KULTURË

Foto/ Ekspozita nga Joni Kraja, piktura ekspresive dhe të fuqishme

15:11 - 09.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekspozita që sjell Joni Kraja në Gallery 70, përfshin 5 vepra në format të madh që i prezantohen publikut për herë të parë dhe i përkasin periudhës 2013 – 2017.




Një interpretim i Hayez Meditation dhe katër kompozime, ekspozohen në muret e galerisë në një narrativë jo konvencionale duke thyer rregullat akademike të distancës dhe të hapësirës. Duket si një storyboard-i i kuruar në mënyrë artistike që deformon kufijtë midis telajove dhe ashtu si një tabllo jetësore, ngjarjet dhe personazhet bashkohen dhe mbivendosen në mënyrë kaotike duke u shkrirë në një imazh të vetëm.


Piktura ekspresive dhe të fuqishme, me tekstura, dritëhije, intensitet në ngjyra dhe nervozizëm të shqetësuar në penelata; figura njerëzore në bardhë e zi që tingëllojnë të pambaruara; një njollë boje spontane, impulsive, e papërpunuar, bruto që derdhet mbi kanavacë dhe mbulon format njerëzore dhe shkrihet me hapësirën, vjen si një simbolikë e jetës dhe e të papriturave që ajo na servir pa pyetur për gjendjen në të cilën ndodhemi, ndërkohë që një trajektore e errët diagonale me konture të drejta e të prera qartë, që përshkon tejpërtej telajon duket si sinonimi vizual i fijes umbelikale që mban të lidhur realitetin me ëndrrën, jetën me vdekjen, të sotmen me të përtejmen.
Ankthi, frikërat e të jetuarit në një univers të panjohur e armiqsor thuhet se kanë të bëjnë me ndjenjat e pafuqisë, vetëmashtrimit dhe largimin nga realiteti, por sa i vlefshëm është ky gjykim kur shohim këto kompozime?

“Një pikturë nuk mbaron kurrë për aq kohë sa unë marr frymë…” shprehet autori.

“Figurat e Jon Krajës janë njëkohshëm brutale dhe të buta, të shkujdesura dhe elegante. Ekspozita është si një triller romantik që të krijon pështjellim të brendshëm sikur gjendesh përballë një krimi pasioni. Trupat dallgëzojnë shqetësueshëm mbi pëlhurë për të përfunduar thellë në skutat më të fshehta të shpirtit. Një përafrim fizik ndaj së vërtetës të jetës, por jo sepse artisti dëshiron të paraqesë një objekt natural real në trupëzimin e vet, jo sepse do të japë iluzionin e një trupi të gjallë por sepse ndjen përndezjen që shkakton bukuria e formës organike që dominon tërësisht forcën e vullnetit të tij artistik” thotë Ardian Lama.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.