm vesh se kur kishte ndodhur ngjarja. Se ne në orën 4 e morëm vesh. Tentova ta ngrija motrën, ta vija vetë në arkivol, na thanë lërë se e vendosin këta të funeralit. Pasi u ndamë gratë veç, burrat veç, pyeta si ndodhi. Më thanë që motra kishte qenë e sëmurë dhe se kishin marrë doktor dhe e kishin vizituar. Na thanë që pësoi infarkt. E pyeta cilin doktor, s’më thanë gjë.
Pse kishit dyshime?
Dyshoja sepse motra me burrin kishin kontradikta, nuk shkonin me njëri-tjetrin. I pyeta disa herë se cili doktor ishte, por nuk e mësova. Pata dyshime. As fëmijët e tyre nuk ishin, pasi erdhën në darkë. Pastaj thirra vëllain nga dhoma tjetër, pasi po dëgjoja pëshpërima se i kishte thyer krahun dy ditë më parë. Dëgjova edhe për shenjën që kishte në qafë, se nuk linte njeri t’ia hiqnin shallin. I thashë vëllait të kunatit që dua të vërtetën, se do ta zhvesh këtu në sy të të gjithëve e të shoh çka ndodhur. Por ai më tha që s’dinte gjë. Pastaj e deklaruan vetë me gojën e tyre që është e vërtetë që ishte e dëmtuar. Vëllezërit e tij më thanë “po tani të shkojë në burg ai?”. I thashë po, por ndërhyri i biri dhe tha: “Dajë, lëreni tani se do na hapni telashe të tjera”.
Gjatë gjithë kësaj kohe, ju keni kërkuar të zhvarroset trupi, apo keni qenë të bindur që në momentin e parë?
I thashë nipit, a e more vesh çfarë i kanë bërë nënës tënde? Ai më tha: Po. I thashë denoncoje, se nuk të lë. Por kunati mbylli derën dhe nuk pranoi më njeri në shtëpi. Meqë ata nuk pranuan, shkova e denoncova në polici në datën 7. Pastaj na thanë nuk zhvarroset pa mbushur vitin. Krimet në Fier e morën përsipër ngjarjen, pastaj na thanë që ia kishin kaluar Prokurorisë së Fierit. Kur shkova në prokurori nuk më pranuan. Pastaj i mora në telefon dhe u thashë dua të di deri ku është çështja. Ata më thanë që ia kemi nisur Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi e pamë të arsyeshme si krim në familje. Më 4 shtator, ne, katër vëllezërit shkuam te Krimet e Rënda, ata na thanë këtu nuk është regjistruar. U kthyem prapë në Fier. Pas kësaj përgjigje morëm avokat. Bëmë një kërkesë dhe më 12 shtator na u kthye përgjigje se atë ditë kaloi dosja te Krimet e Rënda. Por prokurorja nuk pranonte të më takonte, ndaj kërkova takim me kryeprokurorin në Fier. Por, ai më tha që s’të jap llogari ty. Ika dhe i bëra menjëherë letër kryeministrit Rama, kryeprokurorit Llalla dhe ministrit Xhafaj. Më kthyen përgjigje brenda javës dhe më thanë që çështja do të shqyrtohet. Pas 15 ditëve më ka thirrur prokurori i Krimeve të Rënda në Tiranë, Besnik Muça.

KUNATA E VIKTIMËS
“Sa hymë brenda tek dera, e kuptuam se e kishte shallin tek gryka. Ne shkuam t’i heqim shallin dhe të takojmë kunatën, por motrat e personit që e vrau na thanë ‘mos e luani’. Ndenjëm pak, por nuk po na rrihej. U hodh kunata dhe tha ‘po pse të mos ia heqim shallin, ne s’kemi parë ndonjë të vdekur me shall në grykë. – Jo – tha e motra dhe kunatat se na tha Namiku që e ka shallin e vajzës që i ka vdekur shpejt’. Vrekja e ka pasur jetën të vështirë. Torturat e dynjasë ka hequr. A mbahet gruaja me kyç e mbyllur? E mbyllte në banjë me kyç”, tha kunata e viktimës.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ju lumte vellezerve per drejtesine qe kane vendosur per nenen e tyre, e turp i perjetshem femijeve te saj qe me veprimet e tyre kane treguar se nuk e paskan dashur asnjehere personin qe i ka sjelle ne jete, nenen e tyre. Bravo ju qofte vellezerve te se ndjeres, e ti shkojne deri te fund, ne burg te shkojne edhe kunatat por edhe femijet e saj, nese e kane ditur e nuk kane folur. Ka qene njeri e jo bageti o te mjere, ka qene nena juaj, ju ka lindur e rritur me lot e gjak, kurse ju i paskeni thene dajes tuaj, lere dajo se mos na hapen telashe te tjera. Ne burg te kalbet babai juaj monster.

    Përgjigju ↓