EKONOMI

Urdhri/ Gabimet në deklarim, bizneset që hyjnë rishtas në skemën e TVSH s’do gjobiten

13:35 - 08.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka urdhëruar administratën tatimore të mos gjobisë bizneset e vogla, që hyjnë për herë të parë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Përmes një shkresë zyrtare, Ahmetaj u ka kërkuar Tatimeve që të ndihmojnë biznesin për deklarimin e TVSH-së dhe të shmangin masat ndëshkuese deri në fund të këtij viti.




“Strukturat përgjegjëse në varësi të DPT duhet të asistojnë bizneset për të korrigjuar gabimet në deklarim, duke shmangur gjobat dhe penalitetet deri në fund të vitit 2018”, thuhet në letër. Sipas kreut të Financave, do të jetë në përgjegjësi të administratës tatimore të konstatojë çdo deklarim të vonuar apo mosdeklarim të bizneseve që hyjnë në TVSH. “Deri në 15 korrik, që përbën momentin e parë të deklarimit për biznesin e vogël, administrata tatimore duhet të kontaktojë detyrimisht me çdo subjekt që preket nga ndryshimet ligjore, duke asistuar tatimpaguesit të deklarojnë në kohë dhe të shmangin parregullsitë”, vijon letra.

Nga 1 prilli bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë në janë të detyruara të deklarojnë dhe paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Sipas qeverisë, qëllimi i kësaj mase është të mbyllë shtigjet e evazionit për biznesin e madh. Por, përfshirja në TVSH ka shkaktuar frikë dhe pasiguri në radhët e biznesit të vogël. Shumë tregtarë të vegjël ankohen se janë të paqartë dhe nuk kanë njohuritë e duhura për të deklaruar TVSH-në sipas ligjit. Ata u druhen masave ndëshkuese nga Tatimet. Por, sipas Ministrisë së Financave, administrata nuk do të lejohet t’i penalizojë këto biznese deri në fund të vitit.

Trajnimet
Rreth 1959 subjekte kanë marrë pjesë në sesionin e trajnimeve të biznesit të vogël, që po zhvillohen në rang vendi që nga data 1 prill 2018. Referuar të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, që nga fillimi i marsit e deri më tani, specialistët e Shërbimit ndaj Tatimpaguesve kanë vizituar 2764 biznese të vogla.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe këndet e asistencës kanë ofruar informacione si dhe kanë orientuar 2367 subjekte. Sipas DPT-së, në total janë trajnuar 7090 subjekte, një shifër e cila përkon me 70% të totalit të tyre që janë njoftuar nga Administrata Tatimore për përfshirjen në skemën e TVSH-së, e cila ka nisur të zbatohet që nga 1 prilli. Sesionet e trajnimeve, që janë 100 në total do të zgjasin deri në fund të muajit qershor.

 

Bizneset me xhiro vjetore 2-5 milionë lekë duhet të bëjnë:

1- Ndryshimin e shkallës tatimore duke vendosur shkallën 20% apo shkallët e reduktuara sipas fushës së veprimtarisë së tatimpaguesve.
2- Të gjithë tatimpaguesit që janë përfshirë në skemën e TVSH-së kanë të drejtë që në periudhën e parë tatimore (prill 2018), të njohin TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën 31 mars 2018, mallra këto me qëllim për t’u shitur për të cilat do të llogaritet TVSH-ja në shitje.
Kushtet që duhet të plotësohen për të ushtruar këtë të drejtë janë si më poshtë:
– Mallrat do të shërbejnë për kryerjen e furnizimeve të tatueshme që kanë të drejtën e zbritjes.
– Të kenë evidentuar listën e mallrave stok (inventarin) të specifikuar në sasi dhe në vlerë. Një kopje e inventarit duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore dhe të ngarkohet në ‘e-Filing’, tek rubrika “Çështjet e mia”, brenda datës 30 prill 2018. Ky inventar duhet të jetë i evidentuar në regjistrat dhe kontabilitetin e personit të tatueshëm.
– Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH dhe i blerë jo më parë së 12 periudha tatimore.
– Të pajisen me blloqe të faturave tatimore pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar, për rastet kur do të kryejë transaksione me vlerë mbi 40,000 lekë dhe/ose nën këtë vlerë kur e kërkon blerësi. Të lëshojnë kupon tatimor për çdo shitje për klientët konsumatorë finalë.
– Të regjistrojë në mënyrë kronologjike faturat e shitjes dhe të blerjes, në format elektronik, në librat mujorë të shitjes dhe blerjes. Afati i parë i këtij deklarimi është data 10 korrik 2018, për periudhat tatimore prill-maj-qershor 2018.
– Të dorëzojë deklaratën e TVSH-së, bazuar në të dhënat e librave të shitjes dhe të blerjes, e cila përpilohet me bazë mujore dhe dorëzohet elektronikisht brenda datës 14 të muajit pasardhës të tremujorit përkatës. Afati i parë i këtij deklarimi është data 14 korrik 2018, për periudhat prill-maj-qershor 2018.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.