MILOSAO

“Burri i Odës dibrane”

11:17 - 10.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Bujar Kapexhiu – Në një kthinë të fshehtë, pothuajse të humbur e të harruar të historisë së artit shqiptar, mbuluar me tis pluhuri gri, hesht e përgjumur, e lënë pas dore, krijimtaria e një prej krijuesve më origjinalë, më të rrallë, më interesantë, unikal në kontributin shumëplanësh, e Mjeshtrit të Madh Hazis Ndreu.




Nëse studiues e teoricienë, fare rastësisht do të hedhin hapin e tyre mbi dyshemenë e kësaj kthine, brenda godinës së artit e të kulturës, me siguri, instinktivisht, vetvetiu do i ngadalësojnë hapat dhe papritur do të qëndrojnë një hop, duke dëgjuar zërin melodioz të një rapsodi, tingujt plot variacione të një melodie me çifteli… Do mahniten me lëvizjet energjike të një valltari popullor, do qeshin me gjithë shpirt me vargjet e poezive humoristike… Për një çast do mbeten të hutuar e në mëdyshje nga kuptimi i fshehur i alegorive dibrane… Më pas do befasohen nga qindra e qindra emra për toponiminë e studimeve për Skënderbeun, do mrekullohen kur të prekin ornamentet e kostumet popullore, të kërkuara, të zbuluara e të studiuara si thesar etnografik… Dhe, së fundi, ndoshta nuk do besojnë se në raftin e pluhurosur gjenden libra që kanë çmime nëpër konkurse kombëtare. E dikush, nga habia, befasia e kurioziteti do pyesë se cilët janë këta njerëz kaq të talentuar që kanë ushtruar këto profesione, e cilët janë këta emra, autorë të gjithë kësaj krijimtarie artistike, shkencore dhe studimore. Dhe përgjigjja do të jetë e veçantë, e rrallë, ndoshta e pabesueshme, por e vërtetë: Të gjitha këto profesione janë ushtruar nga vetëm një njeri. Veprat artistike janë krijuar nga një artist. Kërkimet, zbulimet e studimet, nga një emër. Gjithçka që dëgjuat dhe shikuat kanë shpërthyer nga mendja dhe shpirti i një njeriu të vetëm… e ai quhet Hazis Ndreu. Kam lexuar e dëgjuar shumë për të. Kujtoj kohën kur pak herë e kam takuar. Dhe atëherë, thjesht kalimthi, takime të shkurtra midis meje, regjisor në Estradën e Tiranës dhe ai rapsod, aktor e valltar nga Peshkopia. Takime të shkurtra me buzëqeshje estradeske, shtrëngim duarsh, urime të sinqerta, lëvdata, vlerësime të ndërsjella e kështu takimi përfundonte me “Suksese të tjera! Mirë ardhshi në Tiranë! Mirë se të vini në Peshkopi!”. Kaq. Prisnim takimin tjetër të estradave në një tjetër qytet të Shqipërisë.

Në atë kthinën e harruar që përmenda në fillim të këtij shkrimi nuk kalova rastësisht. Jo!
Djemtë e Hazisit më treguan gjerë e gjatë projektin e tyre. Unë kaq desha. Ndeza dritat e krijimtarisë sime, fshiva pluhurin mbi dosje dhe nisa të ndjek pas gjurmëve krijimtarinë e tij. Brenda meje, si një llavë që zien në thellësi të një vullkani, nisi të ziejë dëshira për ta njohur edhe më mirë këtë krijues të rrallë, të pashtershëm, gazmor e hokatar, që këndoi, recitoi, vallëzoi, krijoi poezi, rapsodi dhe humor me ndodhi gazmore. Vetëm mendja e tij pjellore mund të derdhte të tillë pasuri krijuese, përmes një shpirti artistik, për 50 vjet rresht pa ndërprerje. Edhe tani që po radhis këto fjalë të thjeshta, të ndjera dhe të vërteta, më duket sikur zëri i tij vallëzon mbi rreshtat e mi. Dhe ashtu siç prekte butë-butë me gishtërinjtë energjikë telat e çiftelisë, më duket që po prek edhe penën time, duke më korrigjuar me modestinë e tij mbiemrat cilësor… i rrallë, i papërsëritshëm, unikal. Por, jo! Unë ia largoj dorën e vazhdoj të shkruaj me bindjen që i tillë është. Ata që e njohin më japin të drejtë. Atyre që nuk e njohin, apo kanë dëgjuar pak për të si krijimtari a si emër, u them: Njihuni, dëgjoni këngët, lexoni poezitë satirike, dëgjoni tingujt e çiftelisë, shfletoni faqet me toponimet e shumta për Skënderbeun, qeshni me alegorinë dibrane dhe do të shihni se te ky njeri bashkohen njëherësh disa krijimtari artistike që kanë lënë mbresa në kohë, si me nivelin krijues ashtu edhe me ekzekutimin e tyre. Ndokush, me një talent, vetëm me një, kënaqet e quhet fatlum për këtë dhunti. Po Hazisi me 9 dhunti, çfarë duhet të thotë? Ai gjithmonë hesht. Janë veprat e tij që flasin. Jemi ne që themi: sa me fat, Zoti e veçoi, e përkëdheli, duke i dhënë tërë këto stoli talentit të tij. Dibra ka 9 male, Hazisi ka 9 fusha: aktor, poet, këngëtar, valltar, koreograf, instrumentist, studiues, etnograf, folklorist. Shumë aftësi. E të gjitha së bashku te një njeri i vetëm.

Kur dikujt i përmenda emrin Hazis Ndreu, ai tundi kokën e foli thjesht: “E kam dëgjuar.” Thjesht, ftohtë, kalimthi, si për diçka të largët, tashmë të harruar. Unë mbeta i shtangur. Prisja që të thoshte me pasion: “Eh, Hazis Ndreu, mrekullia e artit dibran!” Jo vetëm dibran. Më thuaj, të lutem, një tjetër si ai. Nuk e gjen. Prandaj unë them me bindje: unikal. Ka shkrimtarë të mirë, që nuk dinë të këndojnë; ka këngëtarë të dëgjuar, që nuk dinë të kërcejnë; ka valltarë profesionistë, që nuk dinë të interpretojnë me veglat muzikore; ka instrumentistë virtuozë, por që nuk dinë të shkruajnë poezi; ka poetë të talentuar, por që nuk dinë as të kërcejnë, as të bëjnë humor… E pra, Hazisi i bënte të gjitha. Dhe të gjitha me nivel artistik. Te të gjitha i vlerësuar me duartrokitje nga publiku dhe me çmime të shumta nga juritë e letrave e të skenës. Prandaj, mos mblidhni buzët, duke më tërhequr vëmendjen se po e teproj me lëvdata, me vlerësime paksa të tepruara. Aspak. Po them një të vërtetë.

Ka shkrimtarë, dramaturgë, poetë të vlerësuar, por që nuk janë të zotë të shkruajnë humor… Janë seriozë, nga që nuk dinë të qeshin. Të dish të qeshësh është dhunti. Jo të gjithë dinë të qeshin. Hazisi fliste seriozisht e qeshte seriozisht. Hazisi ishte serioz me të qeshurën e tij e jo si disa që janë qesharakë me seriozitetin e tyre. Mençuria që hijeshonte bisedat, romuzet, epitetet dhe historitë në Odat dibrane e mësuan si të fliste, si të mendonte, si të pyeste e si të përgjigjej. Kur të qeshte, si të qeshte e sa të qeshte. Si të qëndronte serioz e kur të qëndronte serioz. Kur të bënte shaka e kur të tallej, të thumbonte, të ironizonte. E kur të zemërohej, e kur të shante e të bërtiste. Mësoi edhe kur të heshtte. Dhe heshtja e tij shpesh herë ka folur e bërtitur më shumë se fjala. Brenda vetes, si në një enë të mbyllur fort, i zienin mijëra fjalë e fraza. I zienin nga zemërimi, nga revolta dhe mbeteshin në thellësi, sepse regjimi i diktaturës t’i prangoste fjalët, t’i torturonte frazat, t’i pushkatonte idetë, ta shuante frymëzimin e ta degdiste mendimin. E megjithatë, ai diti të flasë me alegorinë dibrane, të mençur, të fshehtë, therëse, tallëse, goditëse.
Ai e njihte mirë regjimin. Nuk e donte. Në krijimtarinë “diversante” si me parashutë zbrisnin vargje goditëse, të dyshimta dhe të papranueshme për shabllonet e artit socialist, vargje pyka, të fshehta, që talleshin me regjimin. Ishte humori që i shpëtonte, ishte e qeshura që detyronte të pranoheshin. Mençuria dhe figuracioni u kalonte redaktorëve skrupuloz…

Sepse humori në diktaturë ka qenë arma e të mençurve. Humoristët kanë qenë opozita e atij regjimi.
E qeshura ndodhej kudo e kurdoherë në qenien e Hazisit. Të dukej sikur i kishte në xhep, të gatshme, të paketuar me emërtime përkatëse dhe me dozën e “helmit” humoristik apo satirik të batutave, citateve, përkufizimeve, apo barsoletat e atypëratyshme, që i jepnin më shkëlqim bisedave. Batuta të mençura humoristike plot finesë e mençuri për të kaluar herë pas here edhe situata të koklavitura që të turbullonin mendjen e të shtonin ankthin për pasojat që mund të vinin nga interpretimet e mediokre sipas shablloneve socialiste. Çdo batutë shpëtimtare qe si ato tullat që vendosen në pellgun me ujë për ta kaluar atë pa u lagur, gjer në bregun tjetër. Kështu edhe Hazisi, në shumë raste me shoqëri bënte humor me zarar, por me shkathtësi hidhte tullat humoristike, për të kaluar më qetë e pa u lagur nga kërcënimi ideologjik. Megjithatë, disa herë nuk doli pa u lagur. Batutat e tij herë të tharta e herë të hidhura, shkaktonin nervozizëm e indinjatë te nëpunësit partiakë që shtrembëronin buzët, picërronin sytë, kruanin zverkun, ndiznin cigaret e tymosnin vrullshëm. Por shpejt mbi thartirën e hidhësinë, Hazisi në vazhdimësi të muhabetit hidhte lëngun e ëmbël, zbutës, që i qetësonte papritur dhe, duke harruar çka u tha pak më parë, ndiqnin me kureshtje e buzë në gaz vazhdimin e interpretimit me recitime, këngë e valle.

Shumë shpesh kujtoj si në një sekuencë filmi gishtërinjtë e dorës së një poeti që shtrëngojnë penën, duke ndjekur me radhë rreshtat nga fillimi i faqes në fundin e saj. Kështu është sekuenca e parë e punës së një poeti…

Ndërkohë po ndjek edhe sekuencën e gishtërinjve të Hazis Ndreut, me penën që shkruan mbi faqen e bardhë.
Mollëzat e buta të gishtërinjve të tij energjikë kanë prekur edhe telat e hollë të çiftelisë, duke shkëputur prej tyre tinguj marramendës, të cilët, duke u shoqëruar me zërin e rrallë melodioz, harboheshin e vallëzonin në ajër, duke mbërthyer dhe ekzaltuar qindra njerëz, që harronin realitetin, ëndërronin, për të shpërthyer pastaj në duartrokitje entuziaste, të gjata pa pushim… Për virtuozin gazmor, me qeleshe të bardhë, jelekun me viza të zeza e tirq të bardhë: “Eh, Hazis Ndreu, të lumtë goja, na kënaqe!”
Gishtërinjtë e Hazis Ndreut nuk ndalojnë, por me zhdërvjelltësi valëvitin në ajër edhe shaminë në vallet dibrane. Të palodhur, ata gishtërinj lëvizin duke rrëshqitur me butësi edhe mbi motive, ornamente të etnografisë gjatë zbulimit, seleksionimit dhe studimit të veshjeve të trevës dibrane. Ndërsa kur qe fare i ri, pikërisht me ata gishtërinj shtrëngoi gjerdanin dhe pushkën. Gishti i tij tërhoqi këmbëzën e maliherit.

Pikërisht tani që po shkruaj për gishtërinjtë virtuozë të duarve të tij, kujtoj edhe një herë shtrëngimin e duarve me Hazisin në takimet dikur. Kur unë isha fare i ri, fillestar në artin e humorit, ndërsa ai aktor me përvojë. Valltar i shkëlqyer. Rapsod i papërsëritshëm. Recitues shpërthyes. Satirik i vlerësuar me çmime. Studiues, poet, pasionant që mblodhi e shkroi mijëra emra njerëzish, rrugësh, shtigjesh, shkëmbinjsh, fushash, malesh, kroje, guva, shpella e data ngjarjesh. Duar që s’kanë pushuar kurrë së lëvizuri e së krijuari dhe unë vërtet jam i gëzuar që i kam shtrënguar ato duar, duart e tij, të një krijuesi gjenial, të shumanshëm… Tamam këtu më kujtohet poezia e një poeti të njohur, me vargje të mrekullueshme për duart. Ndërsa për duart e Hazis Ndreut nuk do të mjaftonte një poezi a një poemë, një kroki apo një vizatim. Do të duhej, ndoshta, një skulpturë, monument simbol i punës, vullnetit, talentit, harmonisë, elegancës, energjisë, forcës e burrërisë. Dhe është tamam koha e vendi për atë thënien popullore të urimit: “Të lumshin duart!” Lavdërim, adhurim, falënderim. Për të gjitha. Dikush më tha: “Thonë që Dibra ka nëntë male. S’është e vërtetë. Me Hazisin, bëhen dhjetë!” Këtu po e lë edhe unë penën e shkrimit, përderisa erdhëm te mali. Të qëndrojmë këtu, te këmbët e malit dhe me vështrimin lart, të nderojmë madhështinë e tij.

* * *
Tani, i dashur lexues, duke përfituar nga rasti që penën e kam ende në dorë më lejoni t’i drejtohem Hazis Ndreut me një kartolinë me plot vargje, që ruajnë stilin e tij popullor, humorin, origjinalitetin dhe shpirtin poetik të këtij krijuesi të rrallë dibran:

Qofsh i nderuem Hazis Ndreu
Pastë uratën nana që t’leu
Jam përpjek’ me t’ba portretin
E gjatë rruga, fort e vshtirë,
Si me kalue në kamb detin,
Po rri në breg, se t’shof ma mir.
Hazis Ndreu je vet’ deti
Tallazi i lartë vjen nga thellësia
Sipas meritës dhe adetit
Kto pra janë vargjet e mia.
Sot asht viti i tetëmbëdhjetë
Si Mjeshtër i Madh nuk je në jetë.
Me kët’ rast kam amanet
Se kam pritë kaq shumë vjet
Në rrugën e blireve, n’trotuar
Ka plot buste me luftëtar’
Aty ka vend dhe për këngëtar,
Për poetë e shkrimtar,
Për aktor e regjisor
Për piktor, kompozitor
Të gjithë bashkë të pandarë
Ndoshta Zoti e ban mbarë
Se bashkia në gjum’ ka ra
Për artistët s’po ban kurrgja.
Luftën s’them t’mos e kujtoni,
Por edhe paqen mos e harroni
Sakrificat janë njësoj
Edhe në paqe ka heronj.
Për Hazisin në kët’ kuvend
Propozoj një monument.
Ktu po e mbyll or mik i vjetër
Gjithçka e ke të shkrueme n’letër,
Mirupafshim n’botën tjetër!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Urime dhe faleminderit Bujar! Shkrime të tilla na duhen shpesh, sidomos të rinjve, sepse po harrojmë ikonat e kulturës dhe artit shqiptar.
    Miqësisht!
    Kadri Tarelli
    Durrës

    Përgjigju ↓