EKONOMI

Sigurimi i makinave për shitblerjen e mjetit, siguracioni duhet bërë nga e para

12:03 - 10.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri. Madje pronari i vjetër i makinës ka të drejtë të kërkojë rikthimin e pjesës së sigurimit për ditët e mbetura në rast se nuk ka përfituar siguracion gjatë periudhës së sigurimit. Rregulli i ri është përcaktuar në projektligjin e hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili ka mbërritur për shqyrtim në Kuvend. Sipas nenit 25 të projektligjit ku përcaktohet ndryshimi i pronësisë së mjetit, përcaktohet që pronari i ri duhet të bëjë kontratë të re sigurimi për mjetin, kurse ai që e ka pasur deri dje i kthehen paratë për pjesën e mbetur të periudhës. “Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri. Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit, ndërsa pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm”,- projektligj.




Drafti
Ky draft ligj rregullon sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Sipas draftit, sigurimi i detyrue-shëm në sektorin e transportit përfshin: a) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit të mjetit motorik, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti; b) sigurimin e pasagjerëve nga aksidentet në transportin publik; c) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit të mjetit lundrues, për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti; ç) sigurimin e përgjegjësisë së pronarit të avionit, për dëmet shkaktuar palëve të treta dhe pasagjerëve nga përdorimi i këtij avioni. Ndërkohë që dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për kategori të veçanta mjetesh motorike të Forcave të Armatosura, të cilat përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

Kompensimi
Në draft është parashikuar që fondi i kompensimit administrohet nga Enti dhe ka për qëllim pagesën e dëmeve ndaj pronës dhe ndaj personit të ndodhura në territorin e Republikës së Shqipërisë, për: a) dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të pasiguruara; b) dëmet e shkaktuara nga përdorimi i mjeteve motorike të paidentifikuara; c) pagesën e dëmshpërblimit ndaj pasagjerit në rastet kur pronari i një mjeti motorik në transportin publik nuk ka lidhur kontratë për sigurimin e pasagjerëve. Vlera minimale e Fondit të Kompensimit me qëllim pagesën e dëmeve nuk mund të jetë më e vogël se 150 000 000 lekë. Kjo vlerë mbahet nga Enti, si fond garancie në një llogari bankare qëllimore në njërën nga bankat dhe/ose degët e bankave të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe investohet vetëm në bono thesari dhe/ose depozita bankare, me afat maturimi jo më të vogël se 1 vit. Enti krijon dhe mban provigjone teknike të dëmeve të fondit të kompensimit. Provigjonet teknike të dëmeve duhet të llogariten nga aktuari i autorizuar. Ndërkohë bazat, metodat e llogaritjes, mënyrat e mbajtjes së provigjoneve teknike, investimi i aktiveve në mbulim të provigjoneve si dhe raportimi në Autoritet përcaktohen me rregullore të miratuar nga Autoriteti

Neni 25

Ndryshimi i pronësisë së mjetit
1. Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri.
2. Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit ndërsa pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm.

Ishte
Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë, që rrjedhin nga kontrata e sigurimit, i kalojnë pronarit të ri dhe vlejnë deri në përfundimin e kontratës së sigurimit, përfshirë këtu edhe të drejtat e detyrimet e përcaktuara në nenin 8 të këtij ligji. Pronari i ri, brenda 8 ditëve, detyrohet të njoftojë shoqërinë e sigurimit për ndryshimin e pronësisë së mjetit dhe pasqyrimin e këtij ndryshimi në kontratën e sigurimit

Bëhet
Në rast se ndryshon pronësia e mjetit gjatë periudhës së sigurimit, të drejtat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga kontrata e sigurimit nuk i kalojnë pronarit të ri. Pronari i ri i mjetit motorik duhet të lidhë kontratën e sigurimit, ndërsa pronari i vjetër ka të drejtë të kërkojë kthimin e pjesës proporcionale të primit, në rast se nga kjo kontratë nuk është paguar ndonjë dëm.

Përgjegjësia e shoqërisë së sigurimit dhe shuma e siguruar

1. Detyrimi i shoqërisë së sigurimit që rrjedh nga kontrata e sigurimit, përfaqësohet nga kufijtë minimalë të mbulimit të vlefshëm në ditën e aksidentit, përveç rastit kur në kontratën e sigurimit përcaktohet një vlerë më e lartë.
2. Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, sipas nenit 17 të këtij ligji, përcaktohet si më poshtë:
a) 2 000 000 lekë në rast vdekjeje;
b) 4 000 000 lekë në rast paaftësie të përhershme për punë;
c) 1 000 000 lekë në rast paaftësie të përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore.
3. Ky sigurim mbulon dëmtimet trupore të shkaktuara pasagjerit nga apo si pasojë e:
a) defekteve teknike që çojnë në humbjen e kontrollit mbi mjetin, defekte, të cilat ndodhin jo për faj të pronarit apo drejtuesit të mjetit të transportit urban;
b) rënia e objekteve të jashtme mbi mjetin motorik gjatë përdorimit të tij, qëndrimit në stacion apo gjatë qarkullimit;
c) dëmtime aksidentale të shkaktuar nga grumbullime masive, akte të dhunshme që mund të kenë motiv politik ose social, si atentate, sabotime, akte terroriste, dëmtime, zjarrvënie të qëllimshme, ngjarje apo shpërthime në objektet e ndryshme që ndodhen jashtë mjetit të transportit publik me kusht që ai mos të jetë pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje;
ç) frenim i papritur, plasja e gomës, devijimet e lëvizjes si rezultat i një shpërthimi apo shmangie e menjëhershme e detyruar që çon deri në përmbysjen e mjetit të transportit publik;
d) eksplozioni që ndodh jashtë mjetit të transportit publik me kusht që mjeti mos të jetë pjesëmarrës aktiv në ngjarje;
dh) çdo ngjarje tjetër që ndodh jo për faj të drejtuesit/pronarit të mjetit të transportit publik dhe nuk mbulohet nga sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë të pronarit të mjetit.
4. Shoqëria e sigurimit është e detyruar të zbatojë parashikimet e nenit 10 të këtij ligji për trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim.

 

Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm

1. Shoqëria e sigurimit i përcakton vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike.
2. Shoqëria e sigurimit njofton Autoritetin të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe depoziton në Autoritet, bazat teknike dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë.
3. Autoriteti në funksion të mbikëqyrjes së veprimtarisë të shoqërisë së sigurimit, urdhëron rishikimin e tarifave të reja të primeve nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit nuk janë të sakta ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale, të përcaktuara me rregullore nga Autoriteti.
4. Tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik.
5. Shoqëritë e sigurimit duhet të krijojnë provigjone teknike jo më pak se niveli i provigjoneve teknike i përcaktuar me rregullore nga Autoriteti.
6. Shpenzimet e marrjes në sigurim, shpenzimet administrative, si dhe pjesa e llogaritur për fitimin e shoqërisë së sigurimit nuk mund të jenë më shumë se 40% i primit të shkruar bruto nga të cilat komisionet e ndërmjetësimit të mos jenë më shumë se 12 % i primit.
7. Në raste të veçanta, Autoriteti mund të miratojë për një afat të caktuar, një nivel më të ulët ose më të lartë se 10% të nivelit të shpenzimeve të marrjes në sigurim, shpenzimeve administrative, si dhe pjesës së llogaritur për fitimin e shoqërisë së sigurimit, të përcaktuar në pikën 6 të këtij neni.
8. Shoqëria e sigurimit nuk mund të aplikojë tarifa të primit të shkruar bruto të ndryshme nga ato të përcaktuara sipas pikës 2 dhe 3 të këtij neni.
9. Shoqëria e sigurimit duhet të përfshijë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të primeve të sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti motorik, me përjashtim të policës kufitare dhe kartonit jeshil.
10. Autoriteti përcakton kriteret e sistemit bonus-malus, kategoritë e mjeteve ku zbatohet si dhe të dhënat e nevojshme për zbatimin e këtij sistemi.

E drejta për dëmshpërblim

1. Pasagjeri ose përfituesi, ka të drejtë sipas kushteve të kësaj kontrate të kërkojë tek shoqëria e sigurimit me të cilën është lidhur kontrata e sigurimit të paguajë dëmshpërblimin.
2. Pronari i mjetit të transportit publik vendos në një vend të dukshëm të mjetit të transportit publik emrin e shoqërisë së sigurimit të përcaktuar në kontratën e sigurimit si dhe të drejtën e pasagjerit për të përfituar nga kjo kontratë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.