Rajoni

Problemi i emrit të Maqedonisë, Hahn: Zgjidhet për 15 ditë

19:56 - 24.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komisionari për Zgjerim dhe Politikë Fqinjësore,  Johanes Hahn, është shprehur sot optimist lidhur me kontestin mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin, duke thënë se mund të zgjidhet në 15 ditët e ardhshme.




Në fjalimin e tij përpara Komitetit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Europian, Hahn tha gjithashtu se vendi e ka kaluar krizën e thellë politike dhe ka shënuar përparim në zbatimin e reformave dhe ruajtjen e marrëdhënieve ndërfqinjësore.

“Unë jam optimist se në dy javët e ardhshme do të kemi zgjidhje. Të paktën zgjidhja e cila do të hapte rrugën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë. Mendoj se të gjithë pajtohen se kjo do të jetë në të mirë të vendit, për shoqërinë dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe nga Hahn, kryeministri maqedonas Zaev nuk beson se kontesti i emrit mund të gjejë zgjidhje në 15 ditët e ardhshme.

“Komesari Johanes Hahn është mik i madh i Maqedonisë. Dashtë Zoti të ketë ndonjë informatë që për dy javë do të përfundojë. Unë do të doja diçka të tillë, sinqerisht. Por besoj se jo. Sepse nesër kemi takimin e radhës të dy ministrave për Punë të Jashtme, e di përafërsisht si do të bisedohet dhe deri ku presim të përfundojmë. Përgjithësisht pres të bëjmë përpjekje maksimale deri në vendimin e Këshillit të Evropës, sepse jemi të sigurt se nëse do të kemi zgjidhje deri atëherë, me të vërtetë do të marrim garancitë më të fuqishme se do të marrim datë për negociata. Dijeni se automatikisht do të marrim ftesë për NATO”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Zaev i bëri këto komente në konferencën e përbashkët me ish sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Xhorxh Robertson, i cili tha se inkurajon bisedimet midis palëve, në mënyrë që të arrihet zgjidhja e kontestit shumëvjeçar.

“Nuk është qëllimi im të intervenoj, ju e dini se çfarë janë çështjet dhe çfarë ju nevojitet të arrini aty ku dëshironi. Do të varet nga vetë Maqedonia, liderët, qeveria, kryeministri, opozita, presidenti dhe vetë qytetarët. Gjithçka që do t’u kërkoja njerëzve është të mendojnë për të ardhmen. Mendoj se disa prej çështjeve me të cilat duhet të përballet Maqedonia, Greqia dhe fqinjët kërkojnë të shikoni në të ardhmen dhe se si gjeneratat e ardhshme kërkojnë nga ne të votojmë dhe të veprojmë sot”, u shpreh Robertson.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.