Intervista

Hasa: Sistemi i sigurimit privat të pensioneve i pakompletuar

15:20 - 01.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Sigurimi vullnetar është ende një treg i ri në vendin tonë, e deri më tani ka arritur të sigurojë rreth 22 mijë persona me 1.9 miliard lekë kontribute e fitime.




Në intervistën e tij për “Gazeta Shqiptare”, Naim Hasa, ekspert i sigurimeve shoqërore tregon se Shqipëria është ende larg zhvillimeve që ka ky treg në Europë, por edhe në rajon e më tej thekson se në vendin tonë ende nuk është kompletuar sistemi i pensioneve me skemën private, çka ndikon edhe në nivelin shumë të ulët të masës së pensioneve. Gjithashtu, Hasa tregon se sigurimi vullnetar do të sjellë përfitime si: një brez të ri të siguruar; si dhe zgjidhjen e problemit të shtrembërimit të tregut të punës.

Eksperti shton se përfitimet që rrjedhin nga kjo skemë janë më të larta, dhe ofrohen në kushte më të favorshme moshe, vjetërsie në punë e masë pensioni.

Si paraqitet ecuria e tregut të Pensioneve Private Vullnetare gjatë vitit 2017 dhe si është pritshmëria për 2018-ën?
Pjesë e tregut financiar pas vitit 2009 janë bërë edhe pensionet private vullnetare. Në këtë treg ushtrojnë aktivitetin tri kompani pensionesh. Aktualisht tregu i pensioneve private është një treg i ri. Në fund të 3-mujorit të parë 2018-të, sipas publikimeve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ky treg ka të anëtarësuar rreth 22 mijë të siguruar me 1.9 miliard lekë asete (Kontribute dhe fitime), por me një mision mjaft të rëndësishëm dhe ritme rritjeje, si në anëtarësime dhe në asete që shkojnë 1.4 -1.5 herë çdo vit.
Si paraqiten zhvillimet e këtij tregu krahasuar me vendet e rajonit?
Duhet pranuar se jemi shumë larg zhvillimeve që ka ky treg në Europë, qoftë edhe në vendet përreth nesh si Maqedonia, Kosova, Kroacia, Bullgaria, etj, çka ka nevojë shumë për përkujdesje, si në fushën ligjore, ashtu dhe në atë institucionale. Ky zhvillim e fuqizim, bëhet akoma më i domosdoshëm, duke marrë në konsideratë problematikën që mbart sistemi shtetëror i pensioneve. Sot problemet e pensioneve dhe sidomos deficitet financiare të skemave shtetërore, janë një preokupacion evident në të gjithë vendet, kjo ndër të tjera edhe si rrjedhojë e ritmeve me të cilat rritet popullsia e tretë, si rrjedhojë e dy faktorëve: të rritjes së jetëgjatësisë së popullatës dhe të rënieve të ritmeve të lindjeve.

Cilat mund të jenë zgjidhjet më të favorshme për të përmirësuar situatën? Si duhet të jetë sistemi i pensioneve në vendin tonë?
Këto situata kanë shtruar nevojën e reformimit të sistemit të pensioneve, duke u fokusuar në gjetjen e rrugëve të përshtatshme dhe të drejta të financimit, duke krijuar përgjegjësi të përbashkët të mbulimit të nevojave jetësore në pleqëri, midis shtetit dhe individit. Një nga sistemet që po funksionon sot me sukses në Europë e më gjerë, është vendosja e sistemit të alternuar të pensioneve, me dy komponentë të rëndësishëm, një sistem publik bazë i konsoliduar dhe një sistem privat të zhvilluar, i detyrueshëm për brezin e ri dhe vullnetar për të gjithë ata që duan një pension më të lartë. Ky sistem, presupozon një ndarje të kontributit në dy pjesë: kontribut shoqëror për skemën shtetërore PAYG dhe kontribut individual për skemën private. Ndërsa skema vullnetare lihet e lirë, kush dëshiron më shumë bëhet pjesëmarrës në këto skema. Këtë model krahas të gjithë vendeve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia etj., e gjejmë edhe në Poloni, Hungari, Kroaci, Bullgari, Estoni, Rumani, Çeki, Sllovaki, madje edhe ne Kosovë, Maqedoni, të cilët sipas kushteve konkrete kanë bërë ndarjen e kontributeve dhe ndjekin në dinamikë evoluimin e këtyre proceseve.

A po aplikohet siç duhet sistemi i alternuar i pensioneve në Shqipëri?
Siç dihet, vetëm tre vende të Ballkanit perëndimor; Shqipëri, Bosnjë e Serbi nuk e kanë kompletuar sistemin e pensioneve me skemën private, kjo është edhe arsyeja që niveli i pensioneve në këto vende është shumë i ulët.

Cilat janë përfitimet e skemës private të pensioneve?
Është fakt që pensionet private i japin zgjidhje mjaft problemeve që dikton koha. Së pari, zgjidhin kontradiktën e brezave, duke e bërë brezin e ri më të interesuar për t’u siguruar. Së dyti, zgjidhin problemet e shtrembërimit të tregut të punës, mjaft shqetësuese, sidomos për ekonomitë në zhvillim, ku informaliteti, si në rastin e evazionit të zi ashtu edhe të atij gri është i lartë, mbasi lidhet shumë mirë masa e kontributit me atë të përfitimit. Së treti, përfitimet që rrjedhin nga kjo skemë janë më të larta, të trashëgueshme dhe ofrohen në kushte më të favorshme moshe, vjetërsie në punë e masë pensioni. Këto janë edhe arsyet që sot pensionet private (vetëkapitalizuese) po zhvillohen me ritme të larta në të gjithë vendet, duke u bërë një domosdoshmëri e kohës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.