AKTUALITET

Duart e lidhura dhe leckë në gojë, si tentuan ta përdhunojnë tre të rinjtë 13-vjeçaren

10:00 - 16.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ervis Kuçi – Një 13-vjeçare nga Fieri është marrë peng në oborrin e banesës së saj dhe është tentuar të përdhunohet nga tre të rinj. E mitura ishte nisur për të parë televizor tek shtëpia e xhaxhait, kur një bashkëfshatar i saj dhe dy shokët e këtij të fundit e kanë rrëmbyer dhe më pas e kanë çuar në një shtëpi të braktisur, ku kanë tentuar që të kryejnë marrëdhënie seksuale me dhunë.




Ka qenë nëna e 13-vjeçares, e cila ka shpëtuar të bijën nga duart e pengmarrësve. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit dje bënë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Arapaj të Roskovecit. Pas denoncimit të prindërve të 13-vjeçares, blutë arrestuan tre agresorët. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Jorges Dosti, banues në fshatin Arapaj; 22-vjeçarin Redion Tereziu dhe 24-vjeçarin Marjus Çalamani nga fshatin Vlosh të Roskovecit. Sipas policisë, arrestimi i këtyre shtetasve u bë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë forcërisht të miturën dhe kanë tentuar që ta përdhunojnë në një banesë të pabanuar, por nuk kanë mundur. Materialet në ngarkim të tre agresorëve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “Marrëdhënie seksuale me të mitur” e mbetur në tentativë. Pas ngjarjes kanë reaguar ashpër prindërit e vajzës. Ata deklaruan për “Gazeta Shqiptare” se vajzën e gjetën të lidhur dhe në gjendje shoku. “Ata që më bënë me njollë çupën të varen në litar”, u shpreh nëna e të miturës, Manushaqe Lushka.

NGJARJA

Familja Lushka nga fshati Arapaj jeton në kushte të vështira ekonomike. Ata nuk kanë televizor, ndaj vajza e tyre 13-vjeçare shkonte për çdo mbrëmje tek shtëpia e xhaxhait të saj në këtë fshat. Rreth orës 21:00 të së hënës ajo ka dalë nga shtëpia e saj, por është rrëmbyer nga tre të rinj. Njëri nga pengmarrësit është Jorges Dosti, i cili mësohet se kishte njohje me familjen Lushka. Madje, ai shkonte shpesh në shtëpinë e vajzës së mitur dhe kjo e fundit shkonte tek shtëpia në ndërtim e familjes Dosti, me porosi të nënës së djalit për të vaditur lulet. Sipas policisë, të rinjtë e kanë marrë forcërisht 13-vjeçaren dhe e kanë çuar tek banesa e Dostit. Pasi e kanë lidhur, ata kanë tentuar që ta përdhunojnë. Ndonëse e dinte se e bija ishte nisur për tek xhaxhai i saj, Manushaqe Lushka nga meraku ka pyetur këtë të fundit nëse ishte atje.

Sapo ka mësuar se vajza nuk ndodhej tek kunati, Manushaqja e tronditur ka nisur të kërkojë vajzën nëpër fshat. Në një moment ajo ka parë një djalë duke bërë roje te banesa në ndërtim e sipër dhe ka shkuar atje. E ndërsa, rrëmbyesit janë larguar me vrap, Lushka ka gjetur vajzën në gjendje shoku. Aty ka shkuar edhe bashkëshorti i saj invalid, i cili është tronditur kur ka parë të bijën me duar të lidhura dhe me një shuk lecke në gojë.

DËSHMIA E PRINDËRVE

“Jemi tejet të tronditur nga ajo që ndodhi. Ata që më bënë me njollë çupën, të varen në litar. Vajza do ikte të shikonte televizor tek xhaxhai si gjithmonë. Atë e kanë kapur, e kanë marrë zvarrë. Autorët i pashë që dolën nga dritarja e banesës që është në ndërtim e sipër. Matanë rrugës është kjo shtëpia e papërfunduar ende dhe shkuam aty me burrin. Vajzën e gjeta të lidhur me litar”, u shpreh mes lotësh nëna e 13-vjeçares, Manushaqe Lushka.

Ndërsa, bashkëshorti i saj tha: “Mora vesh që nuk ishte çupa në dhomë. Vajzën e gjeti gruaja tek banesa që po ndërtohet atje poshtë. Ishte e lidhur, do ta përdhunonin. Kur u afrova unë, ata ikën me vrap nga dritarja, ishin tre. Vajza ishte e lidhur nga duart, këmbët jo. E kishin lidhur në fyt dhe i kishin futur një leckë në gojë. Erdhi policia, na mori edhe ne me vete”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.