EKONOMI

TVSH 0 për kooperativat, Halilaj: Nxisim bashkëpunimin në shitje dhe prodhim

13:30 - 17.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Fermerët që do të bashkohen në shoqëri të bashkëpunimit bujqësor nuk do të jenë pjesë e skemës së TVSH-së. Ministria e Bujqësisë ka propozuar që kjo ngarkesë fiskale që kanë pasur deri më sot këto njësi të hiqet për nxitur bashkimin e fermerëve. zv.ministri i Bujqësisë, Ilir Halilaj thekson se mjafton që bashkëpunimi të jetë vetëm në prodhim dhe në shitje, dhe për të krijuar një shoqëri duhen minimalisht 7 anëtarë. “Deri më sot fermerët individualë ishin të përjashtuar nga deklarimi i TVSH-së deri në pragun 5 milionë lekë. Aktualisht funksionojnë 25 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor dhe xhiro vjetore totale llogaritet në rreth 25 milionë lekë. Bashkimi në kooperativa do të sillte më pak kosto administrative për fermerët, mundësi më të larta për të përfituar fonde nga skemat subvencionuese, si dhe mundësi për të qenë përfitues të lehtësive të tjera, që mund të ndërmerren nga Ministria e Bujqësisë. Vendimi pritet të miratohet në mbledhjen e radhës të qeverisë”, – thotë zëvendësministri.
Subvencionet
Shteti shqiptar do të shpërndajë 2.56 miliardë lekë në grante për të mbështetur bujqësinë dhe zhvillimin rural. Skema e re përfshin mundësi financimi që nga mbjelljet e reja e deri tek investimet në sera, teknikat e ujitjes, shtimin e kafshëve, blerjen e makinerive e deri tek hapja e dyqaneve për të tregtuar produkte vendi. Ministria e Bujqësisë ka përgatitur një “skemë” dhe fondet për secilën pikë të saj do të jenë të kufizuara, në mënyrë që fermerët të diversifikojnë produktin dhe investimet në bazë të nevojave të vendit. Në këtë rast, aplikimi për një nga skemat që ka fondin më të madh i jep fermerit shansin më të lartë për të përfituar. Sipas vendimit të ministrit të Bujqësisë, pjesa më e madhe nga fondi i programit do të shkojë për ndërtimin e serave diellore për kultivimin e domates, kastravecit dhe specit. Për këtë zë, qeveria ka vendosur të financojë plot 626.4 milionë lekë. Një vlerë të madhe financimi do të jepet edhe për krerët e lindur të matrikulluar në fermat me mbi 100 dele/dhi ose mbi 20 lopë. Për këtë zë, nga programi do të jepen 243.6 milionë lekë. Një pjesë të madhe të buxhetit e zë gjithashtu ndërtimi i thertoreve, si dhe mbështetja për pikat e grumbullimit dhe fermerëve që blejnë fidanë. Sa u takon kulturave bujqësore, pjesa më e madhe e fondit do të shkojë për mbjelljen e ullinjve me fidanë autoktonë dhe për mbjelljen e lajthisë dhe shegës, si dhe vreshtave.
Kriteret
Sipas vendimit, mësohet se aplikuesit duhet të jenë shtetas shqiptarë ose kompani me bashkëpronësi, njëri nga të cilët të jetë shqiptar. Përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, grup fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB, OMP ose OJF. Fermerët individualë duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit. Ndërsa SHBB-të, OMP-të dhe personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS. Duhet të dorëzohet ekstrakti i regjistrimit në QKB dhe mbështetja financiare për masat mbështetëse të jetë sipas hartës bujqësore dhe përcaktimeve në këtë udhëzim. “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë shpenzimet e detajuara me fondin e planifikuar, së bashku me pikën përkatëse të skemës.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.