KULTURË

Ben Derhemi: Teatri nuk është kapanon, do hyjmë në grevë të mos i vini flakën

10:00 - 21.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kisha një kërkesë si një njeri që jam marrë me lëvizjen për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Gjithë këto ditë këdo që kam takuar më pyesin e janë të interesuar të dinë çdo bëhet me këtë truall. Më thonë që me zemër janë me ne. Por unë sot, do iu kërkoj të gjithëve që të jenë me ne fizikisht. Me zemër janë të tërë me ne, por ky teatër mbrohet vetëm fizikisht. Vetëm fizikisht këta njerëz tremben”. Ka qenë kjo kërkesa që ka bërë dje aktori Ben Derhemi në protestën e përnatshme për mbrojtjen e truallit të teatrit. Ai shtoi se “çdo gjë që bëjmë ne këtu në sheshin e teatrit përgjohet e spiunohet. Çdo ditë. Por duhet të dini se do të vijmë shpejt të futemi në grevë urie. Të mos mendojnë se mund ta prekin, as të vënë dorë në të”,- tha aktori.




“Dikush shkruante më ‘Facebook’: Kjo verë do të jetë e nxehtë. Më erdhi keq. Por ta dini, unë po ju them se mos guxoni të vini dorën këtu. Mos guxoni të fusni flakën as t’i vini shkrepësen teatrit. Edhe si material kjo godinë nuk merr flakë. Mos guxoni t’i afroheni Teatrit Kombëtar. Ky nuk merr flakë”,-tha Derhemi.
Më herët, ai tha se e mbështet kauzën e teatrit se është kauzë e drejtë. “Nuk kemi asnjë interes. Kemi dashuri për këtë kapanon. Nuk është kapanon është shpirt. Në atë sallë kanë interpretuar njerëz që ju kanë dhënë shpirt ju, ne na kanë mësuar”. Derhemi interpretoi pjesë nga shfaqja e tij bazuar në veprën e At Zef Pllumit, “Rrno për me tregue”.Në takimin e djeshëm veç Derhemit folën edhe Taulanta Jupi, producentja Sabina Kodra, Arbër Çepani dhe juristi Çlirim Gjata.
Kodra kërkoi që kjo të jetë rezistencë popullore dhe që artistët të mos tërhiqen. “Unë e kam ndjekur protestën nga afër, sepse Bert Budina ka kohë që jeton me protestën dhe nuk dua që të përfshihemi e të bëhemi protagonistë e gjithë familja. Mos u dorëzoni!”, tha ajo

REAGIMI I NDRENIKËS
Aktori i madh i skenës, Robert Ndrenika, i ka shkruar një letër presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Nisur nga ajo çfarë ndodhi dje në Komisionin e Medias, ku u përplasën Albana Vokshi dhe kryebashkiaku, Erion Veliaj, Ndrenika thekson se partitë politike nuk duhet të trazohen në punët e teatrit, që është kthyer në një temë të nxehtë dhe të mbushur me debate. “Deputetët dhe politikanët në këtë rast, janë qytetarë dhe më së shumti, spektatorë”, – shkruan ndër të tjera, Ndrenika. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar ekskluzivisht letrën që i ka shkruar kolosi i skenës shqiptare, Robert Ndrenika, Ilir Metës dhe që po ua sjellim më poshtë.

Letra e plotë
I nderuar president i Republikës Ilir Meta!
Duke parë në TV atë që ndodhi dje në komisionin e medias m’u forcua bindja, se partitë politike, nuk duhet të trazohen në punët e teatrit.
Kam mendimin se kjo çështje, zgjidhet me bisedime midis komunitetit teatror dhe specialistëve. Deputetët dhe politikanët në këtë rast, janë qytetarë dhe më së shumti, spektatorë. Ndërsa qeveria “pa zhurmë dhe pa fjalë”, është e detyruar të fusë duart në qese dhe të nxjerrë paratë!!!
Me plot respekt
Robert Ndrenika


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.