KULTURË

Saimir Kumbaro: Qendra e filmit, me profanë e diletantë

12:30 - 21.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Sot jam 72 vjeç. Ky mund të ishte filmi im i fundit, por nuk ma miratuan”. Saimir Kumbaro duket i prekur nga mbledhja e fundit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Thotë se është i zhgënjyer dhe thotë edhe se është i gënjyer. 3 prej 5 anëtarëve të këshilli, i kanë thënë se e kanë votuar projektin e tij, por për aq kohë sa filmi i tij nuk është miratuar, rezulton se e kanë gënjyer.
“Kam 50 vite karrierë, kam lënë një farë emri besoj në kinematografi, por Këshilli Miratues i Projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë nuk e pa të arsyeshme të miratonte projektin tim për një dokumentar për varrin e Ethem Beut, ndërtuesit të xhamisë së Tiranës”,-tha ai dje për “GAZETA SHQIPTARE”.
REAGIMI
Si fillim, ai postoi një status në profilin e tij në rrjetin social ‘Facebook’. Në atë status, shkroi: “Kur skenarët i gjykojnë profanët! Anëtarët e Këshillit Miratues të Projekteve në QKK janë mediokër dhe të paaftë të shfaqin mendim për skenarët e filmit dokumentar dhe artistik. Petrit Beci, ish-drejtor i RTSH dhe mik me ish-pushtetarët, ekonomist; Agim Poçari, ekonomist; Esat Ibro, kineast; Genc Përmeti, piktor dhe qejfli kinemaje; Eduard Mazi, gazetar. Nga ky komision nuk mund të presësh më shumë. Shkaku kryesor se përse prodhimet kinematografike janë nën nivelin mesatar është se Qendra Kinematografike drejtohet nga një piktor tekstili, i cili me politikën e tij sasiore ka ulur buxhetin e filmit duke fundosur kualitetin. Kështu ndodh kur në krye të institucioneve vihen diletantë në fushën e drejtimit. Mendoj se Qendra Kinematografike është kthyer në një fondacion bamirësie. Në këto kushte është më mirë të shkrihet dhe të jetë nën drejtimin e Ministrisë së Kulturës”.
Më tej, i kontaktuar nga “GSH” sqaroi se që kur është krijuar Qendra(QKK) më 1996, ai ka fituar vetëm 2 herë. Akuzon se në krye të qendrës është një njeri që s’ka lidhje me filmin dhe se është veçse organizator festivalesh. Për Saimir Kumbaron, QKK është kthyer në fondacion bamirësie. “Filmat e prodhuar nga kjo qendër, që janë 50 filma artistikë, janë të një cilësie që lë shumë për të dëshiruar.
Këshilli i Miratimit të Projekteve përbëhet nga njerëz profanë, që s’kanë lidhje me filmin. Unë paraqita një projekt që ka të bëjë me trashëgiminë kulturore, për një film dokumentar që ka të bëjë me varrin e Ethem Beut”.
Sqaron se kishte gjetur një foto të vitit 1945, ku para xhamisë, dukeshin dy varre- në një anë varri i Belkizes, gruas së Ethem Beut, e në anën tjetër, varri i Ethem Beut. Të dy varret kanë qenë aty deri në vitin 1978. Sot, njëri prej tyre mungon. Pas shumë kërkimeve, Kumbaro mësoi se njërit prej varreve, i ishin marrë gurë, nga “Kinostudio” kur është bërë filmi “Ballë për ballë”. Atëkohë, gurët e varrit të Ethem Beut u përdorën për të ndërtuar në Orikum varrin e Pashait. Në filmin “Ballë për ballë”, gurët janë, ndërsa sot vështirësitë për t’i gjetur janë disa. Kumbaro ka marrë të dhëna nga KMSH, është konsultuar edhe me përkthyes osmanishteje, për të mësuar më shumë.
Filmi i tij dokumentar do të titullohej “Në kërkim të gjysmës së varrit”, por fondi për të, nuk iu miratua.
Gjatë prononcimit të djeshëm për “GSH”, ai tha se QKK duhet shkrirë, ose buxhetin e saj më mirë t’ia japin studentëve që kanë ëndrra, se sa t’u jepet festivaleve e filmave pa vlerë.
“Ministresha, megjithëse është kushërira ime, është pa kulturë. Kam lënë një gjurmë në kinematografi dhe unë s’kualifikohem me pretekstin, se kam marrë shumë projekte. Unë, kam marrë vetëm 2 projekte në 20 vjet, e kolegët e mi nga një çdo vit. Nuk kam asgjë me ata, por të kisha marrë dhe unë. E kanë kthyer atë qendër në një institucion bamirësie.
Mos ka të bëjë me zarfe kjo punë? Më jep, të jap? Ky mund të ishte filmi im i fundit, s’kam kohë të bëj më”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.