OPINION

Në përpjekje, për ta quajtur protestën sukses

08:50 - 27.05.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë po vrapojnë ta lexojnë si dështim protestën e sotme, por Lulzim Basha e ka një shans ta shikojë si sukses. Ai në të vërtetë është duke kërkuar të gjejë rrugën për të ardhur në pushtet. Në shkencën e gjeologjisë, rezultati i kërkimit quhet pozitiv edhe kur nga kërkimi rezulton se nuk doli gjë. Kjo, pasi ti mbledh mendjen që në atë zonë të mos kërkosh më.




Edhe Lulzim Basha është mirë ta konsiderojë veten në një proces kërkimi, dhe jo të bëjë sikur gjoja bën opozitë. Ka gati një vit që ka humbur zgjedhjet, ditë më ditë nga data 26 maj qyshkurse paraqiti listën në KQZ, dhe ai është më shumë në panik nga humbja e karriges së PD, se sa nga nevoja për të rrëzuar Edi Ramën. Çdo lëvzije që ka bërë gjatë gjithë këtij viti nuk i ka kundër Ramës, por për të zënë hapësirën e mendimit kritik brenda PD-së.

Dhe për këtë nuk ka bërë kujdes të zgjedhë metodat. Dhuna në Kuvend dhe protesta e dhunshme në rrugë, i duket se është një mjet i fortë që prodhon zhurmë të madhe, për të mos dëgjuar zilet e vogla brenda PD-së.

Sot me aq pak njerëz që u mblodhën, Lulzim Basha duhet ta kuptojë se jo vetëm shoqërinë, por ai nuk ka bindur dot as PD-në me këtë manovër. Zhurma në parlament, bllokimi i foltoreve, fushata e përbaltjes së vendit për negociatat, dhe mbi të gjitha protagonizmi falls për të mos lejuar të dëgjohen zëra kundër tij, nuk është besuar as brenda PD-së.

Sot u pa që njerëzit e kanë konsideruar Lulzim Bashën një lloj Babaleje. Biles një Babale të poshtëruar, pasi Babales së vërtetë nuk i ka dalë akoma ekspertiza. Këtij i doli.

Dhe është koha të mos e marrë për dështim, por për sukses, meqë ka qejf ta quajë doemos sukses këtë protestë. Le ta quajë sukses dhe të heqë dorë nga ky stil opozitar, nga tërheqja në spiralen e dhunshme të Berishës, nga të bërit qesharak në Kuvend, nga inskenimet banale në Bulevard, dhe nga ekstaza që u përgjak një protestues, që u paguakërka dhe për gazetar në PD. Është më mire të gëzohet që dështoi dhe të mos e përsërisë më këtë skemë, por të ulet e të ndryshojë rrënjësisht për t’u bërë i besushëm si fillim brenda PD-së. Ky është i vetmi lider partie që qysh kur ka shkelur në atë parti, ka një ritëm rënie me progresion gjeometrik, duke shkuar poshtë e më poshtë. Më 2017, ai ishte 240 mijë vota më pak se 2013-a, kurse sot po aq të tjera në raport me 2017-n.

Dhe të gjitha vijnë nga fakti se nuk e beson njeri. Nuk e beson si politikan, nuk e beson si njeri, nuk e beson si kryetar partie, nuk e beson si ish- ministër i penalizuar, nuk e beson si kunati i Erionit, nuk e beson si vjehrri i Xhafës, nuk e beson si aleat i Mediut, nuk e beson si tutor i Gridës, por mbi të gjitha, nuk e besojnë se ai di të bëjë ndonjë gjë.

Për të vetmen gjë që e besojnë, është se ai nuk është prishur akoma me Doktorin.

Që kjo situatë të ndryshojë, Basha duhet ta quajë sukses këtë protestë dhe t’u thotë të gjithë të vetëve i gëzuar, se tani e di se çfarë nuk duhet të bëjë më. Dhe mund të fillojë të mendojë për një zgjidhje të re, nëse e ka vërtet seriozisht. Nëse do të gënjejë dhe veten, siç e ka zakon, le të vazhdojë. Fati i Edi Ramës!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.