Homo Albanicus

Pse e përçmojmë vdekjen: nga frika apo nga që s’jemi fetarë

16:58 - 24.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Kish rendur me vrap ta shpallte se kishte gjetur katedralen e Shën Kollit. Në fakt ishte xhami, porse në bazamentin e saj përvijoheshin themelet e një kishe. Sak ashtu si thuhej në dokumentet e vjetra. Fryma e entuziaste e kohës nuk i shpëtoi dot dhe organizatorëve të 500 Vjetorit të Vdekjes të kryeheroit. Më në fund ishte gjetur kyçi i kremtimeve. Enver Hoxha sapo e mori informacionin ishte i qartë. Aty do të ndërtohet Memoriali i Heroit. “Askush nuk do të guxonte nga ne t’i thoshte se zbulimi hante të tjera arsyetime sepse nuk kishte logjikën e mjaftueshme”, citojmë në të gjallë profesor Kristo Frashërin.

Qysh atëherë shqiptarët respektojnë një mjedis, ku mendohet se është varrosur porse fakte të vërteta se ku është varrosur kryeheroi mungojnë krejtësisht. Të humbura në shekuj ato i kanë lënë vend lloj-lloj hamendësimesh.Të etur për mite, shqiptarët janë mjaftuar me atë që u ka shkruar shekuj të shkuar Barleti. Biografi i parë i Skënderbeut e ka shpjeguar të gjithë variantin e tij në librin “Historia e Skënderbeut”: “Turqit dhe Barbarët duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Te eshtrat dhe varri i tij u mblodhën që të gjithë kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishe fatbardhë, shumë i lumtur ai që do të siguronte për vete një copëz prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar dhe e varnin në qafë, si ndonjë gjë hyjnore, të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre dhe e nderonin me respekt shumë të madh, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërrmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat edhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu”.

Studiuesit më shumë sesa me vendvarrimin janë marrë me vetë eshtrat e heroit. Të dhënat e mëvonshme nuk na rrëfejnë as edhe një evidencë qoftë edhe të ndonjë eshtre të vetme diku të ruajtur. Që do të thotë, qoftë edhe njëra prej tyre që do shërbente si hajmali dhe për të cilën në ato vite trajtoheshin si të tilla, nuk është ruajtur. Interesant është edhe vetë gjykimi për kishën e madhe të Shën Kollit nuk qëndron. S’është kaq e madhe sa përshkruhet dhe atje ku është zbuluar nuk është se është logjike si vendvarrosje e heroit, pasi aty dikur ka qenë vendi që e përmbyste Drini. Tjetra: Po pse e varrosën vallë Skënderbeun në një vend që përmbytej? Papërgjegjshmëri? Nga Turqit? Nga jeta e vështirë? Koha?

Këtu duhet të bëjmë një thyerje. Miti i Skënderbeut ndër shqiptarë u ngrit prej Rilindësve dhe që atëherë nuk është ulur më kurrë poshtë përveç anatemave të lloj-lloj njerëzish, por që s’kanë mundur ta prekin.

Ashtu si ndodhi me Skënderbeun, shqiptarët janë indiferentë të vërtetë ndaj vdekjes dhe përpos riteve arkaike, me të cilat plotësonin në kohët e vjetra jetën e tyre të virgjër dhe jo shumë të pasur, vdekja harrohej shpejt. Pra edhe i ndjeri bashkë me të. Themi harrohej sepse në atë jetë të vështirë vdekja i lindte vend vdekjes tjetër, ndodhte që mund të përjetësoheshin disa njerëz me këngë, ishte kujtimi i të parëve, por të mjafton të shikosh vendvarrimet tona lokale, atëherë bindesh sesa pak u kemi qenë mirënjohës paraardhësve tanë. Kjo e shpjegon më së miri thënien e Branko Merxhanit: “Kombet ngrihen dhe mbahen në këmbë vetëm për hir të të vdekurve të tyre të mëdhenj”. Po të kujtohesh për trajtimin në të gjallë dhe pas vdekjes, atëherë e gjen sepse shqiptarët janë mospërfillës ndaj paraardhësve. E më shumë akoma, në vendin tonë nderohen pak për të mos thënë fare pak ata idealistë që kanë dhënë për Shqipërinë.

Në fakt, shqiptarët të gjithë njerëzit që i kanë drejtuar nuk i lanë të prehen të qetë. Kujtojmë se varrit të Ismail Qemali i është ndërruar tre herë vendprehja. Trupi i Ahmet Zogut erdhi në Shqipëri pas shumë e shumë dekadash. Enver Hoxha u hap dhe u la i ekspozuar dhe sot e kësaj dite varrin janë dhunojnë sistematikisht, kurse heronjtë e Rilindjes i përçudnojnë. Ata të luftës janë harruar krejtësisht. Migjenit ia kanë thyer varrin rregullisht dhe kështu me radhë. Në të gjitha rastet, t’i arrin të bindesh se kultura jonë funerale është e pakët. Të kemi frikë nga vdekja? Të mos e kujtojmë vallë se do të kemi të njëjtin lloj drejtimi? Ndoshta kjo është temë për antropologët, por për një gjë jemi të sigurt, ne stepemi para vdekjes sepse marrëdhënia jonë me të është shumë e stisur.

E para është se shqiptarët nuk janë popull fetar dhe këtë e kanë provuar në mënyrën sesi i vunë dërrmën fesë dhe si e tallnin atë shekullin e shkuar, derisa regjimi komunist gjeti të gjithë shtratin që t’i binte ashpër. E dyta është se ritualet tona janë aq shumë arkaike saqë nuk kanë bazë me realitetin e sotëm. Jo më kot, duke bërë fjalë për kultin e të vdekurve në Mirditë e në Malësi të Madhe, në Dukagjin, Bernardin Palaj do të shkruajë gati një shekull më parë: “Asht teprica ma arkaike e fiseve indo-europjane, ruejtë besnikisht vetëm ndër malet t’ona.”. Shqiptarët vdekjen e trajtojnë si një ceremonial me të cilën thërrasin pjesën pagane të tyre, por aspak nuk e vlerësojnë realisht si qenësi si realitet. E kthejnë në një moment ekspozimi, por asesi një normalitet.  E thotë pak më këndshëm Kadare tek eseja e tij “Eskili”: “Një ritual mortor tek shqiptarët, s’është veçse një dasmë e kthyer me kokë poshtë”.

Atë kremtim të Skënderbeut, megjithë përfshirjen e shumë studiuesve vendas e të huaj,  tezën më interesante e dha një etnolog i thjeshtë. Mësuesi i Popullit Dhosi Liperi, në Janar të vitit 1968 në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tirane, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, pohoi se nga legjendat lokale thuhej se: Varri i Skënderbeut u transferua më parë në një vendvarrim të dytë, të fshehtë. Çuditërisht të gjitha gojëdhënat e popullit tregonin se turqit asnjëherë nuk e gjetën varrin e vërtetë të Skënderbeut. Dhe besojmë se njësoj si sot, dhe atëherë njerëzit e tij më të afërt u munduan që me atë kujtesë që kanë shqiptarët për vdekjen, ta vendosnin diku, ku të mos gjendej lehtë e të përdhosej. Shqiptarët e kanë frikë dhe e tallin vdekjen duke e përqeshur dhe injoruar vdekjen, sepse i druhen përballjes me jetën e re të amëshueme.

Ku ta dish, mbase edhe vetë Skënderbeu, që e kish para vdekjen shpesh para syve, e ishte mes tre feve, një gjë do e ketë ditur mirë: shqiptarët nuk ka shumë vetëdije për vdekjen dhe me gjasë me atë që kish bërë në të gjallë, nuk do ketë dashur kurrë të varrosej diku, ku mund ta përdhosnin lehtë qoftë nga të huajt por edhe njerëzit e vet…që konvertoheshin aq lehtë. Ky mësim të vjen për zakonet tona të vdekjes. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.