Intervista

Rezart Xhani: Tumoret në veshka, ja cilët janë shkaktarët kryesorë

14:15 - 28.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Duhanpirja, obeziteti apo hipertensioni arterial janë tre nga shkaktarët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e tumoreve në veshka. Këto të fundit, në varësi të shkallës kur diagnostikohen, mund të çojnë deri në heqjen përfundimtare të veshkës së prekur. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku urolog në Shërbimin e Urologjisë në QSUT, Rezart Xhani tregon se mosha më e prekur është 60-70 vjeç, por nuk mungojnë rastet e shfaqjes së sëmundjes edhe në grupmosha më të reja. Më tej, mjeku thekson se në vendin tonë, ende nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin aktual të të sëmurëve, pasi mungojnë stafet multidisiplinare dhe kjo e bën shumë të vështirë ndjekjen korrekte të pacientëve.




Sa është numri i të prekurve nga tumoret e veshkave në vendin tonë?
Nuk ka të dhëna të sakta aktualisht për numrin e të sëmurëve me tumore të veshkave, për shkak se jo të gjithë të sëmurët e operuar në QSUT pas ndërhyrjes i drejtohen shërbimit të Onkologjisë, në të cilin dhe kartelizohen. Gjithashtu, nuk dihet aktualisht sa është numri i të sëmurëve me tumore të veshkave të operuar në spitalet rajonale dhe ato private në Shqipëri. Fatkeqësisht stafet multidisiplinare mungojnë dhe kjo e bën shumë të vështirë ndjekjen korrekte të këtyre pacientëve. Duhet të saktësohet me ligj zhvillimi i stafeve multidisplinare në rastet e tumoreve, në mënyrë që çdo mjek, i çfarëdo specialiteti të mos ndjejë peshën e vetmisë në vendimmarrjen për trajtimin e këtyre pacientëve.


Cilat janë shkaqet kryesore që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjes?
Tri shkaqet kryesore janë: duhanpirja, obeziteti, hipertensioni arterial. Kjo triadë e dyfishon mundësinë për shfaqjen e kësaj sëmundjeje. Ndërkohë, ka edhe faktorë gjenetikë, sepse pasja e një kushëriri të linjës së parë me tumor të veshkës është i lidhur me një rrezik të rritur të shfaqjes së tumorit.

Cila është grupmosha më e prekur?
Më shpesh preken grupmoshat 60-70 vjeç, por mund të kemi shfaqje të këtyre tumoreve edhe në grupmosha të tjera. Raporti burra/gra është 3:2.

Si kategorizohen tumoret e veshkave?
Tumoret e veshkave kategorizohen histologjikisht në karcinoma renale (RÇ-renal cell carcinoma) të cilat zënë 80-90% të të gjithë tumoreve, karcinoma papilare 10-15% dhe tumoret kromofobe 3-4% të tumoreve. Ecuria dhe përgjigja ndaj terapive të ndryshme të këtyre tumoreve është i ndryshëm.

Si paraqiten klinikisht këto tumore?
Shumë tumore renale janë pa asnjë simptomë, derisa ato progresojnë drejt stadeve të vonshme të sëmundjes. Rreth 85% e pacientëve, të cilët vijnë në konsultë për një tumor të veshkës e kanë zbuluar atë rastësisht gjatë një ekzaminimi ekografik. Triada klasike e tumoreve, dhimbje lumbare, gjak i dukshëm në urinë dhe masë abdominale e palpueshme është shumë e rrallë dhe tregon për një stad të vonshëm të sëmundjes apo histologji agresive. Disa pacientë të cilët paraqesin simptoma si dhimbje kockore apo kollë persistente janë metastatike (përhapje të sëmundjes në kocka apo mushkëri). Pacientët detyrimisht duhet t’i nënshtrohen një skaneri të toraksit dhe abdomenit me injektim material kontrasti për të saktësuar diagnozën.

Si bëhet trajtimi i sëmundjes?
Trajtimi i tumoreve është më së shumti kirurgjikal dhe në varësi të lokalizmit dhe madhësisë së tyre mund të realizohet nefrektomi (heqje e veshkës) e pjesshme apo totale.

Në cilin stad të sëmundjes paraqiten pacientët te mjeku?
Pacientët paraqiten gjithmonë e më shumë në stadet e hershme, për shkak të masivizimit të ekzaminimit ekografik. Kjo është shumë e rëndësishme, në mënyrë që tumori të ketë një shërueshmëri 100%.

Si mund të bëhet parandalimi i këtyre tumoreve?
Parandalimi i këtyre tumoreve mund të bëhet fillimisht duke ndryshuar stilin e jetesës, të ndalohet pirja e duhanit apo të kufizohet qëndrimi në ambientet ku pihet duhan, të bëhet kujdes me dietën, në mënyrë që të shmanget shfaqja e obezitetit. Gjithashtu, realizimi i ekografive abdominale që në dekadën e pestë mund të zbulojë tumore, të cilët mund të trajtohen dhe të shërohen plotësisht.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.