OPINION

A mund të presë Shqipëria 600 mijë refugjatë?

07:30 - 22.06.18 Ilir Kalemaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Takimi i dhjetë liderëve europianë të mbledhur këto ditë për të diskutuar “pataten e nxehtë” të azilantëve politikë doli me një rezolutë të përbashkët të formuluar nga Komisioni Europian, ku theksoheshin shkurtimi drastik i përfitimeve për azilantët, deportimi i menjëhershëm i kandidatëve të pasuksesshëm dhe kontrolli rutinor si në kufijtë e brendshëm, ashtu edhe brenda shteteve anëtare. Barra nuk iu lehtësua vendeve hyrëse si Italia përkundër qëndrimit të ashpër që ka marrë kjo e fundit nëpërmjet ministrit të ri të Brendshëm të Legës, Salvinit. Por nga ana tjetër, mund të quhet një fitore taktike e kancelares Merkel, që gjendet përballë një sfide nga ministri i saj i Brendshëm dhe partnerja tradicionale e kristian-demokrates, CSU-së bavareze, që ka marrë një qëndrim shumë më të ashpër ndaj refugjatëve dhe propozon kthimin e tyre në kufi. Kjo së bashku me arritjen e një akordi tjetër të kancelares me presidentin francez Macron, të arritur po këto ditë mbi buxhetin, por edhe më e rëndësishme mbi paketën e ndërhyrjes për konsolidimin e eurozonës nëpërmjet një kompakti fiskal që ka qenë një kërkesë e hershme e Elizesë, synojnë të përftojnë kapital politik si në Paris, edhe në Berlin dhe të synojnë udhëtimin në ujëra të qeta për të ardhmen e afërt.




Por, në takimin e fundit u diskutua edhe dërgimi i emigrantëve të kapur në dete në vende kufitare me BE-në, në qendrat e pritjes, që mendohet të organizohen në të ardhmen e afërt aty. Kjo është në linjë me atë që fillimisht “Le Monde” raportoi për Shqipërinë dhe që e mirënjohura “Politico Europe” përsëriste para disa ditësh, ku Shqipëria dhe Tunizia ishin destinacionet e vetme të konsideruara deri tani nga Brukseli zyrtar. Për ta konfirmuar edhe më tej, ishte deklarata e nxituar dhe sfiduese e zv.ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, që theksonte në një intervistë për një të përditshme gjermane që Shqipëria është gati të presë 600 mijë refugjatë.

Menjëherë më pas, në filtrat e debatit publik u pozicionuan si rëndom në këto raste dy kampe diametralisht të kundërt, ku e përmbledhur njëra palë pasqyronte rrezikun në terma, që shpesh kalonin dhe në racizëm të hapur dhe një lloj ksenofobie të theksuar, kurse tjetra përdorte argumente konfuze që varionin nga detyrimi solidar i Shqipërisë si një vend që vetë ka 100 milionë emigrantë të shpërndarë nëpër botë, deri te mbitheksimi i detyrimit humanitar që ka Shqipëria në këtë rast apo te më cinikët që shihnin përfitime financiare nga kjo punë.

Mendoj që kanalizimi i debatit në këto hulli të kithta, por edhe të njëtrajtshme që e shohin vetëm bardh e zi situatën nga pozicione partizane nuk i shërben debatit për informimin e publikut, njëlloj sikundër deklaratat kontradiktore të qeverisë, e cila po luan një kumar diplomatik me këtë çështje, duke e lidhur ngushtësisht me hapjen e negociatave dhe duke synuar të përfitojë në secilin rast. Shkurtimisht, argumentet pse Shqipëria nuk mund të bëhet urë pritëse e 600 mijë refugjatëve janë: 1. Këtu nuk bëhet fjalë për refugjatë që synojnë të aplikojnë për azil politik në Shqipëri apo edhe ata që kalojnë transit, që llogariten në një numër krejtësisht periferik rreth 2 mijë përgjatë këtij viti, kryesisht në muajt maj-qershor. Por, bëhet fjalë që Shqipëria të përdoret si vendgrumbullimi i refugjatëve të kthyer nga BE pas azilit të pasuksesshëm, gjë që shton gjasat për elementë problematikë. 2. Çdolloj krahasimi me krizën humanitare të vëllezërve kosovarë që u spastruan etnikisht nga gjenocidi Millosheviçian e bën paradoksale dhe është në vetvete ose malinje, ose idioteske nga mosnjohës së rrethanave specifike gjeopolitike, kulturore etj. 3. Ka një dallim esencial mes refugjatëve të luftës të ikur nga vende të konflikt si Siria, Iraku apo Libia, numri i të cilëve jo vetëm është në rënie, por edhe kanë disa nga kategoritë e azilantëve të vërtetë dhe meritorë, por edhe janë lehtësisht të asimilueshëm për shkak të edukimit të tyre, zejeve dhe aftësive për t’u përshtatur dhe kategorive më problematike si pakistanezë apo afganë, të paktën duke iu referuar precedentëve në vendet e BE-së dhe është mirë të mësojmë nga eksperienca. 4. Karta e vetofrimit perfid dhe të pakonsultuar të ndërtimit të kampeve në Shqipëri përkundër “karrotës” së hapjes së negociatave është e rrezikshme, e painformuar dhe infantile si taktikë negociatore. 5. Ndryshimi kompozicionit demografik dhe aftësia përthithëse e Shqipërisë së rrudhur që po zbrazet me shpejtësi nga banorët e saj që po ikin si të ndërkyer në përpjekje për të siguruar pak dinjitet dhe siguri rrugëve të Europës. Krahasimi me Turqinë dhe krizën humanitare që asaj i duhej të përballonte kur rreth 2 milionë sirianë kapërcyen kufirin të detyruar nga konflikti dhe aftësia e Turqisë për të arritur një marrëveshje të drejtë me Brukselin për rreth 2 miliardë euro janë të paaplikueshme për shumë arsye me Shqipërinë. E para, sepse 600 mijë emigrantë të vetëftuar nga qeveria shqiptare proporcionalisht janë bombë demografike krahasuar me 2 milionë sirianë përkohësisht të strehuar në Turqi dhe të detyruar nga rrethanat të kapërcenin kufirin. E dyta, sepse ekonomitë e të dyja vendeve dhe aftësitë akomoduese nuk kanë të krahasuar. E treta, sepse aftësitë e diplomacisë sonë për të negociuar marrëveshje të drejta lënë krejtësisht për të dëshiruar. Dhe e fundit, sepse këtu ka mungesë transparence dhe informimi të opinionit publik, si dhe mungesë ekspertize të certifikuar për të kryer bilancet në avancë. Thënë kjo, çdo lloj kanalizimi i kundërt rreth diskutimeve mbi racën, ngjyrën, etninë apo kulturën e emigrantëve apo të tjera konotacione me sfond racist apo përhapje të alarmeve me natyrë ksenofobike, jo vetëm nuk i shërben debatit, por e fut në shtigje të rrezikshme, të parakohshme dhe jo utilitare për debatin publik dhe politik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.