Dossier

Agron Dushku: Liceu i shthurur, pihet alkool e shkruhet nëpër banja

14:40 - 31.05.18 Gazeta Shqiptare

Dashnor Kaloçi – Në kuadrin e fjalës së Enver Hoxhës mbajtur në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së në mesin e muajit mars të vitit 1973, ku si temë kryesore ishte: “Shfaqjet e huaja dhe liberale në art e kulturë dhe ndikimi i tyre në gjithë jetën e vendit”, krahas mbledhjeve të shumta që u mbajtën në institucionet qendrore kulturale dhe artistike të Tiranës, si: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Radio-Televizioni Shqiptar, Teatri i Operës dhe Baletit, Teatri Popullor, Teatri i Estradës, Instituti i Lartë i Arteve, Cirku i Tiranës, etj., nuk u la pas dore as Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, i cilësuar gjithmonë si “fidanishtja” e artistëve të rinj. Madje në atë shkollë artistike që ishte dhe më e madhja dhe kryesorja në të gjithë vendin, mbledhjet e organizatës bazë së partisë, të Bashkimeve Profesionale dhe asaj të Bashkimit të Rinisë, u mbajtën brenda muajit mars. Kjo edhe për faktin se Liceu Artistik, rezultonte me mjaft probleme “nga të katër anët”, jo vetëm në atë periudhë kohe të fillimit të viteve ’70-të, kur në të gjithë vendin u vu re dhe lulëzoi një farë liberalizmi jo vetëm në art e kulturë, por ajo shkollë rezulton që të ketë qenë mjaft problematike dhe para e pas kësaj periudhe.

Por sidomos në këtë kohe, ajo ka qenë mjaft e shthurur, gjë e cila bëhet e ditur edhe nga ky dokument arkivor që publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, ku i deleguari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Agron Dushku (ushtarak dhe anëtar i Komitetit Qendror), i cili sipas praktikave të kohës, i ka raportuar me detaje eprorëve të tij në Komitetin Qendror të PPSH-së. Për më shumë se ç’ndodhte në Liceun Artistik në atë periudhë kohe, na njeh dokumenti në fjalë që publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.

I N F O R M A C I O N
NGA MBLEDHJA E
ORGANIZATES BAZE TE PARTISE TE LICEUT
ARTISTIK “JORDAN
MISJA”
Më datën 30 mars 1973 organizata diskutoi mbi detyrat për zbatimin e kërkesave të fjalimit të shokut Enver Hoxha në organizatën e aparatit të Komitetit Qëndror. Nga diskutimi i komunistëve dhe nga çështjet që kanë dalë në mbledhjet e organizatave të Bashkimeve Profesionale dhe të Bashkimit të Rinisë, rezulton se në këtë shkollë ka mjaft problem shqetësuese si në drejtim të jetës së organizatës së partisë, në drejtim të procesit mësimor ashtu edhe të çfaqjeve të huaja në jetën e mësuesëve dhe nxënësve.

Organizata bazë e partisë ka mjaft dobësi si në kapjen ashtu dhe në zgjidhjen e problemeve kryesore. Nga 9 komunistë, vetëm 3 janë mësues, të tjerët janë administratë. Kjo organizatë ka vite që nuk ka bërë pranime të reja kështu që nuk është përtërirë me gjak të ri, mosha mesatare e organizatës është 45 vjeç. Ajo nuk është marrë me probleme që i ka diktuar koha dhe gjëndja shqetësuese e shkollës, por me grindje dhe diskutime të pafund me njëri tjetrin. Vigjëlenca ideologjike – tha i deleguari i Komitetit të Partisë, Adem Sollaku – në disa raste ka munguar në organizatën bazë të partisë, p.sh. kur një nxënës pruri në konvikt rroba të sjella nga jashtë për t’i shitur, komunistët nuk reaguan, pra konvikti u bë vënd tregtimi, ose rasti i një fletë-rrufeje që ka vënë klasa e katërt për iniciativën e vet në drejtim të rritjes së cilësisë së mësimeve, në fund të fletë-rrufesë, nga një njeri që nuk dihet se kush është, shkruhet: “ky është shtet-rrethim”. Megjithëse pirja e duhanit, flokët e gjata, pirja e alkolit kanë qenë shqetësuese në shkollë, nxënësi Sokol Shupe nuk duhet të shkonte në Rumani, sepse kishte plot cilësi negative dhe të tjera tregojnë se organizata bazë e partisë ka qëndruar indiferent ndaj këtyre problemeve dhe nuk ka lojtur rolin udhëheqës në tërë veprimtarinë e shkollës.

Në shkollën tonë tha sekretari i organizatës bazë shoku Nesti Cane, ka një farë3 nënvleftësimi bile përçmimi për veprat muzikore, ndërsa muzika popullore, folklori popullor nuk ka QENË FARE NË PROGRAM. Eshte ngritur shumë lart çdo gjë e huaj dhe është krijuar mendimi se shkolla jonë duhet të mbështetet kryesisht tek veprat e artit botëror.

Në këtë shkollë disiplina në përgjithësi ka qenë dhe është e dobët, si nga mësuesit, ashtu dhe nga nxënësit. Gjatë vitit mësimor 1972-1973, ne kemi pasur 13 mijë mungesa që i bie çdo nxënësi një mesatare pre 24 mungesa. Kjo gjëndje, megjithë punën e bërë kohët e fundit nuk është përmirësuar, akoma ka mungesa në shkollë, vetëm orët e mësimit për lëndët e përgjithëshme mungojnë deri në 18 deri 27 veta në ditë.

Trupi pedagog i shkollës me që është përbërë nga mësues efektivë të shkollës dhe të jashtëm me një mesatare deri në 50 %, nuk është kompakt, mësuesit e jashtëm punojnë në institucione të tjera kulturale, ose janë nxënës në Institutin e Lartë të Arteve, ata u tha në organizatë nuk kanë zbatuar asnjëherë orarin e mësimeve, bile u sollën shëmbulla që kanë prishur dhe rregullin e shkollës. Këta mësues krijojnë anarshinë të gjithë sistemine shkollës, për arsye se shpesh herë nuk paraqiten fare, ose paraqiten në mësim sa për të shënuar orët e mësimit. Kështu p.sh. mësuesi Zef Shoshi nuk u paraqit në shkollë për 20 ditë, ai merrte rrogën dhe nuk paraqitej në punë, u diktua vetëm kur u ngritën nxënësit dhe kërkuan se kishin mbetur pa mësues, organizata e partisë dhe drejtoria e shkollës nuk dinin asgjë. Ka mjaft mësues u tha në organizatë nga shoku Klenathi Nasto, zëvëndës sekretari i organizatës së partisë, që largohen nga mësimi në marrëveshje me nxënësit, për interesin e tyre personal, për të punuar materiale të ndryshme me lekë, ose për të psonisur për familjet e tyre.
Drejtoria e shkollës dhe këshilli pedagogjik, seksioni i Arsimit i rrethit të Tiranës dhe as vetë Ministria e Arsimit dhe e Kulturës nuk kanë ushtruar në këtë shkollë as një kontroll, si për nivelin e mësimeve, ashtu dhe për gjendjen e saj në përgjithësi.

Mungesa e disipline ka pasur, tha shoqja Flutra Myzyri, edhe nga mësuesit, të cilët nuk zbatojnë orarin, gjatë kohës së punës shkojnë në bufe, bile ka pasur raste edhe në pazar për të blerë sende të ndryshme për familjet. Ka pasur raste gjithashtu që mësues të ndryshëm marrin me vehte fëmijët gjatë kohës së mësimit, mësuesja Mariana Prifti fëmijën e vet e kishte marrë me karrocë dhe nxënësit ja ngjitën në klasë me gjith karrocë dhe megjithkëtë, organizata e partisë dhe drejtoria e shkollës mbajtën qëndrim liberal. Në organizatë 3-4 komunistë ngritën problemin e drejtorit të shkollës shokut Enver Bozgo.

Ata thanë drejtori i shkollës sonë është liberal, nuk kërkon fare për të zbatuar kërkesat e shkollës, sidomos pas diskutimit të kolektivit për fjalimin e shokut Enver Hoxha në Mat, në të cilën mbledhje u vendos që drejtori i shkollës të shkarkohet nga detyra, çështje të cilën Komiteti i Partisë së rrethit e mori në studim dhe nuk e aprovoj, qysh atëhere drejtori i shkollës është tërhequr fare dhe nuk merret me problemet e mëdha të shkollës. Lidhur me vendimin e kolektivit për shkarkimin e drejtorit të shkollës, në organizatën bazë të partisë ka shkuar shoku Shenasi Zeneli, i cili është bindur se heqja e këtij drejtori nga Liceu Artistik është e domosdoshëme. Por çështja mbeti pezull, thotë shoku Shenasi, sepse Enver Bozgua u ankua në Ministrinë e Arsimit dhe tek shoku Manush Myftiu dhe që atëhere çështja akoma nuk është zgjidhur. Për këto mendime që ka pasur Komiteti i Partisë dhe për anullimin e heqjes së drejtorit, kolektivi i shkollës dhe organizata bazë e partisë nuk janë sqaruar.

Drejtoria e shkollës u tha në organizatë nuk kontrollon procesin mësimor, bile edhe orët e detyrueshme për drejtorin dhe zv/drejtorët nuk janë realizuar, ndërsa përsa i përket kontrollit të lëndëve artistike nuk flitet fare, sepse ato ka vite që nuk i kontrollon njeri. Shkolla jonë është jashtë kontrollit shtetëror si për anën mësimore ashtu dhe për pjesën materiale, kjo për një kohë prej 2 vjet e më shumë. Udhëzimet që dha kohët e fundit Ministria e Arsimit drejtorave të shkollave të mesme të Tiranës nuk janë njoftuar as organizatës së partisë dhe as trupit pedagogjik të shkollës, kështu që edhe pas punimit të fjalimeve të shokut Enver Hoxha, disiplina lë mjaft për të dëshiruar. Disa mësues, kryesisht komunistë, që kërkojnë llogari për forcimin e disiplinës u janë kundërvënë nxënësit pa disiplinë, duke u thënë; pse na u bëtë si xhandar, pse mësuesit e tjerë nuk kërkojnë si ju. Në shkollë gjatë muajit mars, 3 nxënës dhe 1 vajzë u mbyllën në një dhomë të shkollës dhe u dehën me alkol, në portën e shkollës çdo ditë nxënësit shtyhen dhe zihen me mësuesit kujdestar për arsye se kanë ardhur me vonesë në mësim. Më datën 15 mars 1973, nxënsi Bashkim Elezi shtiu me grushta një mësuese sepse ajo nuk deshi ta lërë të futet në shkollë dhe për të gjithë këtë, organizata bazë e partisë dhe drejtoria e shkollës nuk luan rolin udhëheqës dhe drejtues si organ shtetëror.

Organizata bazë e partisë ka punuar dobët me organizatën e rinisë. Vetë organizata e rinisë paraqitet me dobësi të theksuar në krye të saj, në organizata bazë, byro dhe komitet janë zgjedhur të rinj me me përparim të dobët në mësimen dhe të padisiplinuar, zëvëndës sekretari i komitetit të rinisë tha shoku Kleanth, ka ikur pa leje nga shkolla nga dritaret. Në organizatë u tha se kujdesi për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e veglave muzikore dhe përgjithësisht pasuria e shkollës është e pamjaftueshme, në disa raste shumë vegla muzikore janë përdorur keq. Kemi 13 piano, tha komunisti Emin Raça të prishura nga përdorimi i keq, të cilat është vështirë të riparohen dhe të vihen përsëri në shërbim. Tek ne jeta e një pianoje është jo më shumë se 6 muaj. Në këtë shkollë materialet artistike si pjano, vegla muzikore dhe instrumenta të tjera janë të paiventarizuara dhe nuk përgjigjet njeri për to.

Gjatë diskutimeve me forcë u ngrit edhe problem i teskteve mësimore, për teorinë e artit. Mësuesit e lëndëve artistike nuk kanë tekste si për teorinë e muzikës, teorinë e pikturës e tjera. Këto lëndë e jepen me shënime nga mësuesit, nxënësit nuk kanë asnjë bazë materiale ku të përgatiten. Komisionet e caktuara për përgatitjen e këtyre teksteve, nga shkolla dhe kryesisht nga Instituti i Lartë i Arteve, nuk kanë bërë asgjë. Drejtoria e shkollës si dhe organizata bazë e partisë nuk kanë kërkuar as nga Instituti i Arteve dhe as nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, ç’bëhet me punën e teksteve. Në këtë mbledhje u ngrit me forcë edhe çështja e çrregullimeve dhe e mungesave të theksuara në jetën e konviktit, u kritikua shoqja Shpresa Mamaqi për arsye se ajo nuk e ka kryer mirë detyrën e ngarkuar. Jeta e nxënëseve është jashtë kontrollit të drejtorisë dhe të edukatorëve të konviktit, organizimi i studimit dhe zgjidhja e problemeve të nxënëseve kryhet me shumë mungesa. Në periudhën e dimrit nuk kishte lëndë djegëse për kaldajën, furnizimi me zarzavate i guzhinës së konviktit është bërë me të meta.

Shoqja Shpresa u justifikua me gjëndjen e saj shëndetësore. Është e vërtetë se shoqja Shpresa është e sëmurë, për këtë çështje ka dhe rapor shëndetësor, porse për 3-4 muajt e fundit ajo nuk ka qenë fare në krye të konviktit. Në këtë mënyrë nuk është ushtruar kontroll në jetën e nxënësve në konvikt, prandaj kanë ndodhur dhe mjaft çrregullime. Në mbledhjen e organizatës bazë të partisë u ngritën problemet edhe për komitetin e partisë së Rajonit Nr. 1, i cili nuk është kujdesur për jetën e organizatës së partisë, për përmirësimin e përbërjes së kësaj organizate dhe për problemet e tjera. Për Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës u bënë kritika sepse ajo megjithëse është në dijeni të këtyre problemeve dhe në përgjithësi të gjëndjes së pakënaqëshme të shkollës, sidomos me përparimin e 60 % të mësimeve dhe disiplinës së dobët, nuk ka marrë masa, nuk ka ushtruar kontroll dhe për të ndihmuar në zgjidhjen e shumë problemeve të kësaj shkolle. Mendimi im lidhur me gjëndjen dhe problemet që ngre kjo organizatë, është:

-Organizata e Liceut Artistik duhet forcuar sa më parë, sepse jeta e saj është shumë anemike dhe përbërja e plakur. -Çështja e drejtorit të shkollës gjithashtu duhet zgjidhur sa më parë, autoriteti i tij ndaj nxënëseve dhe mësuesëve është përtokë, ata nuk i binden dhe e ofendojnë në prezencë të tjerëve, duke i thënë: Akoma s’ke ikur”, ose shkruajnë në derën e zyrës fjalën “ËC” e tjera. Zvarritja nga ana e komitetit të partisë të më shumë se një viti të çështjes së vendimit të kolektivit për shkarkimin të drejtorit nuk është i drejtë, sekretariati i Komitetit të Partisë që i ka pezulluar çështjen drejtorit, nuk e ka sqaruar organizatën bazë dhe kolektivin e shkollës dhe kjo ka krijuar problem
6.3.1973 Agron Dushku

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *