AKTUALITET

“Luarasi” zhvillon konferencën shkencore ndërkombëtare

11:34 - 25.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ditën e djeshme, Kolegji Universitar “Luarasi”, në bashkëpunim me Qendrën FAB zhvilloi konferencën ndërkombëtare shkencore në të cilën tregoi potencialin e tij si një institucion elitar i arsimit të lartë në vend. Gjatë konferencës “Dinamizmi i reformave dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, politik dhe social”, pedagogë, studiues, ekspertë të fushës së ekonomisë dhe drejtësisë diskutuan mbi dinamikat e zhvillimit të shoqërisë në aspektin ekonomik dhe shoqëror. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtues të institucioneve, akademikë e kërkues, përfshirë profesorë nga universiteti i Teksasit dhe universiteti “Aldo Moro” në Itali, të cilët bënë një prezantim të punës së tyre kërkimore dhe profesionale. Më tej ekspertët diskutuan edhe mbi problematikat e shfaqura brenda sistemit që kanë sjellë si prioritet kyç nevojën për përshtatje të legjislacionit të institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë me pritshmërinë e shoqërisë shqiptare.




Rektori i këtij institucioni elitar, prof. Dr. Ethem Ruka gjatë fjalës së tij theksoi se për “Luarasin” është tejet e rëndësishme edhe puna kërkimore, përveç detyrimeve për zhvillimin e mëtejshëm të tij. “Pedagogët dhe stafi akademik i universitetit “Luarasi” janë të angazhuar që krahas procesit mësimor, krahas detyrimeve të shumta që kanë për të zhvilluar universitetin bëjnë dhe punë kërkimore dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sot është rasti që të shpalosim disa prej kërkimeve të tyre që kanë bërë gjatë këtij viti”,-u shpreh Ruka.


Vlerësimet

Ndërkohë i pranishëm në konferencën ndërkombëtare ishte edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj i cili përmendi sukseset e reformave të kësaj qeverie dhe tha se reforma më e madhe për shqiptarët do të jetë hapja e negociatave me Bashkimin Europian. “Më lejoni ta quaj një nga reformat më të mëdha që do të provokojë reforma të pafundme në të gjitha fushat e jetës, një gamë e tërë reformash dhe ky është përfitimi i parë i vendit në raport me afrimin drejt Bashkimit Europian. Pra, nuk është ideja që ne jemi europianë se ne kemi qenë të tillë”,-u shpreh Ahmetaj.

Më tej ky i fundit i bëri ftesë të hapur drejtuesve të Luarasit për një bashkëpunim në favor të stafit akademik dhe studentëve të një prej institucioneve më të mirë në vend. “Le të bëjmë një marrëveshje mes universitetit, me qendrën tuaj shkencore të kërkimeve dhe Ministrisë së Financave me Departamentin Makrofiskal ku ju të na sfidoni me kërkimet tuaja të programuara për rezultatet e reformave”,-shtoi ministri. Një reformë e suksesshme në sistemin e drejtësisë është baza dhe themeli i një reforme të suksesshme ekonomike dhe garanci për më shumë drejtësi ekonomike dhe sociale. Kolegji Universitar “Luarasi” së shpejti do të bashkëpunojë edhe me universitetin Aldo Moro të Barit në Itali. Profesor Gaetano Dammacco, pjesëmarrës në këtë konferencë, thotë se Luarasi është një ndër universitetet më cilësore në Shqipëri.

“Një nga arsyet pse jam te “Luarasi” është për të thelluar mundësitë e bashkëpunimit dhe të këmbimit midis dy universiteteve. Herën e parë që kam ardhur te ky universitet, ishte një vend më i vogël; por aktualisht godina e sotme është shumë moderne dhe ajo që ka më shumë rëndësi është rritja e dimensionit të “Luarasit” nga një fakultet që ishte më parë, në tre të tillë. Në këtë aspekt Luarasi është një ndër universitetet më cilësore që Shqipëria disponon”,-u shpreh Dammacco.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.