SHËNDET

Ylli Merja: Si të kuroni infeksionet e syve me çajin bimor

14:00 - 14.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në periudhën e verës fillojnë patologji të ndryshme pasi me rritjen e temperaturave, rriten edhe bakteret në ajër dhe tokë. Këto e shumë faktorë të tjerë ndikojnë në dëmtimin e shikimit nëse nuk kujdesemi për sytë në mënyrën e duhur. Rrezet e diellit dëmtojnë shikimin, rrezet UVA dëmtojnë kornenë e syrit, dhe arrijnë deri në thellësi, ndërsa rrezet UVB dëmtojnë sipërfaqen e syrit. Në verë patologjitë që prekin sytë janë alergjia, infeksionet, tharja e lëngut të syve nga i nxehti ose nga përdorimi i freskueseve, kondicionerit. Gjatë sezonit të verës ka shumë ambiente që mund të merren infeksionet në sy si uji i detit i ndotur, pishina, ajri në ambiente të mbyllura si transporti publik.




Uji i detit është i pasur me antibiotikë natyralë prandaj është më pak rreziku i infeksioneve të ndryshme, por në bregdetin e mbipopulluar ose të pistë bëhet burim infeksionesh që prekin të gjitha moshat, por më shumë fëmijët dhe të moshuarit. Rreziku më i madh që shkaktojnë jo vetëm infeksione në sy, por edhe në lëkurë janë pishinat. Uji i pishinave qëndron i palëvizur dhe në një sipërfaqe të vogël lahen individë të ndryshëm ku secili ka baktere të ndryshme në lëkurë, apo infeksione.

Shumë njerëz mendojnë se nuk janë aq të rrezikshme pasi jo të gjithë i kapin infeksionet apo myku i pishinës. Është e vërtetë që jo të gjithë preken, pasi disa individë janë imunë ndaj disa baktereve, sepse kanë sistem imunitar më të fuqishëm, ose sepse trupi i tyre ka kaluar një infeksion të tillë në moshë më të re dhe ka krijuar antitrupa mbrojtës, të cilët lëvizin në gjakun e tij dhe e mbrojnë përgjatë gjithë jetës. Infeksionet e syrit janë dy llojesh: infeksion i kapakut të syrit ose i të bardhës së syrit. Këto infeksione ndodhin për shkak të ndotjes së ajrit, thatësirës dhe mungesës së higjienës personale. Duhet evituar në maksimum prekja e syve gjatë gjithë kohës, duart janë të mbushura me mikrobe edhe pse lahen shumë herë, sidomos në ambiente publike, autobus, dyqane, supermarkete etj. Kopshtet dhe çerdhet duhet të rritin higjienën gjatë periudhës së verës pasi fëmijët janë të parët që preken nga infeksionet, dhe kopshtet janë vendet ku përhapen mikrobet, bakteret dhe parazitët shumë shpejt. Alergjia në verë prek njerëzit që janë alergjikë nga pluhuri ose poleni, e kjo ndodh më shumë në periudhën e fillimit të verës. Pluhuri dhe poleni shpërndahen me anë të erës.

Alergjia shkakton fryrje të syve, kruajtje dhe skuqje. Sinoziti është një sëmundje tjetër që në periudhën e verës është më e shpeshtë, pasi nga rritja e temperaturës shkakton acarimin e infeksionit që sjell sinozitin. Kjo jep rëndesë dhe dhimbje në pjesën e syve dhe ballit, sidomos gjatë qëndrimit në diell. Për individët që vuajnë nga sinoziti këshillohet të përdorin syze dhe të mos qëndrojnë në diell për një kohë të gjatë. Nëse keni irritim të syve, skuqje e fryrje të tyre në pjesën e poshtme mund të keni mungesë lëngu në sy. Në rastin e infeksioneve të kapakut të syve mund të formohen kokrra të vogla në këtë zonë.

Këshilla praktike
Në periudhën e verës duhen përdorur syze pasi rrezet e forta të diellit dëmtojnë shikimin e duhet pasur higjienë maksimale nëse përdorni lente. Këshillohet të përdorni ushqime që përmbajnë beta karoten si karota e të mbani syze në pishinë ose det. Kujdesuni që të përdorni furça të lara për përdorim afër syve, por edhe për fytyrën. Kur shkoni tek parukierja sigurohuni që të jetë duke përdorur peshqirë dhe furça të pastra.

Trajtimi me bimë medicinale
Kamomili përmban terpene, kumarin dhe flavonoide e të gjitha këto i japin veti antioksidante, antibakteriale dhe antiinflamatore. Prandaj kamomili është qetësues i mirë i inflamacioneve në sy, dhe largon kështu infeksionet e syve. Kokoceli përmban flavonoide, polifenole dhe acide karboksilike që i japin veti antibakteriale, astrigjente, dhe antiinflamatore. Kokoceli dhe kamomili janë dy bimë, të cilat eksperimentalisht kanë vepruar kundër infeksioneve të syrit që janë përdorur që në lashtësi, por përdorimi i tyre vazhdon akoma edhe sot.

Përgatitja e çajit bëhet kështu: Në një gotë ujë të valuar hidhni 1 lugë gjelle me kamomil dhe 1 lugë gjelle me kokoceli. Lihet të qëndrojë i mbuluar për 3-5 minuta dhe më tej kullohet çaji. Merret një fasho, laget me çajin dhe vendosen kompresat te sytë. Kjo përsëritet 2 herë në ditë, mëngjes e darkë. Gjithashtu, çaji i boronicës së zezë duhet përdorur në të njëjtën kohë. Boronica është ndër bimët më të fuqishme që rigjeneron nervin e shikimit dhe rregullon qarkullimin e gjakut në tru. Çaji i boronicës duhet përdorur tri herë në ditë nga një gotë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.