Kryesore

Republika e Maqedonisë Veriore, Tsipras dhe Zaev: Qytetarët tanë meritojnë paqen

10:50 - 17.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri i Greqisë dhe ai i Maqedonisë arritën në rajonin kufitar të Prespës paraditen e kësaj të diele, për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes dhe për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes të vjetër mes dy vendeve.




Marrëveshja, e nënshkruar në zonën greke të Prespës, shpreson të zgjidhë 27 vjet përplasje të vazhdueshme mes dy vendeve.

Alexis Tsipras i Greqisë dhe Zoran Zaev i Maqedonisë ishin dëshmitarë të nënshkrimit të marrëveshjes nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve.

Në fjalën e mbajtur, Tsipras i mëshoi rëndësisë që ka pakti për qytetarët, jo për politikanët.

“Është një marrëveshje për përmirësimin e jetës së qytetarëve. E kemi për detyrë që të vazhdojmë këtë rrugë historike dhe jam i bindur e optimist se do ta realizojmë këtë, që të shndërrohemi në shembuj paqeje dhe miqësie për rajonin dhe botën”, tha ai.

Teksa Zoran Zaev u shpreh se marrëveshja hedh pas krahëve 3 dekada ngërç, mosbesim dhe armiqësi dhe sheh nga e ardhmja.

“Së bashku me Greqinë të shtrojmë rrugën për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Së bashku do të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë e të ndërtojmë ura bashkëpunimi në të gjitha fushat. Qytetarët tanë meritojnë paqen”, deklaroi ai.

Nuk mund të mungonte as një mesazh për kundërshtarët e kësaj marrëveshje, të cilët janë të shumtë si në Shkup edhe në Athinë.

“Grekët, maqedonasit dhe gjithë europianët janë më të fortë se frika që mbjellin ata që janë kundër paqes, ata që janë ksenofobë dhe propagandues.

Tani Maqedonia do të quhet “Republika e Maqedonisë Veriore”, teksa kodi nacional do të jetë NMK.

Marrëveshja duhet të aprovohet nga të dyja parlamentet dhe në Maqedoni do t’i nënshtrohet një referendumi.

Dëshmitarë të kësaj ngjarje historike ishin gjithashtu edhe ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Federika Mogerini, Eurokomisioneri për Zgjerim, Johanes Han dhe Rozmari Di Karlo, zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.