EKONOMI

Ekonomia e Shqipërisë në vitin 2018 rritet me 3.7 përqind

12:30 - 18.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Ekonomia shqiptare do të rritet gjatë vitit 2018, por me ritme të ulëta se në 2017. Rritja ekonomike do të jetë 3.7%. Të dhënat janë bërë të ditura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e Pasqyrës Ekonomike Globale të prillit, ku mësohet pritshmëria për rritjen ekonomike të Shqipërisë në vitin 2018. Më herët, në raportin e tetorit të vitit të kaluar, FMN e kishte ulur pritshmërinë për performancën e Shqipërisë me 0.2 pikë përqindje në 3.7%, shifër që e mbajti të pandryshuar dhe në rishikimin e prillit. Ndërkohë, FMN ka rritur vlerësimin për rritjen e vendit në 2017-ën, nga 3.7% në 3.9%, në krahasim me raportin e tetorit, në linjë dhe me të dhënat e fundit të INSTAT, që vlerësoi se ekonomia vendëse u zgjerua me 3.84% në vitin 2017.




Periudha afatmesme
Për periudhën afatmesme, FMN pret që rritja të përshpejtohet lehtë, duke arritur në 3.8% në 2019-ën dhe do të vazhdojë të luhatet rreth 4% deri në vitin 2023. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, që pritet të zgjerohet me 4%, Shqipëria do të ketë normën më të lartë të rritjes. Më pas renditen Bosnjë dhe Hercegovina me 3.2%, Maqedonia me 3%, Mali i Zi me 2.4%, Serbia me 3.5%. Inflacioni pritet të përshpejtohet këtë vit në 2.8%, nga 1.9% në vitin 2017, duke iu afruar objektivit të shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Deficiti i llogarisë korrente pritet të ngushtohet në 6.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 7.2% në 2017-ën, duke mbetur gjithsesi më i larti në Europën në zhvillim, me përjashtim të Malit të Zi.

Projektet
Të gjitha institucionet ndërkombëtare presin që ekonomia shqiptare të ngadalësohet në 2018-ën, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke e lidhur me mbarimin e projekteve të mëdha, si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet që po ndërtohen mbi lumin Devoll. “Ritmet e rritjes pritet të ngadalësohen në vitin 2018 për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha energjetike të financuara nga Investimet e Huaja Direkte”, tha Banka Botë-rore në prezantimin e raportit të rregullt ekono-mik për Ballkanin Perëndimor pak ditë më parë. Në vijim, Shqipëria pritet të rritet me 3.6-3.5%, nga gati 4% që arriti zgjerimi në vitin 2017. “Rritja ekonomike në Shqipëri është e fortë, 3.9% në 2017-ën dhe 3.7% në 2018-ën, nga më të lartat në rajon. Inflacioni është i ulët, eksportet të forta, rezervat të kënaqshme”, ka pohuar përfaqësuesja e misionit të FMN-së në Tiranë, Anita Tuludhar gjatë misionit të parë i FMN-së për monitorimin e post-programit. Por, ajo ka paralajmëruar se nuk është koha për vetëkënaqje se rritja mund të mos zgjasë. Tregu ndërkombëtar mund të ngadalësohet në afat të mesëm. Në tregun e brendshëm ka borxh të lartë, NPL të larta dhe mjedis të vështirë për biznes, vuri në dukje misioni i FMN-së, duke këshilluar vijimësinë e konsolidimit fiskal.

Ekonomia globale
FMN-ja vlerëson në raportin e saj se në vitin 2017 investimet globale dhe tregtia vazhduan të mbajnë peshën e rritjes. Niveli 3.8 për qind i rritjes ekonomike globale në 2017-ën ishte më i shpejti që nga viti 2011. Me kushtet financiare mbështetëse rritja globale pritet që të prekë 3.9 për qind si në vitin 2018, ashtu edhe në 2019. Ekonomitë e avancuara do të rriten më shpejt se potenciali i këtij viti, ekonomitë e zonës euro pritet që të tkurrin zgjerimin e kapacitetit e ndikuar nga politika monetare akomoduese dhe politika fiskale zgjeruese do të çojë ekonominë e Shteteve të Bashkuara mbi punësimin e plotë. Rritja agregate në ekonomitë në zhvillim pritet që të vijojë qëndrueshmërinë e mëtejshme me një rritje më të fortë në Azi dhe Europë dhe një rritje më modeste të eksporteve pas tri viteve performancë të dobët. Rritja globale parashikohet që të zbutet përtej disa viteve. Sapo të mbyllet hendeku i prodhimit, shumica e ekonomive të zhvilluara pritet që të kthehen në nivelet e tyre potenciale të rritjes poshtë mesatares së parakrizës, që do të ndikohet nga popullsia në plakje dhe prodhimi i dobët. Rritja e SHBA do të ngadalësohet nën potencial, ndërkohë që ndikimi zgjerues i politikave fiskale të fundit do të kthehet në të kundërt. Rritja prioritet të mbetet nën mesatare në disa tregje dhe ekonomi në zhvillim, përfshirë eksportet e disa mallrave, që vazhdojnë të përballen me nevoja për konsolidim themelor fiskal.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.