Sociale

Pension i parakohshëm për ushtarakët, si përllogaritet

14:50 - 24.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë ushtarakët, që kanë punuar në një prej institucioneve të përcaktuara me ligj, kanë të drejtën e përfitimit të pensionit suplementar. “Gazeta Shqiptare” publikon sot kategoritë që mund të marrin këtë lloj pagese, dokumentacionin që duhet të dorëzojnë kandidatët e interesuar si dhe jep shembuj konkretë mbi masën e përllogaritjes së pensionit suplementar. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, përfitim suplementar kanë të drejtë të marrin të gjithë ushtarakët e Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë; punonjësit e Policisë së Shtetit; ata të Gardës së Republikës, punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit si dhe ata të Policisë së Burgjeve. Gjithashtu, nga pensioni suplementar mund të përfitojnë edhe punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, ata të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm si dhe punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Kushtet e përfitimit
Sipas ligjit, ka disa lloj përfitimesh që administrohen nga ISSH-ja, e respektivisht bëhet fjalë për: pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi; pensionin suplementar të pleqërisë; pensionin suplementar të invaliditetit; si dhe për atë familjar. Kështu për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, burrat duhet të kenë mbushur moshën 47 vjeç e të kenë jo më pak se 15 vite pune, ndërsa gratë duhet të jenë mbi 42 vjeç e të kenë jo më pak se 12 vite shërbimi. Ndërkohë mund të përfitojnë pension suplementar pleqërie të gjitha kategoritë e sipërpërmendura, dhe pension suplementar invaliditeti po këto kategori që janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas Ligjit nr. 4171, “Për sigurimet shoqërore të RPSH” dhe ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në RSH”. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se kur personat e familjes në ngarkim të personave të sipërpërmendur dhe familjet e ushtarakëve që humbasin jetën në krye të detyrës e përfitojnë pension familjar, sipas ligjit kanë, gjithashtu, të drejtën e marrjes së pensionit suplementar familjar.
Dokumentacioni
Personat e interesuar duhet të paraqiten në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin dhe të pajisen me dy formate kërkese. “Një format kërkese i plotësuar paraqitet në strukturat nga ku keni ndërprerë karrierën ushtarake dhe keni dalë në rezervë/lirim apo pension pleqërie. Mbi bazë të kësaj kërkese, këto struktura dërgojnë në rrugë postare modelarin nr. 3 ‘Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese’ në strukturën rajonale të sigurimeve shoqërore, ku keni vendbanimin”, – citohet në manualin e ISSH-së. Ndërkaq, formatit tjetër të kërkesës, plotësuar në të gjitha rubrikat, i bashkëlidhet dokumentacioni përkatës dhe dorëzohet pranë ALSSH, ku individi ka vendbanimin. Por, aplikantët duhet të bëjnë kujdes, pasi data e regjistrimit të kërkesës është tepër e rëndësishme. Personi që kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim. Përveç kërkesës, të interesuarit duhet të bashkëngjitin edhe dokumentacionin përkatës. Kështu, për pension të parakohshëm, aplikanti duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit, deklaratë për punësimin (e përvitshme), vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave, vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues, vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive. Ndërsa për pensionin suplementar të pleqërisë e atë të invaliditetit, kandidati duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit.




Kriteret

a) Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
Kushtet për përfitim: – Për burra: mosha 47 vjeç dhe jo më pak se 15 vite shërbimi; – Për gra: mosha 42 vjeç dhe jo më pak se 12 vite shërbimi.
b) Pension suplementar i pleqërisë.
Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur në pikën 2 të këtij kreu, që përfitojnë pension pleqërie sipas ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore në RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.
c) Pension suplementar i invaliditetit.
Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur në pikën 2 të këtij kreu, kur janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore të RPSH” dhe ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.
d) Pensioni suplementar familjar.
Kushtet për përfitim: – Kur personat e familjes në ngarkim të personave të përmendur në pikën 2 të këtij kreu, përfitojnë pension familjar, sipas ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore në RPSH” dhe ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.
e) Pensioni suplementar familjar, për personat që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj, kushtet për përfitim: – Personat e përmendur në pikën 2 të këtij kreu, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj.

Dokumentacioni

Për pensionin të parakohshëm:
– Fotokopje e kartës së identitetit.
– Deklaratë për punësimin (e përvitshme).
– Vërtetim nga zyra e Tatim-Taksave.
– Vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues.
– Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive.
Për pensionin suplementar të pleqërisë:
– Fotokopje e kartës identitetit.
Për pensionin suplementar të invaliditetit:
– Fotokopje e kartës identitetit.
Për pensionin suplementar familjar:
– Certifikatë familjare.
– Certifikatë e vdekjes së personit.
– Fotokopje e kartës identitetit së përfituesit.
– Vërtetim për vazhdimin e shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar.
– Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.
Për pensionin suplementar familjar, kur ushtarakët humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj:
– Certifikatë familjare.
– Certifikatë e vdekjes së personit.
– Fotokopje e kartës identitetit së përfituesit.
– Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët.
– Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.

Formula për llogaritjen e pensionit suplementar të pleqërisë

Llogaritja e një pensioni suplementar të pleqërisë bëhet nëpërmjet formulës: PSP = PMRMN x VSH x 1% ku PSP është Pensioni Suplementar i Pleqërisë; PMRMN është Paga Mesatare Referuese Mujore Neto, ndërsa VSH janë vitet e shërbimit. Masa që rezulton nga kjo formulë nuk duhet të jetë më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë. Ushtaraku përfiton pension pleqërie me datë fillimi 15 shtator 2017 në masën 26,000 lekë në muaj. Ai ka 28 vite shërbimi si ushtarak dhe pagë mesatare referuese mujore neto 53,700 lekë në muaj. Llogaritja e pensionit suplementar të pleqërisë bëhet në këtë mënyrë:
PSP = 53,700 lekë x 28 vite x 1% = 15,036 lekë / muaj Por, pensioni suplementar i pleqërisë nuk duhet të jetë më i lartë se 50% e pensionit të pleqërisë që ushtaraku gëzon, në çastin e lindjes së të drejtës së pensionit suplementar. Kështu ushtaraku përfiton pension pleqërie në datën 15 shtator 2017, në masën 26,000 lekë/muaj. Në këtë rast, pensioni suplementar i pleqërisë është sa 50% e pensionit të pleqërisë, pra 13,000 lekë / muaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.