KULTURË

Aktorët mësyjnë bashkinë kundër vendimit për teatrin: Nuk do hedhim molotov…

11:00 - 26.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një grup artistësh përfaqësues, të cilët prej dy muajsh kanë protestuar kundër shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit aty me PPP të një godine për teatrin, do të jenë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Shkak për këtë bëhet një projektvendim që sipas artistëve i hap rrugë dhënies së truallit të teatrit për përdorim privatit.
“Anëtarë të SASE! Nesër (sot) në ora 12, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Tiranë votohet projektvendimi për kalimin e trojeve në varësi të bashkisë, privatëve që duan të ndërtojnë me PPP. Ndër to, është edhe terreni i Teatrit Kombëtar. Ky është hap konkret për shembjen e TK. Ata që duan të jenë në sallë, të na kontaktojnë. Të tjerët le të qëndrojnë poshtë bashkisë në shenjë solidariteti. Ftoni kë të mundni!”. Ka qenë ky njoftimi i djeshëm i Sindikatës së Artistëve të Artit dhe Skenës për kolegët.
Meqenëse emrat duheshin dorëzuar në bashki deri në orën 18:00 të ditës së djeshme, bashkë me një fotokopje të kartës së identitetit, jo të gjithë artistët kanë mundur të regjistrohen për të ndjekur mbledhjen në sallë. Emrat që do jenë të pranishëm janë: Kastriot Çipi, Naun Shundi, Robert Budina, Arben Derhemi, Ervin Bejleri, Andi Tepelena, Alida Karakushi, Rajmonda Shundi e Taulanta Dushku. Të tjerët, që dje nuk kishin mundësi të regjistroheshin, do të qëndrojnë jashtë bashkisë për të mbështetur kolegët që do të jenë brenda dhe për të kundërshtuar me praninë e tyre, dhënien e truallit të teatrit, privatit.
Të pyetur nga “GSH” nëse do të shkaktojnë trazira brenda bashkisë gjatë mbledhjes, artistët thanë dje se, “do shikojmë mbledhjen, por nuk do hedhim gaz lotsjellës, as molotov”.
PROJEKTVENDIMI
Prej ditësh qarkullon lajmi se Bashkia e Tiranës do t’ua japë pronat e saj për zhvillim bizneseve private, sipas modelit të Partneritetit Publik-Privat. Nëpërmjet këtij modeli të zhvillimit të pronave të saj, bashkia thotë se synon që të përfitojë sipërfaqe ndërtimore, për programe sociale dhe ambiente për nevojat e saj. Në mbledhjen e saj të ditës së enjte, bashkia pritet të shqyrtojë vendimin “Për përcaktimin e procedurës dhe negocimin me zhvilluesit privatë që shprehin interesin që të bashkëpunojnë me Bashkinë e Tiranës, nëpërmjet marrëveshjeje të sipërmarrjes/shkëmbimit për pronat në pronësi të saj. Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin, “Struktura urbane e qytetit trashëgon pronësi të tipologjisë urbane historike, të përbërë nga shtëpiza individuale dhe të bashkëlidhura, të vendosura në parcela të çrregullta, të vogla dhe me shumë rrugica aksesi dhe kalimesh këmbësorësh me pronësi publike. Mospërfshirja e parcelave publike të këtij tipi dhe të ngjashme, në zhvillim vështirëson projektimin urban si dhe cenon zhvillimin e një gjuhe urbane të rregullt, nëpërmjet të cilës të mund të projektohen hapësira publike dhe rekreative të domosdoshme për komunitetin. Në kontekstin e planifikimit dhe projektimit është një kusht i domosdoshëm zhvillimi i parcelave publike për transformimin e kryeqytetit në një qytet cilësor dhe të qëndrueshëm bashkëkohor. “Përfshirja e parcelave publike në zhvillim është një potencial i pashfrytëzuar ekonomik për Bashkinë e Tiranës, e cila jo vetëm do të mundësojë përmirësimin e transformimit urban të kryeqytetit, por do të kontribuojë drejtpërdrejt në përfitimin ekonomik të Bashkisë Tiranë nga zhvillimi i aseteve të pashfrytëzuara dhe të papërdorshme në mënyra të tjera, përfitime të tilla si në sipërfaqe ndërtimi, minimalisht në të njëjtën trajtë dhe mënyrë, si dhe përfitimet që do të jenë nga pronarët e parcelave private kufitare, të dhëna për zhvillim”, thuhet në relacion. Projektvendimi shënon se “aset i paluajtshëm i Bashkisë Tiranë është çdo pronë e paluajtshme në pronësi të Bashkisë Tiranë apo çdo pronë e paluajtshme e transferuar nga pushteti qendror dhe pjesë e listave të inventarit sipas parashikimeve të ligjit nr. 8744”.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.