Sociale

Vendimi, ndihmë shtetërore për punësimin e të rinjve

14:50 - 26.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Është miratuar zbatimi i planit të ndihmës shtetërore nga ana e Bashkisë së Tiranës çka synon mbështetje financiare për punësimin e të rinjve të grupeve të veçanta. Ky vendim ka marrë aprovimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ka hyrë në fuqi me botimin e tij në Fletoren Zyrtare ditën e djeshme. “Plani i ndihmës ka si objektiv punësimin e të rinjve, kryesisht të të rinjve pjesëtarë të familjeve që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike dhe grupeve të disavantazhuara, duke i mbështetur me grant të drejtpërdrejtë të planifikuar dhe të miratuar në buxhetin e Bashkisë së Tiranës, për të mundësuar integrimin e të rinjve në tregun e punës”,-thuhet në vendim. Ky plan i ndihmës shtetërore është miratuar më Vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës në vlerën 5.000.000 lekë dhe do të zbatohet në vitin 2018 dhe do të zgjasë deri në 2020-ën.
Përfituesit
Nga ky plan i ndihmës shtetërore do të përfitojnë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që ushtrojnë veprimtarinë ekonomike në territorin e Bashkisë së Tiranës e që punësojnë të rinjtë nga grupe të veçanta. Plani i ndihmës shtetërore do të zbatohet në të gjithë sektorët e ekonomisë duke synuar mbështetjen me grante për 11 deri në 50 ndërmarrje. Vlera e ndihmës për vitin 2018 është 5.000.000 lekë në formën e grantit të drejtpërdrejtë nga fondet e miratuara për Bashkinë e Tiranës. “Ligji i ndihmës shtetërore zbatohet vetëm për masat që plotësojnë të gjitha kriteret e përmendura në nenin 4, pika 1, më konkretisht: a) burime shtetërore, b) avantazhi ekonomik, c) selektiviteti; dhe d) efekti në konkurrencë dhe treg. Bashkia e Tiranës, ka njoftuar planin e ndihmës shtetërore, e cila lidhet me aktivizimin e burimeve shtetërore në formën e pagesës në nivelin e pagës minimale bruto të një numri të caktuar të të rinjve pjesëtarë të familjeve që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike dhe grupeve të disavantazhuara, me qëllim punësimin e tyre në 11 deri në 55 ndërmarrje të ndryshme në territorin e bashkisë”,-nënvizohet në Fletoren Zyrtare. Kështu, Komisioni i Ndihmës Shtetërore vendosi që të autorizojë zbatimin e planit të ndihmës shtetërore në formën e mbështetjes financiare për punësimin e të rinjve nga grupe të veçanta, të miratuar me vendimin e Këshillit Bashkiak, Tiranë. Bashkia e Tiranës në zbatimin e planit të ndihmës shtetërore, duhet: të sigurojë që punonjësit e rekrutuar nga grupet e disavantazhuara të plotësojnë vetëm vendet vakant të punës ose vendet e reja të hapura të punës; të ndalojë dhënien e ndihmës shtetërore për plotësimin e vendeve të punës që krijohen rishtas apo për zëvendësimin e punëtorëve të larguar nga ndërmarrja; të raportojë në Komisionin e Ndihmës Shtetërore ekzistencën e efektit nxitës dhe domosdoshmërinë e ndihmës. Për këtë arsye është e nevojshme që ndërmarrja përfituese duhet të paraqesë më parë një kërkesë për ndihmë shtetërore në Bashkinë e Tiranës dhe është e interesuar përpara punësimit të punëkërkuesve nga kategoritë e punonjësve të përfshirë në planin e ndihmës; të sigurojë se ndihma jepet për punësimin e personave të pafavorizuar në një ndërmarrje. Bashkia e Tiranës, brenda datës 31 mars të çdo viti, të paraqesë raport për impaktin e ndihmës shtetërore gjatë vitit paraardhës financiar. Raportet e zbatimit duhet të përmbajnë informacion të detajuar mbi shpenzimet e bëra dhe produktet e arritura.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.