Kryesore

“Mazreku”, kreu i këshillit bashkiak: Propozimi erdhi nga bashkia. Lala: Ndër më të mirët e Hasit

12:30 - 19.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Ish-deputeti dhe anëtari i PS-së, Gafur Mazreku, që plagosi në vitin 1997 në mes të parlamentit shqiptar Azem Hajdarin, dje u shpall “Qytetar Nderi” i Hasit (pas vdekjes).




Në propozimin e Bashkisë së Hasit dhe të miratuar nga këshilli bashkiak shkruhet ndër të tjera se Gafur Mazerku duhet të dekorohet për “kontributin e dhënë në ushtrimin e detyrës së besuar nga populli i tij për pushtetin vendor, kontribut i përçuar jo vetëm për popullin e zonës së tij, por për mbarë popullin e Hasit”. Ndërsa motivacioni i dhënies së këtij titulli është: “Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”. Projektvendimi mban firmën e kryebashkiakut Adem Lala, por edhe të juristes e një eksperti në arsim.

Nisur nga kjo, me 13 vota pro dhe 1 abstenim, Këshilli Bashkiak i Hasit shpalli Gafurr Mazrekun “Qytetar Nderi” të Hasit, me motivacionin “Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”. I pyetur nga “Gazeta Shqiptare” lidhur me arsyet e marrjes së vendit, kreu i këshilltarëve bashkiakë, Agim Xhaferi bëri të ditur se propozimi ka ardhur nga Bashkia e Hasit dhe jo nga këshilli bashkiak. “Kemi marrë propozimin nga administrata e Bashkisë së Hasit, nga kryetari i bashkisë, juristja e bashkisë, nga zyra për çështjet e arsimit dhe kulturës me shkresë zyrtare për ta shpallur z.Mazreku ‘Qytetar Nderi’ të Hasit.

Motivacioni është ‘Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor'”, u shpreh z. Agim Xhaferi. Kurse kreu i Bashkisë së Hasit, Adem Lala tha se Mazreku është një nga figurat më të mira të Hasit dhe se “nuk e kupton pse duhet të debatohet figura e tij”. Kurse të djathtët i bënë thirrje prefektit që të mos e miratojë këtë vendim, të cilët e kundërshtuan vendimin dhe akuzuan se votimi u bë gjatë kohës së pushimit në fshehtësi nga të majtët. Miftar Dauti, kryetar i këshilltarëve të djathtë deklaroi: “Vendimi është i jashtëligjshëm, pasi vendimi është marrë pa prezencën e këshilltarëve të djathtë. Në kërkuam 5 minuta pushim për konsultime, ndërkohë këshilltarët e majtë e kanë miratuar propozimin e administratës së bashkisë.

I bëj thirrje prefektit që të mos e miratojë këtë vendim”. Gafur Mazreku më 18 shtator të vitit 1997 brenda ambienteve të Parlamentit të Shqipërisë, pas një sherri verbal dhe më pas fizik me deputetin Azem Hajdari e plagosi atë me armë zjarri. Mazreku u arrestua dhe gjykata e dënoi me 12 vite burg. Amnistitë e herëpashershme e ulën dënimin për Mazrekun, i cili lirohet në vitin 2001, tri vite pasi ishte dënuar. Në pranverën e vitit 2002 zgjidhet unanimisht kryetar i PS-së në Has dhe në vitin 2005, ai ndahet nga jeta pas një infarkti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.