AKTUALITET

Ish-këshilltari i Dritan Priftit i zhdukur prej 8 vitesh, gruaja kërkon të shpallet i vdekur

17:55 - 25.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur kanë kaluar më shumë se 8 vite nga zhdukja e tij pa lënë asnjë gjurmë, Eduart Belegu, njeriu i besuar i dy ish-ministrave të Ekonomisë, Dritan Prifti dhe Genc Ruli, kërkohet të shpallet i vdekur.




Kërkesa e drejtpërdrejtë vjen nga bashkëshortja e tij, Ilirjana Belegu, nënë e tre fëmijëve, e cila ka dërguar kërkesën e saj për bashkëshortin e zhdukur.

“Shtetasja Ilirjana Belegu, e datëlindjes 2.7.1969, kërkon pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor. Tiranë, shpalljen të vdekur të shtetasit Eduart Belegu, i datëlindjes 21.2.1963.” thuhet në njoftimin botuar në Fletoren Zyrtare.

Belegu, ish-këshilltari i Ministrisë së Ekonomisë, i arrestuar me bujë dhe i zhdukur në rrethana tepër të paqarta, rezultonte person i zhdukur me vendim gjykate, që prej vitit 2014.

Por tashmë, me kërkesë të bashkëshortes pritet që ish-zyrtari i lartë të shpallet person i vdekur. Familjarët e tij nuk kanë asnjë informacion nga ai që prej muajit mars të vitit 2010.

Belegu, ish-administrator i kompanisë së minierave “Darfo” dhe ish-këshilltar i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti u zhduk në mars të vitit 2010, një muaj pas lirimit të tij nga qelia ku u mbajt për akuzën e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën.

Belegu që u arrestua teksa mbante detyrën e këshilltarit të ministrit të Ekonomisë, u pa për herë të fundit në zonën pranë Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, pranë ish-fushës së aviacionit në Tiranë.

Ditën e zhdukjes, Belegu kishte planifikuar një takim me një biznesmen për një punë borxhi, por pas takimit u zhduk në mënyrë të befasishme. Ai kishte shkuar me automjetin e tij tip “Range Rover” pranë vendit të takimit dhe pasi kishte përfunduar bisedën, dyshohet të jetë rrëmbyer nga katër persona të panjohur.

Të paktën ky është versioni që jep dëshmitari okular në këtë ngjarje, ai që pa për herë të fundit Eduard Belegun. Por nga hetimet nuk u zbulua asgjë.

Të dyshimta janë edhe mesazhet e fundit të dërguara prej tij:

“Po më shqetësojnë prapë për ato problemet e vjetra”, “…mendoj të largohem disa ditë…”, janë dy mesazhet misterioze të Eduart Belegut që nuk kanë mundur të deshifrohen nga policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, që prej zhdukjes së tij më 23 mars 2010.

Këto mesazhe janë dërguar në adresë të vëllait të Belegut, Gëzim Belegu. Ky i fundit pasi është njohur me tekstin, është munduar të lidhet me të vëllanë, ndërsa telefoni i Belegut, rezultonte i mbyllur.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.