MILOSAO

Indeksi mesatar i lumturisë

13:41 - 22.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Informacion i përgjithshëm rreth librit-




A mund të matet lumturia? Rreth kësaj pyetjeje është ndërtuar romani “Indeksi mesatar i lumturisë” i shkrimtarit portugez David Machado. Protagonisti i romanit është Danieli, tridhjetë e shtatë vjeç, në kërkim të identitetit të vet dhe të lumturisë, pas traumave të njëpasnjëshme të humbjes së punës, familjes dhe shtëpisë, në një Lisbonë të fshikulluar dhimbshëm nga kriza ekonomike. Nëse Danieli arrin ta lërë pas të shkuarën, të shkëputet prej saj, ai do të mund të kthehet përsëri në identitet, duke shpëtuar kështu jo vetëm veten, por edhe të gjithë ata që janë të rëndësishëm për të. Ky roman hedh pikëpyetje të rëndësishme mbi rolin që luajnë arritjet e sukseset, apo çfarë njihen botërisht si të tilla, në lumturinë tonë. A janë vërtet këto që na bëjnë të ndihemi të lumtur? Apo ndoshta janë gjërat e vogla: një falënderim, një buzëqeshje e ngrohtë, përqafimi i fëmijëve, mbështetja e partnerit… Ndoshta të tjerat janë thjesht një stoli e bukur, antike, por e rëndë, shumë e rëndë. Kush e ka, e mban me krenari, me xhelozi, por kur nuk e kemi, kur fati na bën ta humbim, ndihemi më të lehtë, më të lirë, më vetvetja.

Kritika
“Indeksi mesatar i lumturisë” është një libër i shkëlqyer, që përballet me tematika të rëndësishme të aktualitetit, në mënyrë origjinale, duke na shtyrë drejt reflektimit; megjithëse është dramatik, di ta bëjë lexuesin të buzëqeshë, falë stilit të gjallë dhe perspektivës shpresëplotë, por realiste të protagonistit.
– Libri e cultura
Një nga karakteristikat më tërheqëse të romanit është satira që bëhet me fiksimin tonë të përbashkët me statistikat dhe se si përdoren ato nga ekonomistët e politikanët, për të përcaktuar nivelin e lumturisë. Është një qasje thellësisht antiteknokratike… Jo se numrat nuk kanë rëndësi. Kanë. Por shpesh, siç sugjeron Machado, duket se harrojmë historitë njerëzore që fshihen pas tyre. –
Euractiv.com
Prekës, realist, shpresëdhënës dhe herë-herë frymëzues, “Indeksi mesatar i lumturisë” duhet të lexohet nga ata që kanë nevojë për një ngritje morali letrare. – Star2.com

Danieli është një nga ata që i stërhollojnë gjërat me mijëra pyetje, para se të bëjnë çfarëdolloj veprimi. Kjo është ajo që e bën libri të mrekullueshëm dhe shumë të këndshëm, paçka vështirësisë dhe pandjeshmërisë së një epoke. Çështja e solidariteti zë gjithë pjesën e fundit të romanit […] Nuk përbën ndonjë risi të bujshme natyrisht, por në këtë botë të koklavitur, të copëzuar dhe brutale, kërkimi i lumturisë mbetet një kërkim themelor te qeniet njerëzore siç jemi ne.
– SensCritique.com
“Dramatik, realist, herë-herë i hareshëm: ky është një roman mbi shpresën, një rrëfim që na mëson shumë mbi veten tonë. “ Maria do Rosário Pedreira

Autori David Machado (1978) është shkrimtar portugez. Ai ka lindur në Lisbonë dhe ka studiuar ekonomi në ISEG Lisbon, para se të bëhej shkrimtar me kohë të plotë. Fillimisht, Machado u bë i njohur në letërsinë për fëmijë. Dy prej librave të tij fituan çmime letrare kombëtare të rëndësishme (Branquinho da Fonseca Prize në 2005, dhe SPA/RTP Author Prize në 2010). Më pas, ai shkroi dhe botoi disa romane dhe tregime për të rritur. Në vitin 2015, fitoi Çmimin Europian të Letërsisë me romanin “Indeksi mesatar i lumturisë”.

Fragmente nga libri
1) …lumturia nuk mund të jetë kurrë përmbyllje. Po e mendove lumturinë si qëllimin final, mund edhe të marrosesh brenda pak kohësh.
2) Qëkur na qenka e pranueshme heqja dorë nga kjo botë? Ne ishim më të mirë se këta dhe kishim një fuqi të madhe shpirtërore, madje edhe aspekti fizik nuk mund të na e thyente vullnetin. Shiko si jemi tani. Nuk është fjala që secili të luftojë për veten e vet. Problemi qëndron në faktin se sa janë ata që nuk luftojnë fare.
3) Kisha besim të madh te puna, tek ajo që njeriu mund të arrijë me muskujt dhe idetë e tij. Ndryshimet e mia në ato që pata shkruar kishin të bënin me ndryshimet që pësoja unë, me ndryshimin e ideve dhe ambicieve të mia, ose më së paku i përshtateshin ndryshimeve të botës përreth. … Pyetja që më lind është vetëm kjo: kur ndryshoi bota kaq shumë sa unë të humbisja aftësinë për t’iu përshtatur, ndërsa Plani të mos kishte më asnjë kuptim?
4) Ishim mësuar ta vlerësonim njeriun nga profesioni që bënte, ndaj kur mbetej pa punë sikur nuk dukej më i njëjti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.