BLUETOOTH

Largohet nga “In TV”, flet Alfio Rrotani: Ju rrëfej prapaskenat e emisionit të ri

18:00 - 09.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Flet autori i “Kripë dhe Piper”: Përveç gatimit, ja cilat janë pasionet e mia “të rrezikshme” – “Shqipëria më ka dhënë shumë suksese, përveç kuzhinës”




Nëpër mediat rozë nuk ka se si t’i shpëtojnë ‘lupës’ edhe ata që janë vetë pjesë e medias. Këtë herë në ‘lupën’ tonë ka qenë një ndër kuzhinierët më karizmatikë dhe më të dashur të ekranit. Të gjithë e mbajmë mend djalin që vinte nga një eksperiencë pune në Itali dhe na mahniti në “MasterChef” me gatimet e tij. Po flasim pikërisht për Alfio Rrotani, i cili është jo vetëm fituesi i edicionit të parë të “MasterChef Albania”, por gjithashtu edhe një nga dy autorët që drejton “Kripë e Piper” në “In TV”. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, ai ka rrëfyer disa nga prapaskenat e emisionit të ri, që do të hapë së shpejti në TV “Klan”. Gjithashtu, ai ka folur edhe për pasionet e tij të fshehta, përveç gatimit. Ai paraqitet ndryshe, në një intervistë plot humor, ashtu si edhe vetë Alfio Rrotani.

Jeni një ndër shefat më të parapëlqyer të vendit. Përse zgjodhët të qëndroni në Shqipëri me gjithë talentin që keni e jo të tentoni jashtë vendit?

Unë artin e gatimit e kam nisur jashtë vendit, ku kam pasur sukses dhe ia kam dalë shumë mirë. Në fund të ditës isha gjithmonë me valixhe në dorë. Shqipëria më ka dhënë suksese të tjera përveç kuzhinës: një dashuri, një familje dhe një jetesë siç unë e kisha projektuar në mendjen time.

Si ju erdhi ideja e “Kripë e Piper”?

Erdhi krejt natyrshëm. Duke parë formatet e kuzhinës, që ishin pothuaj njëlloj dhe shumë teknike. Vendosëm të bënim diçka ndryshe, pa filtra e më të thjeshtë, të kuptueshëm dhe pse jo, me pak humor.

Thuhet se do të lëvizni nga “IN TV” me emisionin tuaj për të kaluar diku tjetër. Pse ky ndryshim? A kishit ndonjë pakënaqësi me produksionin apo… ?

Është e vërtetë që do lëvizim. Këto dy vite kanë qenë tepër të bukura në “In TV”. Mendoj që “In TV” është një trampolinë për këdo. Pas një eksperience me energji shumë të mirë, mendojmë se ka ardhur momenti për gjëra ndryshe dhe më të mëdha.

Ku do t’ju shohim së shpejti?

Së shpejti do na shihni në TV “Klan”.

A do të jetë i njëjti format me të ftuar VIP-a, apo do të ndryshojë diçka?

Projekti i ri është diçka komplet ndryshe, një risi në ekranet shqiptare. Do jetë për shqiptarët kudo në qytetet e Shqipërisë. Do ketë surpriza, receta, e sigurisht edhe shumë të papritura.

A keni menduar të hapni një restorant tuajin?

Përveç televizionit dhe mësimdhënies tek instituti kulinar “Neranxi”, merremi gjithashtu me organizimin dhe hapjen e restoranteve të reja, siç edhe ne e quajmë “start up”. Do na pëlqente shumë. Por fakti që po hapim kaq shumë restorante nuk na lë kohë për një restorant tonin. Do ishte më mirë sikur jo 24, por 48 orë të kishte dita, atëherë po, mund ta hapnim një restorant. (Qesh)

Nëse nuk do të vijonit këtë pasion që keni për gatimin, me çfarë do të merreshit tjetër në jetë?

Nëse nuk do isha kuzhinier, me siguri do isha mekanik i shkëlqyer, sepse që në vegjëli montoja e çmontoja çdo pajisje që më vinte në dorë. (Qesh)

Cili është një tjetër pasion i fshehtë i Alfios?

Në fakt kam shumë. Disa të rrezikshëm, disa jo. (Qesh)  Përveç motorëve, pikturës dhe udhëtimeve nëpër botë, një pasion i fshehtë i imi është peshkimi.

Cili ka qenë personi nga i cili keni trashëguar apo jua ka “ngjitur” këtë pasion për gatimin?

Mami gatuante gjithmonë gjëra të mira dhe unë inspirohesha. Por kur nisi të punonte dy punë në Itali, unë dhe motra nisëm të gatuanim në shtëpi kur ishim tepër të vegjël. Aty nisi gjithçka.

Çfarë lloj gatimi nuk i reziston dot Alfio?

Unë jam gjithçkangrënës. Të preferuarat janë gatimet ku përfshihen frutat e detit. Vdes për krudo. (Qesh)

Ju padyshim jeni një shef në kuzhinë dhe ekspert në shumë gatime. Por a është dikush për të cilin ju gatuani dhe ndani ushqimet më të shijshme, njeriu i zemrës për shembull?

Fatmirësisht po! Kur ndodh rrallë që kam ndonjë ditë pushimi, gatuaj bashkë me të dashurën duke shijuar ndonjë gotë verë. Problemi është se bëhemi tapë para se të përfundojmë gatimin. (Qesh)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.