MILOSAO

Sheshi i Shën Markut

15:10 - 10.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është një cikël poezish të mrekullueshme prej autorit kroat, një nga poetët më të lexuar të rajonit në kohën tonë. Autori punon me simbolika dhe koncepte dhe jep një letërsi me
karakteristika realisht shumë të larta…




Nga Marko PogaCar*

Diçka po ndodh, por se çfarë nuk po di.
krahnori i dikujt gufmon dhe tkurret,
rrudhen muret e venave, ato rruvija e gjëndra
çlirojnë një hidhësi të jashtëzakonshme mbi Zagreb.
ja një i tillë qiell është në këto ditë: një makth
pa një pikëz shenjtëri. bllok në të cilin shumë gjëra
gjenden apo ende s’janë vizatuar, shurukamë
të miliona këmbëve në lëvizje.
makth, zëra të përsëritur, një makth
përsërit ti. linja të mprehta nga ku
shiu rrjedh kah tragave të tij; thonj, me siguri thonj.
rreth duarve kacavirren gjethe, sepse është vjeshtë dhe të tilla gjëra
shkojnë pa dhimbje. uji po zien
në tenxhere. qentë shndërrohen të zinj. ata që më afrohen
i qasen djallit të topitur: një makth, përsëris,
makth, përsërisin ata. i gjithë qielli
grumbullohet mbi supe, ani askush nuk dëgjon dot
në këtë tollovi. gjithçka duket e re dhe e gjitha e sëmurë
në çdo gjë në Zagreb. sytë, pjatat, gjërat
përmes së cilave ne këqyremi. të gjitha të shenjta, të gjitha të mprehta
të gjithë qentë, të gjitha zërat tanë të trashur. fjalimi
i një qytet etur të kafshojë, pisha, një tufë, diçka
në ajër dhe nën tokë, në mure; diçka
mbi ne por edhe dikund tjetër. diçka është duke ndodh,
po se çfarë nuk e di.

Njeriu darkon në pantoflat e të atit
Ato çfarë përbënin dikur kufijtë, tani je thjesht ti?
ishte maj i thellë dhe monoton
udhëza prishur prej punëve, bora
e beftë dhe e thatë.
ta kumtoj hapur:
s’i kam borxh asgjë askujt.
isha duke qëndruar në prag, uji
ngrirë prej frikës më njomi kurrizin.
dhe kur i mbylla sytë pashë
zogëzën tek ngutej kah kripës së saj, sak kuptova se
ndonjëherë netët nxijnë, mu si bajga.
hyra për t’u përball me një pamje munduese:
pa dashuri, marrëzi, veçse marrëzia është zemra e botës –
dhe tani brenda atyre pantoflave ha dhe vajtoj,
vetëm ha dhe vajtoj nëpër shtëpi.

Ujdia (Zoti dhe arkëtarja)
Bota është një llogaritar me krehrin
e vendosur n’xhep të këmishës, unazë ari, një lidhës

që mungon, lidhëse
kapur në vendin e gishtit, në kockën e derrit-

llogaritari, i së njëjtës botë, edhe me të gjitha morrat e veta,
me shampon e tij të pandihë prej hithre, që fare s’vlen.

dashuria e fshehtë e arkëtares.
dhe pastaj një udhëtim, pushimet dimërore në Tisa, patinazh

në një liqen të ngrirë, duke realizuar tetëshin e çmendur*,
si shenja e të pafundmes, në një ëndërr,

në një ëndërr rreth derrave, që tretet tek një rënie të fundme.
kurse arkëtarja ha e vetme kifla, djath dhe strudela:

arkëtarja nën qiell. mes dhëmbëve të saj kanë mbetur
grimca. në veshë vibron tringëllima e patinave.

dhe në kutinë e shkrepseve, aq të fëlliqtë e të zbrazët, një sënduk për zotin
e vdekur: se Zoti është një bankomat.
*Një nga figuracionet më të vështira në patinazh

Për kohën e keqe
S’është kjo ndonjë lloj pranvere.
vetëm se lulet përdridhen t’topitura jashtë gotëzës
kurse bletët i këndojnë linoleumit dhe qilimit të erës. ajri,
i plotë dhe i rëndë, rraset nën bar dhe ngre
barqet e minjve: nuk kalon një ditë dhe ata
zbulojnë trupin si perde dhe shpërhapin
kockat dhe brinjët. s’është kjo ndonjë lloj pranvere.
vetëm se uji në lum po gufmon dhe qilarët
presin të bëhen kapi me lajme të reja. aty-këtu zotat
gugasin nga varret, si pëllumba. dhe populli i tyre
gugat në sytë e popujve të tjerë, po gjatë natës, kjo po ndodh
natën. ditën mugullon dhe zogjtë kthehen në qytet: telat
e rënda të këngës dhe toka pjellore prej jashtëqitjesh mbërthen fytin.
gardhet zvarriten në qiell. kamerierët gatisin tavolinat
dhe mizat bien brenda gotash. e gjelbra shpejt e mëson gjuhën e vet –
fjalor i besueshëm i qiparisit, shkronjat e ahut dhe mështeknës;
madje edhe e zeza nën thonjtë është gati të lulëzojë. megjithatë kjo s’është
pranverë. s’është asgjë. nuk ka pranverë pa ty, e mjaft pra
mjaft me gënjeshtra.

KORRIK, I Pakryer
Ja kështu është qyteti
pjatë që nata i avitet shumë ngadalë
pjatë flakërruese, por nata megjithatë po bie

ky është një qytet i madh
e gjithsesi rrallë dikushi ka ndonjë zbavitje

korrik

ai presion, kërcu nën krye të vitit
tragjedia e kohës sonë.

ky është qyteti, ky është qyteti a po e dëgjoni vallë
kioskat njëra pas tjetrës çojnë qepenat
shiu në avull tretet sakaq, populli ynë në qiell
populli në trupin e një oxhaku

ende megjithatë më ka ënda ditët e fshira shpejt në të djeshmen
që më shpejt se iriqët inatçi ia mbathin
makthit prej labirintit të shkurres së palëvizshme

po, shumë më tepër dritë dielli mbi krye
dhe e gjitha po bëhet më e vështirë t’i përball faktet
njerëzia rri e prangosur në qiell me yjet
si Gould* mu atje tutje në Kanada, në një pyll të tërë yjesh

poshtë këtu gjendemi në Korrik e lëkura po m’digjet
kudo përreth është Kroacia, një bumerang i marrë
zjarresh, shezllongësh, këngësh të pakta

kur rrobat thahen sakaq
dhe vdekja shtrëngohet në vetëm tri pika
fundit të një fjalie të papërfunduar.

*Glenn Gould, pianist i njohur kanadez (1932-1981)

E shtunë, Vithisja
Lind teksa qielli po rrëzohet
si një dardhë e kalbur
nën tryezë.

krimbat zvarriten
si kamerierë.

kurse faturat e papaguara
prehen njëra mbi tjetrën.

Maria hyn, unë ia them Marisë,
ajo veç m’i përshfaq dhëmbët.

prej tani kruspulloset dhe pret, kruspulloset
dhe duke pritur, vendos
për ta ndryshuar aromën e saj.

prirem nga derrat:
e vendos trupin mbi mish’n e bardhë
dhe teksa mbyll sytë, këqyr

mbi të gjithë hapësirën e natës flokëshprishur.

EPIKA, Atje lart
Llumi është i paanë atje sipër, një pellg i pamasë katrani.

qielli një filxhan i boshtë kafeje.
gjurmë buzëkuqi ndër dhëmbë, detyra e rrezikshme e kalimit
përshëndetjet e shpërndara vetes si tavolinat e një tarrace verore,
hi në zgavrat e veshëve, gojët, pëllëmbët,
tavllat e braktisura të botës.

është dita e të gjithë shenjtëve, ani nuk besoj as edhe tek njëri syresh.
vjeshta e të gjitha gjërave: tretja e trupit dhe kohës, kalendari i kuq,
ekskursione, vrima në boshësi, netët, të cilat në mënyrë kronike ngjizin dritën.

prej diku kundërmon bluarja, çmenduria e frontit të ftohtë vjeshtor: bie shi
dhe buron kafe, që e gjerbim me aq sa mundemi; po veç qëndrojmë ende këtu.

Pengesa të bukura
Shtëpia është një kuti.
ka shtëpi të ndryshme dhe po kuti të ndryshme, thonë.
varësisht prej nevojave, klimës
shpirtit dhe gabimesh të tjera. ka kaq shumë syresh
saqë ndonjëherë është kaq e vështirë ti identifikosh.

megjithatë, shtëpia është një kuti, them unë.
ashtu si furra e nxehtë vetë dielli
kafaz brinjësh për bufin e pagjumë të zemrës,
ballin e një gote dhe çdo eshtre si flaut. e jo.
s’jam fare i interesuar në ç’mënyrë mbërritën.

kjo është thjesht arkeologjia e shtëpisë
dhe filozofia e kutisë ose anasjelltas.
është e rëndësishme të ketë kute nëse i doni muret
dhe dije se ato pengesa të bukura gjenden ngado.
se çdo shtëpi dhe kuti duhet të ketë mundësi mbyllje.

çelësi i suksesit është te mbulesat, dritaret në shtëpi.
më të forta se dyert, më tinzare; më shumë t’prirura së fshehtës.
oxhaku është një vrimë në zverk. hapje ajrit
kapur prej një fëndyelli, e nëse do kish lepur në të, më mirë ende:

marmidë, për daljen e të gjallëve nga jeta.
jo. tymi nuk është shpirt. nuk ka gjë më të heshtur dhe më të mërzitshme
sesa shpirti. tymi është ajo pra çka e bën të mundur një shtëpi-kuti:
tradhtia e mureve. një thirrje për hapjen e qiellit.

Viti i Çajit
E mora dhe e dhashë sikur po sjell
ndërmend dikë tjetër. magneti është metali im i preferuar.
të dy gjithmonë tërheqim, por ai ka pak më shumë sens
për zgjedhje, atë që s’do thjesht s’e pranon. e unë s’jam
aq stoik. mundohet t’hyjë në re
dhe tani më mbush. dega rëndohet,
sikur në të po këndojnë zogj. ani askush s’këndon.
nëse në rrugë do të shfaqej dielli
do të kundroja ylberin e plotë dhe asfalti do të avullonte. nga avulli
çdo herë lind diçka. magneti është një mjet
për përcaktimin e dashurisë, edhe pse ndonjëherë s’ia del. dashuria
e ndjek atë. në rastin më të mirë, nëse dielli ngrihet
lart, në qoftë se davaritet mjegull, do të lëshonim hijen.
ndaj i mbaj dritaret e ulura dhe lëkura
e veshëve t’mi vuan. nuk mund t’ju dëgjoj. shoh mjeshtrin, i cili mbërthen
me gozhdë. shoh një mace që ikën. shoh Vladimirin
sesi ngjitet në shkallët dhe i bërtas: ore Vladimir!
ai kthehet, por nuk më njeh. shpejtësitë tona janë
të harmonizuar vetëm me rrotullimin e botës. kurse unë jam më i shpejtë.
mbështetem në teknikën e keqe dhe taktikën e dobët
e megjithatë lë gjurmë. kur gjej dikë shpejtësia e
të cilit është e ngjashme me timen i blatoj atij emrin. lart n’ajri
zvarritet një avion. nuk e dëgjoj dhe as nuk e shoh dot, por ekzistenca e tij është
plotësisht e qartë. nga lart përvijohet i gjatë si plumbi. tapa në këtë
seksion të paparashikueshëm, pa peshë dhe ton. tradita
thotë: poshtë nuk ia vlen të shkosh! tradita thotë se je i martuar
dhe se gruaja jote është lëkurëzezë, sepse ju jeni ciganë. shiu
po pakësohet, lulet janë të përgjakura dhe goja e kafshës shpërbëhet.
mizat kalojnë nëpër dritare. është qetësi. muzikë e paqejf e hapësirës,
dhe ai po ndjek. nga varësja, ngadalë, kullon përmes hapjeve të mia.
çdo herë që udhëtoj e kujtoj shpejtësinë time. kështu
askush nuk vraponte. kur erdha njëherë në fshatin
fqinj para makinës. po binte shi. rrugët ishin
mbushur me baltë. disa herë u rrëzova, isha shndërruar në një gjë krejt kafe, ani i lumtur.
kurrë s’kam vrapuar sepse doja që kështu të më kujtohej.
mendova për njerëzit. nuk është e vërtetë se në këngët e mia
nuk ka njerëz. atje është Vladimiri. e thirra atëherë në Emër
dhe ai ia doli, para qiellit të veriut. është mesditë. hijet tona
janë me ne ose ne po i paraprijmë. shpejtësia zvogëlohet. të gjitha
kafshët u zhdukën për diku. vdekja është traditë; duhet ta frenosh,
dhe të lihet të kalbet. duhet të jetë pra krejt si magnet. dashuria
është një proces i rreptësisë. burim i syrgjynosjes. po gjithë vitin thjesht gatova.
isha duke zier çaj pra gjatë gjithë vitit.

*Përktheu nga origjinali kroatisht Ben Andoni


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.