AKTUALITET

27-vjeçari u gjet i vdekur në paraburgim, gruaja: Kishte shenja gjilpërash në trup. Ku të mbytem me 3 fëmijët?

10:16 - 20.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

KORÇË  – Tre ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në qelitë e paraburgimit të Komisariatit të Korçës, ku u gjet i pajetë 27-vjeçari Enea Ftoj, bashkëshortja e tij ka kallëzuar penalisht tre policë, të cilët sipas saj kanë dhunuar deri në vdekje të shoqin. Nëna e tre fëmijëve deklaroi për “News 24″ dhe “Gazeta Shqiptare” se përveç shenjave të dhunës, në trupin e të shoqit kishte edhe shenja gjilpërash. Ndonëse prokuroria ka nisur hetimet për ngjarjen në fjalë, ende nuk është asnjë masë administrative ndaj tre efektivëve. Në shtëpinë e marrë me qira, familjarët e Enea Ftojt presin ngushëllime sipas traditës. 27-vjeçari u përcoll me protestë pasditen e së premtes për në banesën e fundit, duke lënë në mjerim bashkëshorten dhe tri vajza të mitura, 6, 5 dhe 1 vjeçe.




E papunë dhe pa profesion, bashkëshortja 21-vjeçare e Ftojt, Entela, tha dje se asistenca prej 2.500 lekë të reja nuk mjafton as për qiranë e apartamentit. Ndërkaq, mësohet se policia ka identifikuar efektivët që hynë në qelinë ku mbahej Enea Ftoj në komisariatin e Korçës. Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) që po heton vdekjen e të arrestuarit ka marrë kamerat e sigurisë që ndodhen vetëm në korridoret e komisariatit. Aty duken policët që kanë hyrë e kanë dalë nga qelia, ndërsa në dhomën e izolimit nuk ka kamera sigurie.

Emrat e policëve të dyshuar për ushtrim dhune nuk bëhen me dije. Enea Ftoj ishte arrestuar për akuzën e vjedhjes me dhunë dhe sipas informacioneve ishte edhe përdorues i lëndëve narkotike. 27-vjeçari i kishte rrëmbyer varësen një gruaje në rrugë dhe policia e kishte kapur dhe mbyllur në qeli. Ai pritej të dilte para gjykatës, por familjarët atje mësuan se Enea kishte vdekur. Nga verifikimet e para, sipas burimeve, SHÇBA ka identifikuar të gjithë punonjësit e policisë, të cilët kanë qenë në detyrë ditën e mërkurë. Për rastin e rëndë SHÇBA ka bërë referimet përkatëse edhe në prokurori, ndërkohë që i është marrë kallëzim edhe bashkëshortes së të ndjerit.

DËSHMIA E GRUAS SË VIKTIMËS
“Jemi pa shtëpi, pa katandi. Ku të mbytem me tre fëmijët, ku të vete. A kam unë ta paguaj këtë qira? Nuk ia morën jetën vetëm atij. Më vranë edhe fëmijët, edhe mua”, u shpreh Entela Foi. Në Drejtorinë e Policisë së Korçës, bashkëshortja e Eneas ka bërë kallëzim për tre efektivë, të cilët i konsideron përgjegjës për dhunën dhe keqtrajtimin e 27-vjeçarit gjatë tri ditëve të qëndrimit në komisariat. “Për Alqin, Kreshnikun dhe Gurin, që ai i bënte gjilpërat. Guri është shefi i dhomave të sigurisë atje. Dy të tjerët janë policë dhe më kanë rrahur burrin ditën që e arrestuan në pazarin e Korçës. Ai përveç shenjave të të rrahurës, kishte edhe tri shenja gjilpërash”.

Prokuroria e Korçës thotë se po vijon hetimet për rastin dhe është në pritje të përgjigjeve të ekspertizës mjeko-ligjore dhe ekspertimit të pamjeve të kamerave të sekuestruara në komisariat. Edhe pse rastet e dhunës në komisariatin e Korçës janë të përsëritura, ndaj efektivëve përgjegjës për episodet e dhunës ndaj të shoqëruarve nuk është marrë asnjë masë administrative nga Drejtoria e Policisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.