Intervista

Zv. ministri i Arsimit: Rritje pagash me 40% për mësuesit

13:20 - 19.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në një nga programet e mësuesisë për vitin akademik 2018-2019 duhet ta kenë mesataren mbi 7-të. Ndërkohë për të gjithë ata që kanë një mesatare mbi 9-të, Ministria e Arsimit po shikon mundësinë e rimbursimit të tarifës studentore, pra të mos kenë asnjë detyrim financiar. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, zv.ministri i Arsimit, Ervin Demo bën me dije se në fakultetet e tjera nuk do të ketë ndryshim të mesatares për pranimet në programet e studimit e shton se maturantët që kanë një mesatare poshtë notës gjashtë, do t’u jepet mundësia të ndjekin programe profesionale dy vjeçare. Gjithashtu, De-mo thekson se pagat për mësuesit do të rriten deri në 40%, pasi shpërblimi financiar që marrin ata që janë në sistem, është i domosdo-shëm për të plotësuar me sukses reformën.




Cilat janë disa nga çështjet prioritare që janë vendosur në fokusin e Ministrisë së Arsimit?
Një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Arsimit, është rritja e cilësisë së mësuesve, të cilët ne duhet t’i kemi në sistem, por, gjithashtu, edhe për të garantuar rritjen e cilësisë së mësuesve që ne do të kemi në të ardhmen. Kjo pasi është imperative që ne të garantojmë formimin e brezave të rinj në mënyrë sa më rigoroze dhe mbi të gjitha për të rritur në tërësi përmirësimin e sistemit parauniversitar. Mësuesit janë elementi kyç për të plotësuar këto objektiva madhore. Në këtë kontekst, Ministria e Arsimit, krahas nismave që ka marrë për përmirësimin e mësuesve, të cilët janë në sistem; është duke ndërmarrë nisma që duhet të fillojnë këtë vit. Në këtë mënyrë pas disa vitesh të garantojmë rritjen e mësuesve që do të futen në sistem në të ardhmen.

Mesatarja e pranimit në fakultetet e mësuesisë për vitin akademik 2018-2019 është vendosur që të jetë 7. Pse erdhi ky ndryshim?
Një nga elementët mekanikë që është duke u përdoru është rritja e mesatares nga 6 në 7, e kjo bëhet për të rritur cilësinë e studentëve që futen në sistem dhe rrjedhimisht, çdo universitet në momentin që ka studentët më të mirë të regjistruar në programet e studimit, e kanë më të lehtë dhe burimet mund të përdoren në mënyrë më efektive për sa i përket formimit të studentëve të duhur, me standardet e duhura, që t’i ofrohen sistemit parauniversitar në të ardhmen. Kuptohet që rritja e mesatares nuk është i vetmi mekanizëm që është duke u përdorur, por MASR në të njëjtën kohë po analizon mundësinë e përdorimit të iniciativave financiare për rritjen e interesit të studentëve për programet e mësuesisë.

Cilat janë disa nga strategjitë që do të përdorë Ministria e Arsimit për të tërhequr sa më shumë studentë në programet e mësuesisë?
Për sa i përket kësaj nisme jemi duke parë mundësinë që të tërheqim sa më shumë studentë cilësorë, sidomos ata që janë me mesatare mbi 9-të e synojmë që kjo fashë të rritet brenda programeve të studimit të mësuesisë. Për kategorinë e studentëve që janë me mesatare mbi 9, këtë vit po shikojmë mundësinë që të përdorim mekanizmin e rimbursimit të tarifës studentore, në mënyrë që studenti të mos ketë detyrim të paguajë tarifë vjetore, siç kanë bërë deri sot, në varësi të programit të studimit që ata kanë ndjekur.
A do të ketë rritje të mesatares për pranimin në universitete në fakultete të tjera?
Për programet e studimit, të cilat nuk bien brenda grupit të programeve të studimit të mësuesisë, nuk është menduar që të rritet mesatarja për pranimet në universitete, pra mesatarja do të vazhdojë të jetë 6-të. Por ndërkohë duhet të kuptojmë edhe një element tjetër: edhe ata maturantë që kanë mesataren poshtë 6-ës, nuk i përjashtojmë nga sistemi universitar; përkundrazi ne kemi ndërmarrë politika mbështetëse për universitetet në mënyrë që të rrisim numrin e programeve profesionale dy vjeçare në institucionet e arsimit të lartë në vend. Kjo në mënyrë që edhe studentët që nuk kanë mesataren e duhur që të futen në universitet, ata patjetër mund të marrin formim universitar profesional, të lidhur direkt me tregun e punës dhe të kenë një mundësi më të mirë për të ushtruar profesionin.

Në bazë të analizave të kryera nga MASR, sa përqind e mësuesve të punësuar rezultojnë me mesatare mbi 7-të?
Ministria e Arsimit ka ndërmarrë prej kohësh dhe vazhdon me intensitet dixhitalizimin e database-it, të informacionit për të gjithë mësuesit që janë në sistem. Kjo bëhet jo vetëm për të kuptuar sesa është mesatarja që ata kanë pasur, por edhe të për kuptuar mirë se cili është formimi, jo vetëm hyrës që ata kanë pasur, por edhe gjatë kohës që kanë qenë në sistem, nëpërmjet trajnimeve kualifikuese dhe krediteve që kanë marrë. Ne po mundohemi të dixhitalizojmë këtë sistem, në mënyrë që të kuptojmë saktë se ku është e domosdoshme që të bëhet ndërhyrja kohë pas kohe për sa i përket rritjes dhe përmirësimit të cilësisë së mësuesve që kemi në sistem.

Mësuesit po i nënshtrohen trajnimeve kualifikuese. A do të ketë penalizime për ata që nuk kalojnë testimin?
Për sa i përket trajnimeve kualifikuese që duhet të ndjekin mësuesit, Ministria e Arsimit ka ndërmarrë një nisëm shumë të rëndësishme. Nëse i referohemi një të kaluare jo shumë të largët, marrja e krediteve nga mësuesit, ka qenë përgjithësisht një formalitet. Kreditet haptazi bliheshin nga mësuesit, sa për të plotësuar detyrimet që ata kishin nga sistemi. Ajo çfarë ne kemi bërë tashmë është një reformë e thellë, pasi kemi nxjerrë jashtë tregut të gjitha agjencitë që ofronin këto shërbime, të cilat sot do ia dedikojmë vetëm departamenteve që garantojnë programet e mësuesisë.

A do të ketë rritje pagash për mësuesit dhe, nëse po, sa do të jetë kjo rritje?
Qeveria Shqiptare ka premtuar dhe ne jemi duke parë mundësinë që duke filluar nga viti i ri buxhetor të fillojmë një rritje graduale për të rritur targetin që kemi që pagat për mësuesit të rriten deri në 40%. Ky është një target ambicioz, por ne jemi në vitin e parë të mandatit, e kemi dhe 3 vite të tjera buxhetore para. Besoj dhe jam i bindur që me këtë prioritet që po i jepet programit të mësuesisë, gjithë mësuesve në sistem dhe mbi të gjitha rritja e cilësisë; patjetër që mbështetja dhe shpërblimi financiar që marrin ata që janë në sistem, është i domosdoshëm dhe duhet të jetë një nisëm paralele për plotësimin e kësaj reforme me sukses. Synojmë që jo vetëm të rrisim cilësinë e mësuesve, por edhe t’i bëjmë ata të ndihen të respektuar nga ana financiare, por jo vetëm.

Cilat kategori do të përfitojnë?
Rritja nëse do të bëhet, do të përfitojnë të gjitha kategoritë e mësuesve, por mund të ketë diferenca të ulëta, nëse ne mendojmë se brenda sistemit duhet të motivohen më shumë kategori specifike të mësuesve. Kuptohet që këto kategori janë duke u analizuar dhe në momentin që do merret vendimi për rritjen e pagave, do të mbahen në fokus.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.