KULTURË

Edi Hila: Porosia e Kuvendit Popullor, veprat e ndaluara e iluzioni i lirisë

11:40 - 24.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Piktura ime bashkë me atë të Edison Gjergos “Epika e yjeve të mëngjesit” kanë qenë të mbyllura në një dhomë të errët, ndërsa çelësat i mbante Ministria e Arsimit.
Vepra që shënjoi në dy mënyra kundërthënëse karrierën e jetën e Edi Hilës, qëndron pas shpinës së tij në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërsa ai, bën këtë rrëfim. “Mbjellja e pemëve” e realizuar në fillimin e viteve 1970 do ta dallonte nga të tjerët, e njëherit, do të ndërpriste atë që do të duhej të ishte rrjedha e karrierës së tij. I gënjyer nga iluzioni i lirisë që kishte mbështjellë atëkohë Tiranën komuniste, 28-vjeçari i la penelat të lirë të dilnin jashtë kuadrateve të realizmit socialist.
Ndonëse të porositura nga Kuvendi Popullor, çka qe normale për krijimtarinë e kohës, ideja e një hapjeje me botën, nxiti dëshirën për të shtënë në vepra më shumë se kanonet e doktrinës e ideologjisë, frymën e vetë krijuesit autor. Për Hilën, që e pikturoi “Mbjelljen e pemëve” në vetëm dy javë, vepra është mjaft e gëzuar edhe optimiste. Por evidentimi i emrit të tij në qarqet intelektuale të kohës, e lakimi kaq shumë në media i një artisti të ri, dukej sikur linte në hije, të afirmuarit me tituj “Artist Populli”. Vala e suksesit, duket se nuk u pëlqye nga hijerëndët që nxituan të numëronin ‘ligjësitë’ e shkelura të realizmit socialist. Si fillim, kritikuan studentët. Me fraza mes parullave e fletërrufeve, u tha se kultura po largohej nga vlerat e artit dhe traditës kombëtare, ndërsa ‘gjetën’ se në vepra si e Hilës, po bëhej i pranishëm arti perëndimor e formalist. Ajo çka për Hilën dukej optimiste, lexohej si formaliste. E gjithsesi, optimizmi i artistit, nuk ishte një optimizëm revolucionar. “Në këtë pikëpamje kjo nuk plotësonte këtë kërkesë”, thotë sot Hila, duke rrudhur buzët. “Mbjella e pemëve” dhe dekori i Festivalit të 11-të, që mbante firmën e tij, po aq sa e plotësuan portretin e tij si artist, njollosën imazhin e tij duke i vënë damkën antisistem. Ndërsa vepra u ngujua, artisti u dërgua për riedukim. Nis që këtu, ekspozita e tij retrospektivë “EDI HILA, PIKTOR I TRANSFORMIMIT”. Gjithë jeta e tij artistike, dëshmi të kohëve që la pas, duke tërhequr veten zvarrë nga diktatura në liri, e mandej shpërbërja e rrekja e një shteti për t’u ribërë, dëshmohet në veprat e tij. Hila i ngjan një kronikani të pafjalë, që rikrijon realitetet me penelat që dikur ia thyen. Dikur, kur e dërguan të riedukohej me parimet e marksizëm-leninizmit, pasi kish treguar ‘pabesi’ ndaj ideologjisë e Republikës Popullore.





PENELAT E THYER
Ai u dërgua në pulari, mandej në dekorin e qytetit. Prej kohës që “korrektohej”, ai ruan ende një seri vizatimesh. “I vija vizatimet në një dosje dhe i ruaja në Durrës për vite me radhë. Shumë vonë janë prezantuar”. Mes veprave të ekspozuara në GKA, gjenden disa seri, sikundër i pëlqen atij të krijojë. Përkrah, janë “Dekori i qytetit”, “Gazetarët në atë kohë”, “Operativi i lagjes” (spiuni), “Parullat e festës së 1-majit”, “Gratë në pulari” etj. Është po aty, jeta e tij. “Në të gjitha rastet në diktaturë mendohet se ka vetëm ngjyrë të zezë. Mendoj se ka një lloj çlirimi nga kjo në pikturën time. Në të është jeta ime në atë kohë, te uji i Ftohtë në Vlorë ku shkonim për t’u larë, një moment në Himarë, gruaja që merret me vjeljen e rrushit. Ka, edhe moment qetësie. Kam pikturuar veten, djalin e vogël edhe time shoqe, që jemi të zhveshur, sepse jemi të pambrojtur. Ishin shprehi të presionit të jetës atëherë”. 46 vite më pas kur Hila është 74 vjeç, nuk pranon të ketë bërë kompromise. “Nuk e kam pikturuar asnjëherë Enver Hoxhën, sepse nuk kam mundur”. Megjithëkëtë, ndjehet i zhgënjyer. “Kam qenë i dënuar, por nuk pati një moment që të mendohej, të më bëhej një retrospektivë, me punët që kam bërë gjithë jetën. U desh që të shkoj në Documenta, të vijnë kuratorët në Tiranë, të shikojnë studion time, të binden që unë vlej. Nga Documenta, më pikasën për në Muzeun e Varshavës, që investon për t’i bërë një ekspozitë një artisti shqiptar jo vetëm atje, por edhe në vendin e vet”.
PENELAT E DHEMBJES
Preket, vetëm kur flet për portretin e nënës. “Është portreti i nënës sime, e cila ishte në momentet e fundit, kur ishte e sëmurë. Kuptohet që qasja e kohës bashkëkohore është pikërisht ky çast: një grua plakë, që nuk lëviz dot e që të vetmin moment kur del e ikën- është ekrani i televizorit. Kjo, për mua, ishte shumë e dhimbshme. Sa më shumë kalon mosha, kuptoj se të gjithë do të shkojmë drejt asaj, të gjithë përqendrohemi tek ekrani i televizorit. Është portret shumë i dashur për mua”. Mes penelave të dhembjes është edhe drama e madhe e “Emigracionit” shqiptar. “Një situatë e tmerrshme, që akoma edhe sot e kësaj dite nuk ka përfunduar me efektet e veta në ndryshimet sociale edhe politike në Shqipëri, që dha tension jetën, e prishi një ekuilibër të vendosur vite me radhë në jetën tonë”.
PENELA TË TRISHTË
Seria “Pent house” me të cilën ka marrë pjesë në Bienalen e Arkitekturës duke përfaqësuar Shqipërinë qe pritur me shumë diskutime. Është ngushtësisht e lidhur me realitetin shqiptar, me idenë e protagonizmit të ri dhe është e lidhur ngushtë me elementë të frikës, izolimit e përpjekje së njerëzve për t’u shkëputur nga realiteti. “Fakti që çdo gjë zhvillohet në katin e fundit është një prirje, tendencë, që ka udhëhequr estetikën e të jetuarit të një kategorie njerëzish pasanikë që patën mundësinë të ndërtojnë dhe jetojnë ndryshe nga të tjerët. Në aspektin formal këtu është marrë për bazë kulla e malësisë edhe pjesa e sipërme e shfrytëzon shumë elementët e një arkitekture bashkëkohore, të ditës, të kohës, që vjen jo përmes arkitektëve kryesisht, por përmes shijeve edhe rastësive që përcjellin më shumë inxhinierët e ndërtimit, njerëzit që shohin më shumë tek njëri-tjetri”,-tha Hila. Janë shtatë tablo të ndryshme që flasin më shumë me pjesën e sipërme, sepse atje ka një zhvillim më të afërt edhe më direkt në lidhje me arkitekturën sot.
Mes të tjerash, është edh e “Përmbytja e Bunës” në Dajç. Hila tha se atëkohë ka fotografuar shumë e më pas ndaloi te imazhi i çuditshëm i dy njerëzve, që kanë një revoltë, tension dhe presion psikologjik. Nuk është raport ironie, por nuk përkon me rëndesën psikologjike, sepse ndonëse duket sikur vallëzojnë, janë me këmbë në ujë, në baltë.
“Edi Hila: Piktori i Transformimit” është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë. E kuruar nga Joanna Mytkowska, Kathrin Rhomberg e Erzen Shkololli(drejtor i GKA). Transformimi i paraqitur në punën e Hilës përcjell një përçarje e sulm ndaj rregullit dhe harmonisë. Ndërkohë, rrënjët e punës së tij ndodhen në dilemat njerëzore, e këto vështirë se mund të fshihen pas shëmbëlltyrës së modernizimit. Ekspozita qëndron e hapur deri më 29 korrik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.