OPINION

Çelja e negociatave dhe zhurmënaja ‘Xhafaj’

07:40 - 20.05.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur në mars 2005 Komisioni Evropian, qeveria e BE-së, i rekomandoi Parlamentit të Bashkimit Evropian të miratonte hapjen e negociatave për Kroacinë, parlamenti i këtij vendi u mblodh posaçërisht dhe të gjitha partitë politike dolën me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të integrimit të vendit. Në tetor 2005, Parlamenti i BE-së miratoi hapjen e negociatave dhe rasti i Kroacisë përmendet si shembulli më i suksesshëm i përshpejtimit të integrimit të plotë të një vendi në Bashkimin Evropian. Një deklaratë e tillë i mungoi Shqipërisë pas 17 prillit, datës kur po Komisioni Evropian i rekomandoi Parlamentit të Bashkimit Evropian të çelte bisedimet e anëtarësimit me vendin tonë.




Në të kundërt, veprimi ndërkombëtar i opozitës kryesore të vendit po synon diskretitimin e qeverisjes së sotme, për të paraqitur pas datës 28 qershor 2018, në rast se Parlamenti Evropian e shtyn çeljen e negociatave nga mungesa e miratimit të njëzëshëm të 27 parlamenteve të vendeve anëtare, si dështim spektakolar të qeverisë së narkotrafikut tek ne. Në këtë mulli hyn edhe e ashtuquajtura “aferë (punë e pistë)” e ndërhyrjes së ministrit të Brendshëm të sotëm në mbrojtje të vëllait të tij të dënuar në Itali. Dëgjova shpjegimet e këtij ministri në konferencën për shtyp të disa ditëve më parë.

Për mua si qytetar, Fatmir Xhafaj e meriton të qëndrojë në detyrë. Pse? Sepse nuk ka shkelur ligjin. Edhe po të kishte ndërhyrë (gjë që nuk e ka bërë) në përcaktimin e nenit 491 të Kodit të Procedurës Penale, rregullim që mbron qytetarët shqiptarë që dënohen në mungesë në shtete të tjera, në bazë të nenit 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, vetëm do të kishte vepruar në dobi të qytetarëve të këtij vendi. Gjithçka tjetër, në mungesë të akuzave të forta për shkelje të ligjit, është zhurmënajë, fjalnajë dhe baltëhedhje që na prish shumë punë në këtë moment vendimtar për të na dhënë tani çeljen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në më 28 qershor 2018. Ndryshe do të vonohemi gjatë, ndoshta një vit apo dy, për arsye se shumë vende anëtare të BE-së dhe parlamentarë të tyre janë dyshues dhe mendojnë se Shqipëria është pak, në mos fare e përgatitur për të hyrë gradualisht në familjen e madhe evropiane. I tillë vend me mjaft parlamentarë të tillë është Holanda, por edhe në Francë ka mosbesim të theksuar.

Një vullnet i përbashkët politik për t’i bërë mirë Shqipërisë, i shprehur me një rezolutë të të tria partive parlamentare tek ne në mbështetje të hapave integrues të vendit, do të ndihmonte jo pak në fashitjen e mosbesimeve. Por kjo nuk po ndodh. Në të kundërt, baltosja dhe fjalnaja është shtuar. Në një bisedë që pata me një drejtues të një institucioni kryesor kushtetues, ai ishte i mendimit se opozita me rastin ‘Xhafaj’ nuk po tregon mprehtësi dhe largpamësi. “Ministri Xhafaj është një shtetar me integritet dhe prania e tij në qeveri kushtëzon dhe frenon çdo vullnet epror për të shkelur ligjet. Ky ministër ishte nga ata të paktë që kishte kurajën të thoshte ‘Jo’ kur prekeshin interesat e qytetarëve. Ne kemi nevojë si ajri që thithim për institucione të forta dhe për drejtues që të dinë t’i thonë ‘Jo’ kryeministrit atëherë kur duhet, duke marrë përsipër edhe kosto, sidomos në fusha si drejtësia, rendi publik, financat publike, strategji afatgjata ekonomike etj.”, u shpreh ky drejtues.

Zëvendësimi i zotit Xhafaj me ata që kanë vendosur shishen e qumështit në radhë do ta bëjë edhe më autokratike në vendimmarrje qeverinë. Shtyrja nga Parlamenti Evropian i bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në një datë të mëvonshme nuk do të ishte një triumf i opozitës sonë ndaj kësaj qeverie, ndryshe nga sa kjo opozitë dritëshkurtër e sotme rreket të besojë, por humbje e fortë në kohë e qytetarëve shqiptarë. Dikush mund të thotë “E ç’humbim nëse ende rrimë larg kësaj Evrope plakë dhe të lodhur?”. Humbim shumë, pse Polonia dyfishoi prodhimin për banor të saj nga vitit 2004 kur hyri në Bashkimin Evropian, nga 5.5 mijë euro për banor në 11.2 mijë euro që është sot.  Dhe humbje të tilla mund të përkthehen lehtë në garat e ardhshme zgjedhore edhe me bjerrje të forta votash, për partitë që shpikën ose rritën lartësinë e pengesave për integrimin tonë evropian.

 

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. sa geq esht kur behesh gur qenefi o qoqolli,aty ulen kriminelet dhe dhjejn pastaj.mbroje mbroje se kokaina po te del nga hundet ty rames e xhafes.

    Përgjigju ↓