Nostalgji

Nostalgji/ Eli Fara: Unë kam lindur me çmim të parë

16:00 - 17.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Eli Fara: Unë kam lindur me çmim të parë




Po shijon një emocion të paprovuar më parë. Ritëm, kërcim, tension, energjinë që të jep vetëm kërcimi. Ndërsa po hyn në javën e tetë të konkurrimit në spektaklin “Dancing with the stars”, Eli Fara tregon se tashmë ia ka marrë suksesin këtij eventi. Është më se e kënaqur dhe sfidën me veten e ka fituar.
Jeni në rrugëtimin e “Dancing with the stars”, si ndihet Eli tani që është ambientuar me skenën si balerinë?
Fillimisht dua të them se unë nuk mora pjesë me ndonjë qejf të madh. Kisha atë frikën se si do të paraqitesha. E dyta që mund të them është se jam shumë e habitur që kam arritur deri në natën e tetë, që është java e ardhshme. Kjo do të thotë që janë tetë javë, punë intensive, emocione, strese, përgjegjësira, vështirësira, kënaqësira, një përzierje e të gjithave bashkë.
Pretendoni për çmimin e parë?
Jo, që në fillim nuk hyra që të fitoj çmimin e parë, ndonëse ka artistë që edhe e shprehin që duan ta fitojnë çmimin e parë aty brenda. Unë nuk kam hyrë me këtë qëllim, qëllimi i parë ka qenë, është dhe mbetet, që unë të dal me dinjitet nga ky show, të shpreh formën time në mënyrën time, ato lloj të kërcyerish siç janë zhanret e ndryshme që janë shumë të bukura dhe klasike.


E ndjen veten një profesioniste tashmë?
Profesioniste jo, por jam e kënaqur që kam mësuar lëvizjet e tangos, lëvizjet e valsit, paso dobles, të të gjitha këtyre kërcimeve dhe ndjehem mjaft mirë. Këto lëvizje janë bërë të miat tashmë dhe ndoshta do ndikojnë më vonë në karrierën time të këngës, në përdorimin e një videoklipi të bukur ose thjesht edhe në qëndrimin apo performimin, në lëvizjen e duarve dhe të këmbëve, në qëndrimin e trupit. Besoj se do të ndikojnë.
Cili ka qenë reagimi i fansave tuaj duke ju parë tashmë si balerinë?
Mendoj që ata që të duan, të duan me të gjitha. Në përgjithësi kam marrë urime të shumta, kënaqësi të madhe nga njerëzit që më duan, dhe sigurisht marr edhe vërejtje, gjëra të cilat i vënë re ata që të duan fort, por në përgjithësi është edhe për ata surprizë, pjesëmarrja ime këtu dhe performimi im, pata telefonata për shembull para tri ditësh nga Kanadaja nga disa miqtë e mi me origjinë nga Prespa e Maqedonisë, që më shohin e ndjekin dhe provat e mia, dhe më thonë, “këtu dole bukur dhe atje bukur, po pse thotë ai kështu, po pse e bëri ai ashtu?” etj…


Po ndonjë anëtar i jurisë ju ka mërzitur?
Për momentin ndoshta edhe mërzitesh. Është normale, por pastaj kur sheh kërcimin tënd kënaqesh, kënaqesh nga ato që kanë rëndësi dhe jo me komente që janë ndoshta edhe pjesë e show-t, apo e lojës që bëhet.
Po këngën e keni lënë pas dore gjatë kësaj kohe?
Më duket se po. Më ka marrë malli të këndoj.
Cilin do të doje të falënderoje që ke arritur tashmë të kërcesh kaq mirë?
Në përgjithësi produksionin, dhe në veçanti Enada Hoxhën dhe Gert Vason, të cilët janë bërë pjesëtarë të jetës sime të përditshme sepse jemi çdo ditë bashkë, punojmë, shahemi, bërtasim, qeshim, na presin emocione që vijnë shpejt për katër ditë, sepse kalojmë në skenë. Me të vërtetë që e vlerësoj punën e tyre, u jam shumë mirënjohëse dhe shpresoj që të mbetemi dhe miq pas show-t.
Jeni mërzitur ndonjëherë me të bërtiturat e tyre?
Unë në përgjithësi jam tip që i justifikoj gjërat, prandaj dhe duroj shumë.

Ky shkrim u botua më 3 prill 2010

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.