DOSSIER

“Ali Oseku te ‘Elektrifikimi’ me ndikim të rrymës kubiste”

13:41 - 29.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Ndër mbledhjet e shumta që u bënë në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës në fillimin e vitit 1973 pas fjalës së Enver Hoxhës, e mbajtur më 15 e 16 mars në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku si temë kryesore ishte “Lufta kundër shfaqjeve të huaja e liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në të gjithë jetën e vendit…”, edhe në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve u mbajtën një sërë mbledhjesh ku u morën në analizë puna e bërë deri në atë kohë dhe detyrat që u dilnin artistëve dhe shkrimtarëve në të ardhmen, “nën frymën fjalës së shokut Enver, të mbajtur në Plenumin e IV”. Një nga këto mbledhje të mbajtura në muajin prill të atij viti ishte dhe ajo e sektorit të arteve figurative në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës të Shqipërisë, që e kryesonte piktori Kujtim Buza, i cili ka përpiluar edhe raport-informacionin përkatës për Komitetin Qendror të PPSH-së.




Po kështu, një raport-informacion tjetër për këtë mbledhje është mbajtur nga Ksenofon Dilo, i cili në atë kohë mbante funksionin e sekretarit për artet figurative në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, raport i cili së bashku me atë të Kujtim Buzës, i janë dërguar Ramiz Alisë, me një shënim që ka bërë aty Hamit Beqja, (ndihmës i Ramiz Alisë), në sektorin e edukimit pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ajo që vihet re tek të dy raport-informacionet në fjalë është fakti se aty duket që është pasqyruar me korrektesë dhe vërtetësi gjithçka është thënë dhe folur nga pjesëmarrësit, piktorë, skulptorë, kritikë arti etj., pasi përveç kritikave apo më saktë akuzave që janë bërë ndaj Edison Gjergos, Ali Osekut e Maks Velos, të cilët siç dihet përfunduan burgjeve të regjimit komunist për vite të tëra, (këto raporte ishin dhe “lënda e parë” e baza për mbushjen e dosjeve të tyre), autorët e raporteve nuk kanë nguruar të shënojnë aty kritikat apo akuzat edhe për piktorë dhe skulptorë të tjerë, emra mjaft të njohur të arteve figurative si psh., Sali Shijaku, Muntaz Dhrami, Guri Madhi, Nexhmedin Zajmit, Jakup Keraj etj., të cilët jo vetëm që nuk patën probleme më pas, por përkundrazi ishim mjaft të vlerësuar. Po kështu, në raportin e tij Buza duket që nga pozitat konservatoriste ka sulmuar me kritika dhe akuza deri diku edhe të ashpra disa nga piktorët e njohur dhe gjithashtu kritikun e njohur të arteve figurative, Andon Kuqalin, për frymën e tij liberale në artikujt kritikë, që ai ka bërë në shtypin letrar për disa piktorë të rinj si Edi Hila, etj. Po çfarë thuhet më tej në raport-informacionin e përpiluara nga Kujtim Buza dhe kush ishin piktorët dhe skulptorët e tjerë që u kritikuan apo u akuzuan aty për ndikime moderniste e shfaqje të huaja në punimet e tyre? Lidhur me këtë na njeh dokumenti në fjalë, që publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, të cilin po e japim të plotë dhe pa asnjë shkurtim.
(vijon nga numri i kaluar)

Duke folur për influencën
e artit sovjetik, si për një art socialist e me eksperiencë që me një fazë të caktuar u bë një shembull pozitiv dhe nxitës, u theksua edhe nga ana tjetër e dobët e një importi të skematizmit dhe karakterit letraresk e të vjetruar. Në komision u vlerësuan përpjekjet e guximshme revolucionare dhe sukseset në drejtim të futjes në artin tonë të elementëve të rinj të trajtimit të figurshëm, në mënyrë që mjetet e shprehjes artistike specifike të arteve figurative, t’i përdorim për të arritur në krahasime e metafora e deri në simbole. Kështu u çmuan busti i Vojo Kushit i Odhise Paskalit që paraqet heroin më të gjitha tiparet përgjithësuese e individuale, tabloja kompozicionale e Sali Shijakut për Vojo Kushin, që ngre lart gjestin e heroit.Por, u kritikuan edhe punime, të cilat duke mos mbajtur mbi supe motive reale dhe mjete të shprehjes artistike të marra nga realiteti, arrijnë në simbole jo të vërteta e që të lejojnë të bësh interpretime të gjithfarta, por jo realiste. Kështu, “Zgjimi”, i Nestor Jonuzit, “Elektrifikimi”, i Ali Osekut etj., janë vepra që ngrihen mbi motive jo reale, realizuar me jetë të huazuara, veshur këto përmbajtjes në mënyrë eklektike dhe të jashtme.Në komision u kritikua argumentimi jo i drejtë që i bëhet koloritit si substancë apo gurit si material në realizimin e veprave të artit. Kështu kur piktori Nexhmedin Zajmi, në diskutimin që u bë në gazetën “Drita” rreth problemit të natyralizmit, thotë se: “ngjyra violet është ngjyrë e varrit”, bie në një interpretim të materialit, të substancës së shkëputur nga përmbajtja.Kritikohet gjithashtu qëndrimi konformist i këtij elementi, që në të tilla raste skuq apo ngroh tablotë deri në veleritje shumë vulgare, siç ishin për shembull disa punime në ekspozitën e 25-vjetorit të çlirimit. Rasti tjetër i efekteve piktorike jashtë temës është ai që krijonte piktori Edison Gjergo në tablonë “Pusi 542”, ku koloriti i marrë hua nuk i përgjigjet temës. Marrja e elementëve nga piktura mesjetare dhe montimi i tyre përmbajtjes së re, aktuale, është një rrugë që në ndonjë rast është përdorur në mënyrë shabllone, duke krijuar një kontradiktë të brendshme e duke bërë veprën një shembull eklektik të shitjes së petkut të vjetër në situate të reja.Po ashtu, çfrytëzimi i pasurive së artit botëror do të bëhet gjithmonë nga interesat dhe kërkesat e artit tonë realist. Por lidhur me kërkesat për një formë të re hasim dhe huazime dhe aplikime të krijimtarisë artistike të artit botëror. Kështu për shembull Ali Oseku, në tablonë “Elektrifikimi”, duke dashur të çfrytëzojë eksperiencën kubiste, e monton atë në një përmbajtje aktuale, në mënyrë shumë të trashë e banale dhe inkoherente, duke nxjerrë më në fund një punim të çuditshëm të copëtuar nga prizma dhe figura të tjera gjeometrike, në dëm të përmbajtjes. Komisioni mendon se veç këtyre gjinive të kultivuara, shfaqje të tilla janë vënë re në të gjithë sferën që hyn dhe penetron arti figurative, në skenografi, ilustrime, grafiken industrial, artin dekorativ dhe ornamental, artin e aplikuar etj.Në komision u ngrit gjithashtu edhe problem i përgatitjes së kuadrit në shkollat tona të artit. Për këtë çështje u tha se ata ndikohen edhe nga literature artistike që çfytëzojnë, e cila në më të shumtën e rasteve është “moderniste”, e të gjithë kallëpeve pa kontrollin dhe shpjegimin e duhur nga pedagogët.Komisioni shkaqet kryesore i gjen në papjekurinë ideo-estetike, në trajtimin e problemeve, një lloj kufizimi profesional në problemet e formës, duke gjurmuar dhe rendur pas kërkimeve “të reja”, të imagjinuara jashtë traditës, pa bërë atë lidhje organike me kryesoren, përmbajtjen.


Mungesa e një kritike të vazhdueshme, të thellë për të bërë analiza të hollësishme e të argumentuara për të shpjeguar e për të vënë në çdo ndikim logjikën e fortë të gjithë linjës së krijimtarisë sonë, të filozofisë sonë e të mësimeve të Partisë dhe të estetikës marksiste-leniniste, ka bërë që shumë probleme të kapërcejnë pa u trajtuar dhe nxjerrë përvojën e duhur. Për t’u dalë përpara shumë problemeve që dalin nga fjalimi i shokut Enver, komisioni do të hartojë një program pune ku të trajtohen një sërë problemesh ideo-estetike me artistët, do të organizojmë diskutime krijonjëse në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve për çështjet që lidhen me problemet e traditës, novatorizmit, luftës kundër ndikimeve konservatore dhe liberale. Konkretisht, do të organizohet më mirë puna për të realizuar me sukses aktivitetet e këtij viti, ekspozitën e pranverës, ekspozitën e 30-vjetorit të Ushtrisë, atë të 30- vjetorit të çlirimit të atdheut dhe një sërë detyrash të tjera në institucionet tona.

Disa probleme të tjera të arteve figurative dalë në konsulta, takime dhe mbledhje për këtë qëllim

Në shpjegimin e shumë problemeve që kanë dalë në lëmin e arteve figurative, në kushtet e përpjekjeve që kanë bërë artistët për të gjetur forma dhe mjete të reja shprehëse në shërbim të përmbajtjes në zhvillim, ka pasur keqkuptime, njëfarë paqartësie dhe konfuzioni, gjë që ka bërë që disa artistë të pyesin: “Si të punoj unë, tashti”? (Rasti i Lec Shkrelit në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve). Kjo ka ndodhur tek ata artistë që s’kanë luftuar me konsekuencë të çajnë përpara me bagazhin e tyre, tek ata që u kritikuan më shumë për një lloj konformizmi dhe pasqyrimi bosh të realitetit, si bie fjala Myzafer Dika, Jakup Keraj, Agim Faja, Ferdinand Paci, etj.


Nga erdhi kjo paqartësi? Në artet figurative mungon kritika profesionale. Diskutimet krijuese janë organizuar, por kanë qenë të një niveli të ulët, panoramike dhe jo të thella problemore. Ka munguar polemika e hapur dhe parimore. Më shumë është bërë bisedë klubesh dhe kafesh se sa diskutime në kolektiv për të rrafshuar konceptet jo të drejta. Kemi përshtypjen se diskutimet janë rrahur më shumë, nga disa artistë të talentuar, por akoma të formuar mirë. Grupi i historianëve të artit pranë Institutit të Historisë, pothuaj nuk ka marrë pjesë fare në rrahjen e këtyre problemeve, duke mbetur vetëm në detyrat e lashtësisë, apo karakterin kronologjik dhe historik të artit. Ne si ministri për problemet aktuale të përmbajtjes nuk kemi treguar kujdes, duke u marrë me problemet më shumë të ditës dhe të aktiviteteve. Duke luftuar pa mëshirë teatralitetin, shkollarizimin, natyralizmin, pasqyrimin pasiv të realitetit, shumë artistë u lëkundën, deshën të korrigjojnë vetveten dhe me papjekuri u hodhën në çfaqje dhe ndikime me pikësynim për t’u bërë i “kohës”.
Kjo ndodhi edhe tek artistë si Nexhmedin Zajmi (Autoportreti dhe peizazhi që nuk iu ekspozua në ekspozitën e pranverës së vitit 1972). Këta u mbështetën ose në literaturën artistike që çfrytëzohen pa kritere të drejta në bibliotekat tona, huazime të njëri-tjetrit dhe në abuzimin që i bëri artit tonë të së kaluarës, piktorëve tanë mesjetarë, vizatimet apo skulpturës së imët. Kështu Nexhmedin Zajmi pa piktorin Italian, Modgilini, në rastin e autoportretit të tij, disa të tjerë u tërhoqën nga temperamenti i piktorit Edi Hila dhe deshën të shkojnë pas tij me që ai tërhoqi menjëherë vëmendje, ose rasti i Naxhi Bakallit, në pasqyrimin e temës aktuale me mjetet e artit oriental. Po kështu piktori Ali Oskeu përpiqej që me mjete që përdor piktori kubist, të trajtojë temën aktuale në kompozimin “Elektrifikimi”, Alush Shima të fusë koloritin intensive të tashistëve në portretet e “Minatorit” dhe të “Margarita Tutulanit”, etj.Kjo garë që filloi të lindë, e mbështetur në kulturën e librave dhe riprodhimeve, në imitime dhe shabllone natyraliste dhe “modern”, krijoi edhe njëfarë metode të pasqyrimit të realitetit nga studio, duke u mbyllur brenda saj dhe duke eksperimentuar brenda mureve të saj. Kështu sikur kontakti me realitetin, me jetën, u zbeh. Kështu filluan të lindin punimet që të kujtojnë këtë apo atë piktor, zgjidhje analoge dhe figura gjimnastikore, gama koloristike jo nga jeta, por të trajtuara në mënyrë shumë intelektualiste. Kështu, filluan të lindin portrete dhe peizazhe të trajtuara në njëlloj dhe uniformiteti u bë sëmundje.Nuk çfrytëzohet sa dhe si duhet ajo lloj tradite që ruhet në lëmin e arteve figurative. Edhe në qoftë se ajo shihet, ajo vetëm shihet dhe nuk studiohet dhe çfrytëzohet. Mungojnë studime dhe zbërthime të saj.Në qoftë se në artet figurative, në pikturën dhe skulpturën e kavaletit dhe monumentale kontrolli shtetëror ka qenë i madh, në drejtim të gjinive të tjera, të ilustrimit të librave, kopertinave, në përgjithësi të grafikës industrial, pllakatit skenografisë, dekorit të qyteteve, piktorët dhe dekoratorë, prodhimeve artistike etj., kontrolli shtetëror dhe i kualifikuar ka çaluar shumë. Bile në këto gjini është livadhisur pa fre në gjithfarë imitimesh, sëmundjesh foshnjore dhe të gjitha këto janë mbrojtur me pretekstin e specifikës së gjinisë, e teorizime të tjera.

Tiranë, 19.IV.1973
Kujtim Buza
Shef i Sektorit të Arteve Figurative
në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës

SHËNIMI I HAMIT BEQJAS PER RAMIZ ALINE

Në dy materialet për artet figurative, ka edhe problem të pasqaruara gjer në fund si dhe…… (nuk kuptohet shkrimi) kuptimesh të ndryshme të tyre. Do të kërkojmë që këto trajtime të bëhen më të plota në Plenumin e Lidhjes për artet figurative.Në dosje kemi edhe disa riporidhime pikturash e skulpturash jo vetëm nga ato që janë kritikuar, por edhe nga ato që janë konsideruar me vlera. Mund të bisedojmë, nëse duhet t’ia japim ato edhe shokut Enver.
20.IV.1973 Hamit Beqja


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.