MILOSAO

Për librin e Ferrantes!

15:25 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Historia e vajzës së humbur” është vëllimi i katërt dhe i fundit i “Mikeshës gjeniale”, sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë.
Në fillim, pamë dy vajzat e vogla të hidhnin qëllimisht kukullat e tyre prej lecke në bodrumin e don Akil Karraçit, që mban nën kontroll gjithë të varfrit me anë të mekanizmave korruptues; të atij përbindëshi të pamëshirshëm, në portën e të cilit vendosën të trokisnin me atë shkas, duke ngjitur shkallët e duke ecur dorë për dore me njëra-tjetrën për të marrë zemër, njëra përpara, Lina, e paepur, trime, tjetra pas, frikacake e gjithnjë një hap mbrapa. Qysh prej atij çasti, që prej asaj “skene të parë” – që theu digën dhe shpërtheu vrullshëm rrjedhën e rrëfimit, në qendër të të cilit mbetet ujdia e rreptë e bashkëpunimit mes protagonisteve – zë fill një lojë pasqyrash dhe shkëmbimesh, ku mezi arrijmë të deshifrojmë se cila prej të dyjave është “mikesha gjeniale”.
Dy vajzat tashmë janë të rritura, më pas të moshuara. Që prej viteve ’50-të deri më sot kanë përjetuar ndryshime epokale, kanë arritur e kanë dëshmuar me sytë e tyre një mirëqenie të papritur, pastaj mohimin, dehjen e lirisë së hershme seksuale, dehjen politike, vitet e plumbta, terrorizmin; kupola e kamorristëve, që kontrollon gjithçka dhe përcakton rregullat e lojës, bëhet gjithnjë e më kanosëse.
Dy heroinat, Lina dhe Elena, tashmë kanë mbi shpinë një jetë plot ngjarje, zbulime, rrëzime dhe “rilindje”. Elena, shkrimtare e njohur, nënë e dy vajzave, kthehet në Napoli për t’i rënë pas një dashurie rinore, që u bë sërish e pranishme në jetën e saj të re. Lina nuk është larguar kurrë nga Napoli, ku arriti të ngrinte një karrierë të mahnitshme si sipërmarrëse informatike, duke ushtruar më shumë se kurrë rolin e saj karizmatik dhe magnetik si lidere e fshehtë, por e vërtetë e lagjes.
Dy gratë, pole vërtet të kundërta të së njëjtës forcë, takohen dhe përplasen, ndikoj në mbi njëra-tjetrën, largohen e sërish gjenden, zilepsen dhe admirojnë shoshoqen.
Ky vëllim i katërt dhe i fundit përmbyll një vepër letrare jashtëzakonisht pjellore dhe frymëzuese, një vepër e pranuar ndërkombëtarisht si një prej më të mirave të kohës sonë.




Vlerësimet
Numri 1, në revistën Time, në listën “10 librat më të mirë letrarë të 2015”.
Një nga “10 librat më të mirë letrarë të 2015” në The New York Times Book

Review
†Një nga “10 librat më të mirë letrarë të 2015” në People Magazine.
†Përmendur në listën e “15 librave që duhen lexuar këtë vjeshtë” në Wall Street Journal.

Titulli: “Historia e vajzës së humbur”
Titulli në origjinal: “Storia della bambina perduta”
Autori: Elena Ferrante
Përktheu: Agim Doksani
Zhanri: Roman
Data e botimit: Qershor, 2018
Numri i faqeve: 484
Çmimi: 1200 lekë
Kandidate për çmimin Man Booker International, 2016.

Kritika

Pas kaq e kaq dekadash, vepra e parë nga Italia që ia vlen të fitojë çmimin Nobel.
The Guardian

Saga e saj napolitane është një kryevepër epike, një roman për jetën dhe rritjen e një artisti, i mbushur me pasion dhe furi… Ferrante është e fshehtë: familjarja, në librat e saj të shkëlqyer, është një bombë me sahat që rreh shumë fort për t’i qëndruar mospërfillës.
TIME’s 100 Most Influential People

Këtë po e them me besimin e patundur që s’e kam ndier gjatë 15 vjetëve që jam marrë me recensione librash: saga napolitane është e jashtëzakonshme.
The Sunday Times

“Historia e vajzës së humbur” nuk i jep sagës një fund qetësues, por pohon edhe njëherë se Ferrante është një prej zërave më të fortë të narratives bashkëkohore.
The Telegraph

Nga këndvështrimi letrar, qasja e Ferrantes është mjeshtërore: përdor trofetë melodramatike të soap-operave për të rrëfyer një histori të bukur, ku ndërkallen gjithandej vëzhgime të holla filozofike.
The Economist

Zemra e errët e miqësisë rrallëherë është disektuar me kaq detaje të hollësishme.
The Evening Standard

… një marifet i vjetër letrar, ose të paktën, po aq i vjetër sa Prusti: rrëfimi i një historie dhembjeje dhe disfate e pastaj, në fund, pranimi se gjithçka do të shëlbehet nga arti, nga një libër – e pikërisht nga libri që po lexoni. Elena do të shkruajë për muaj me radhë… për të qetësuar shoqen e saj dhe veten, si dhe për të arritur, përtej metaforës, që të shpëtojë jetën nga brengat, që të nxjerrë kthjelltësinë nga kaosi, pa mohuar ekzistencën e brengës dhe të kaosit. Ajo afron karrigen te tryeza e saj. “Do ta shohim se kush do të fitojë kësaj radhe”, thotë ajo. Arti fiton. Ne fitojmë.
The NeW Yorker

Fragmente nga libri
1)
Ndryshe nga ç’ndodh në rrëfime, jeta e vërtetë, kur ka kaluar, zgjatet përpara jo drejt kthjelltësisë, por drejt errësirës.
2)
Çdo marrëdhënie e ngushtë mes qenieve njerëzore është plot tehe të mprehta dhe nëse do që të zgjasë, duhet të mësosh t’iu dredhosh. Kështu bëra edhe në atë rrethanë e, në fund, m’u duk që sërish u gjenda para provës se sa e shkëlqyer dhe e errët ishte miqësia jonë, sa e gjatë dhe e koklavitur kishte qenë dhembja e Lilës, se si ajo vazhdonte të ekzistonte dhe do të ekzistonte përgjithmonë.
3)
Këto tradhti, mërmëriti, nuk bëjnë fajde kur tjetri nuk i mëson në çastin e duhur; kur je i dashuruar, fal gjithçka. Që tradhtitë të fitojnë peshën e vërtetë duhet që dashuria të nisë të zvjerdhet.
4)
…për të prodhuar ide nuk është nevoja të jesh shenjtor. Gjithsesi, intelektualët e vërtetë janë një grusht. Masa e të kulturuarve komenton përtacisht tërë jetën idetë e të tjerëve. Energjitë më të mira i shpenzojnë në ushtrime sadizmi kundër çdo rivali të mundshëm.
5)
Ia ktheva: po më la edhe Ima, jeta ime s’ka më kuptim. Por ajo buzëqeshi: e ku është shkruar që jetët duhet të kenë një kuptim?
6)
Shpejt zbulova se po mësohesha të isha njëherësh e lumtur dhe fatkeqe, sikur të ishte pikërisht ky statusi i ri dhe i pashmangshëm i jetës sime.
7)
Atë idenë e zhdukjes e kishte shprehur shpesh, por nga fillimi i viteve ‘90 – sidomos nga viti 2000 e tutje – iu kthye në një lloj refreni kryeneç e tallës. Ishte një metaforë, natyrisht. I pëlqente, e kishte përdorur në rrethana nga më të ndryshmet, dhe kurrë s’më shkoi në mendje, në tërë ato vite të miqësisë sonë – as në çastet më të tmerrshme fill pas zhdukjes së Tinës – që të mendonte për vetëvrasje. Zhdukja ishte një lloj projekti estetik. Është e padurueshme, thoshte, elektronika duket kaq e pastër, por në fakt ndot, ndot jashtë mase, dhe të detyron ta lësh veten kudo si të pëgërje e të pshurrje nën vete vazhdimisht: kurse unë s’dua të lë asgjë nga vetja, tasti i parapëlqyer është FSHI.
8)
Në këtë mes, vetëm ne të dyja kemi lidhje: ajo që kërkon që unë të jap atë çka natyra e saj dhe rrethanat ia ndaluan ta jepte, unë që nuk arrij të jap atë çka ajo pretendon; ajo që nxehet me pazotësinë time dhe për inat do të më shndërrojë në hiç siç bëri me veten, mua që shkrova muaj e muaj me radhë për t’i dhënë një trajtë që të mos tretet, dhe ta mundja, dhe ta qetësoja, dhe kësisoj të qetësohesha edhe vetë.
9)
Kush është në depresion, nuk shkruan libra. I shkruajnë njerëzit e kënaqur, që udhëtojnë, që janë të dashuruar, dhe flasin e flasin të bindur që fjalët, në një mënyrë a një tjetër, gjithnjë shkojnë në vendin e duhur.
– Pse, nuk është kështu?
– Jo, fjalët rrallë shkojnë në vendin e duhur, dhe vetëm për një kohë shumë të shkurtër. Më së shumti, shërbejnë për të llomotitur në tym, si tani. Apo për t’u shtirur sikur gjithçka është në kontroll.
10)
Ishin vite të ndërlikuara. Rendi i botës ku qemë rritur po shpërbëhej. Aftësitë e vjetra të fituara falë studimit të gjatë dhe shkencës së vijës së drejtë politike befas dukeshin një mënyrë e pakuptimtë për të zënë kohën. Anarkist, marksist, gramshist, komunist, leninist, trockist, maoist, punëtorist, po bëheshin me shpejtësi etiketime të vonuara apo, më keq akoma, një damkë shtazërie. Shfrytëzimi i njeriut nga njeriu dhe logjika e fitimit maksimal, që dikur mbaheshin si diçka e neveritshme, tani ishin kthyer kudo në shtylla mbajtëse të lirisë dhe të demokracisë. Ndërkaq, përmes rrugësh të ligjshme dhe të paligjshme, tërë hesapet e hapura brenda shtetit dhe brenda organizatave revolucionare po mbylleshin me dorë të fortë. Fare lehtë mund të përfundoje i vrarë ose në burg dhe, mes njerëzve të zakonshëm, kishte plasur paniku.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.