BLUETOOTH

Planet për martesë? Egla Harxhi: Kur do më shihni nuse

13:35 - 26.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 Pamela Aliaj  – “Principata e Libofshës”, rrëfehet ish-misi shqiptar: Na mbështesin Kombet e Bashkuara.




«Tek Jarl gjeta jetën e mbushur me aventura e rreziqe»

 Shumica e lajmeve për të ka qenë lidhur me ‘skandalin’, i cili i dha akoma më shumë ‘famë’ figurës së saj. Ajo është ish-misi shqiptar, e cila përjetoi para pak kohësh një lidhje treshe së bashku me partnerin e saj të tanishëm dhe një modele. Ndërkohë që tashmë nënë, Egla Harxhi vjen në një rrëfim ndryshe ekskluzivisht për «Bluetooth» të «Gazeta Shqiptare» lidhur me projektet që shumë shpejt do t’i sjellë në jetë së bashku me partnerin e saj francez, Jarl. Ajo që bëri bujë në mediat ishte projekti i quajtur «Principata e Libofshës». Një vizion që do vijë në jetë dhe i mbështetur nga Kombet e Bashkuara? Gjithashtu, ish-misi ka zbuluar disa detaje edhe nga planet për martesë.

Para disa kohësh postuat në statusin tuaj një projekt që lidhej me «Principatën e Libofshës». Për çfarë bëhet fjalë më konkretisht. Kur keni në plan ta realizoni?

Puna ka nisur rreth një vit më parë dhe procesi i krijues ka ardhur në mënyrë progresive. Kur Ale shkeli për herë të parë në atë tokë në prill të vitit të kaluar, pati në mënyrë shumë spontane një vizion flash. E lashë të qetë për disa orë, duke ditur që në momente të tilla ai ka nevojë të jetë vetëm dhe të reflektojë në qetësi e më pas u kthye drejt meje dhe më tha ‘’ky është vendi’’. Megjithatë asgjë nuk avancon nëse ngelet thjesht një vizion i bukur, por ka nevojë mbrapa për njerëz të motivuar, njerëz që besojnë tek e njëjta gjë që vizioni më pas të përkthehet në vepra konkrete, në plane, strukturim të punës dhe organizimi i çdo detaji nga departamentet përkatëse. Brenda një viti, në sajë të ekipit, i cili tashmë është i përbërë nga njerëz të fushave të ndryshme në rang ndërkombëtar ky plan ka avancuar shumë. Është formuluar një biznes model dhe një biznes plan i ndarë në aksione konkrete, të cilat do të vihen në zbatim shumë shpejt. Ale ka vendosur në punë rrjetin e tij të njohjeve në sektorë të ndryshëm dhe janë një numër i madh miqsh që duan të investojnë.

Kur u fol për herë të parë mediatikisht për Principatën dhe planin e zhvillimit të saj, njerëzit menduan që çdo gjë do të fillonte të nesërmen dhe ashtu ishte, por jo në formë fizike. Nuk mund të nisësh punën e ndërtimit të çfarëdo lloj gjeje pa një proces studimi, analizimi dhe konceptesh dhe më duhet të them se ky proces është përpunuar, kthyer mbrapsht me qindra herë brenda këtij viti deri sa u arrit një rezultat i kënaqshëm.

Si keni ndërmend të arrini një gjë të tillë?

Kombet e Bashkuara kërkojnë sot nga çdo shtet, paqe, stabilitet dhe mbrojtjen e ekosistemit. Kemi mbështetjen e tyre në këtë projekt. Jarl ka bërë një punë të jashtëzakonshme për ta prezantuar këtë projekt përpara organizmave të Kombeve të Bashkuara. Gjatë një viti kemi patur një numër të konsiderueshëm njerëzish që i janë bashkuar këtij projekti.

Nuk mendojmë se një projekt i tillë mund të realizohet duke industrializuar apo sjellë ndërtime, siç janë bërë në të gjithë bregdetin ballkanik me hotele masiv, resorte dhe pallate. Duam që çdokush që e ndjen të vendosi një gur në ndërtimin e të gjithës në shkallë humane duke respektuar natyrën, duke mos ndotur, por duke dhënë dashuri në atë që bën. Vetëm duke involvuar vetë njerëzit në një sens komun ai vend do të ketë shpirt dhe çdokush nesër mund të thotë, ‘hej atë gurin atje e kam vendosur unë’. Ne jemi të angazhuar për ta realizuar këtë projekt deri në kufirin e limiteve tona – dhe për ne nuk ekzistojnë kufijtë.

A keni mbështetjen e vendasve për këtë gjë?

E gjithë komuna e Libofshës këtë vit ka përjetuar një famë si asnjëherë tjetër. Nëse më përpara askush nuk interesohej apo kujtohej për këtë zonë të Shqipërisë, këtë vit ishte zona më e përfolur në Shqipëri. Kjo i ka dhënë shprese dhe krenari banoreve, ku sot e vetmja gjë që presin është që projekti të realizohet. Secili në njëmbëdhjetë fshatrat që janë aty, vjen me aftësitë e tij dhe propozon atë që ai mund të bëjë. Mund të them që sa herë që shkon, Ale pritet me një entuziazëm të madh nga njerëzit, të cilët e shohin një mundësi të madhe për të dalë nga situata ku ndodhen, të cilën duan ta ndryshojnë një orë e më parë.

 Mund t’ju dalin pronarët e tokave kundër, dhe vetë vendi që nuk është principatë, por republikë. Si do të veproni?

Të gjithë janë të ftuar të japin kontributin e tyre për krijimin e principatës. Deri tani nuk kemi pasur asnjë problem. Në fund të fundit është në të mirën e të gjithëve dhe njerëzit e kuptojnë dhe e ndjejnë këtë. Deri dje ajo tokë nuk ka pasur asnjë vlerë se askush nuk e donte, por sot ajo e ka një vlerë. Megjithatë në këtë rast janë shumë faktorë që duhen marrë parasysh siç janë faktet historike, toka e trashëguar nga gjaku në gjak, e cila u zhduk nga komunizmi dhe u masakrua nga këto vite të tranzicionit. Mbi këtë pikë, gjithashtu, i është bërë kërkesë Kombeve të Bashkuara për ta shpallur zonë të mbrojtur, për shkak se ka specie të rralla e në zhdukje të cilat janë në listën e mbrojtjes të Kombeve të Bashkuara.

Çfarë plani ka Jarl për të realizuar këtë projekt? 
Mendoj së është më e udhës ta pyesni vetë atë pasi është ai që e ka krijuar këtë vizion dhe mund t’ju thotë në mënyrë më precize dhe të detajuar.

Tashmë jeni nënë e një engjëlli të vogël të quajtur Luxifer. A keni bërë plane për martesë?

Nuk kemi kohë as ta flasim një gjë të tillë pasi për momentin nuk është prioritet. Marrëdhënia jonë është e bazuar mbi besimin reciprok, dashurinë pakushte dhe punën në simbiozë të përditshme. Martesa është një formalitet, të cilin mund ta bëjmë ose jo në një moment të nevojshëm, por jo për t’i provuar njeri-tjetrit çfarëdolloj gjëje. I kemi dhënë njëri-tjetrit mjaftueshëm prova për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët me baza të forta aq më tepër sot, me ardhjen e Luxiferit në jetë, pasi besojmë tek të njëjtat principe. Megjithëse të jetosh me Alen nuk është e thjeshtë, pasi jeta e tij intensive për këdo do të ishte e pamundur të jetohej. Unë e kam kuptuar këtë gjë dhe nuk do i lejoja kurrë vetes që ta pengoja në çfarëdolloj gjëje që ai bën, ashtu si kundër ai nuk më pengon mua. Kur është shumë i zënë në punët e tij, me angazhimet që ka dhe kur telefoni nuk pushon së rëni gjithë ditën duke qeshur i them : «Nuk ka grua normale që do mund të duronte të jetonte gjithë jetën me ty.» Por unë vete nuk e dua normalitetin, nuk e dua konfortin dhe monotoninë apo ‘’politikisht korrekten’’. Do të mërzitesha për vdekje në një jetë të tillë. Dua të jetoj një jetë të mbushur me dinamika në kërkimin e të vërtetës, me aventura, me rreziqe, me ideale dhe të gjitha këto i kam gjetur të mishëruara tek Ale.

A do t’i ktheheni sërish modelingut? 
Modelingu nëse mund ta quajmë të tillë, për mua nuk ka qenë asnjëherë një profesion apo një thirrje në jetë. Ka qenë thjesht një periudhë kalimtare, kryesisht në një kuadër artistik dhe një eksplorim i brendshëm i imi, i sensualitetit, feminilitetit dhe sigurisë në vetvete. Sot jam angazhuar në një drejtim, dhe modelingu nuk ka më çfarë të më japë në pasurimin tim shpirtëror pasi me të nuk mund të ndërtosh asgjë. Sot përfytyroj veten pas shumë vitesh të ulur buzë detit rreth zjarrit me njerëzit që dua të them: Ju kujtohet? Këtë shtëpinë e kemi ndërtuar ne me duart tona.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.