OPINION

A ekziston lumturia dhe ku mund ta gjejmë atë?

07:27 - 24.06.18 Miron Çako
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në një varrezë të lashtë u gjet diçka e pazakontë, në pllakat e varrit ishin shkruar jo vitet e jetës së personit të vdekur, por minutat dhe orët. Ata që kishin vdekur, nuk ishin foshnja të sapolindura, por burra dhe gra. Atëherë çfarë kuptimi kishte kjo lloj llogaritjeje? Duket se ata njerëz të mençur e matnin kohën e jetës së tyre duke u bazuar te lumturia, d.m.th. sa kohë që ata ishin ndier të lumtur, aq kohë kishin jetuar vërtet.




Në filozofi, lumturia është përkthyer nga koncepti grek i eudaimonisë, dhe i referohet jetës së mirë, në krahasim me një emocion të çastit. Eudaimonia (εὐδαιμονία) është një fjalë greke e përkthyer zakonisht si lumturi ose mirëqenie. Është një koncept qendror në etikën aristoteliane. Aristoteli 300 pr.K besonte se lumturia ishte qëllimi përfundimtar i ekzistencës njerëzore. Në veprat e Aristotelit, eudaimonia (bazuar në traditën e vjetër greke) është përdorur si term për të mirën më të lartë njerëzore dhe kështu është qëllimi i filozofisë praktike, duke përfshirë etikën dhe filozofinë politike, duke marrë parasysh, gjithashtu, të përjetuarit e asaj që është me të vërtetë lumturi dhe si mund të arrihet ajo. Si rezultat ka shumë varietete të eudaimonizmit. Dy nga format më me ndikim në antikitet është ajo e Aristotelit dhe e stoikëve. Aristoteli merr virtytin dhe ushtrimi i tij është përbërësi më i rëndësishëm në fitimin eudaimoninë (lumturisë), por pranon, gjithashtu, rëndësinë e elementeve të jashtme si shëndeti, pasuria dhe bukuria, prandaj mësonte se: “Lumturia varet nga vetja jonë” Në të kundërt, stoikët e konsiderojnë virtytin të nevojshëm dhe të mjaftueshëm për eudaimoninë dhe kështu e mohojnë domosdoshmërinë e elementeve të jashtme.

Për lumturinë si koncept filozofik kanë folur shumë filozof në çdo kohë dikush me optimizëm apo cinizëm si p.sh. Gautama Buda që jetoj 500 pr.K thotë: “Nuk ka rrugë për lumturi: lumturia është rruga”-Sokrati jetoj 450 pr.K: “Sekreti i lumturisë, nuk gjendet në kërkimin e më shumë, por në zhvillimin e kapacitetit për të shijuar më pak” ose filozofët që jetuan pas Krishti në shekujt e afërt si Bertrand Russell që jetoi në fillim të viteve 1800: “Nga të gjitha format e kujdesit, kujdesi në dashuri është ndoshta më fatale për lumturinë e vërtetë”-John Stuart Mill, i lindur në 1806: “Unë kam mësuar të kërkoj lumturinë time duke kufizuar dëshirat e mia, sesa në përpjekjet për t’i kënaqur ato,” apo Henry David Thoreau, i lindur në 1817 në Massachusetts: “Lumturia është si një flutur, sa më shumë ta ndjekësh, aq më shumë do të të shmangë, por, nëse e ktheni vëmendjen te gjërat e tjera, do të vijë dhe do të ulet butësisht në shpatull” -Kant thoshte: “Lumturia është përmbushja e të gjitha prirjeve tona” dhe Friedrich Nietzsche që jetoi në shekullin e 19-të: thoshte: “Ç’është lumturia? Ndjenja që fuqia rritet dhe pengesa po kapërcehet”.

Në psikologji, lumturia është një gjendje mendore ose emocionale e mirëqenies, e cila mund të përkufizohet nga emocione pozitive ose të këndshme duke filluar nga kënaqësia deri te gëzimi i vazhdueshëm. Gjendja e lumturisë mendore mund të pasqyrohet nga mirëqenia e përgjithshme e një personi. Njeriu si qenie e arsyeshme e dëshiron në çdo kohë lumturinë që përmbledh etimologjikisht si fjalë një gjendje të atij që i gëzon të gjitha të mirat, e shoqëruar nga ndjenja e kënaqësisë së thellë dhe e gëzimit të madh që ka kur i plotësohet një dëshirë e zjarrtë, kur arrin një qëllim të lartë, kur gjithçka i vete mbarë, pra një jetë të përmbushur me shëndet, suksese, gëzim, paqe dhe dashuri. Kështu, ai që i ka ose i përfiton këto gjatë jetës, quhet një person i lumtur, kurse ai që nuk i ka, quhet i palumtur ose fatkeq.

Që nga viti 1960 janë bërë shumë hulumtime studime për lumturinë nga shkenca të ndryshme si psikologjia, mjekësia,ekonomia. O.K.B që nga viti 2012 adaptoi një rezolutë ku u vendos që 20 korrik të jetë “Dita Ndërkombëtare e Lumturisë” si një aspiratë se lumturia është dhe duhet të jetë qëllimi themelor i njeriut edhe kombeve. Në këtë ditë të lumturisë u bëhet thirrje qeverive të ndryshme të botës që të përpiqen t’i përshtatin politikat publike, në mënyrë që të përmirësojnë mirëqenien e vendeve të tyre edhe të gjithë popujve të botës, sepse çdo qenie njerëzore në çdo status shoqëror ka të drejtë të jetë i lumtur.

Zakonisht, të pasurit mendohen se janë të lumtur, sepse ata pretendojnë se mund të blejnë me para gjithçka që mund t’i bëjë të lumtur. Por shpesh, jeta me eksperiencat e saj ka vërtetuar të kundërtën, se të pasurit, në përgjithësi, janë pak ose aspak të lumtur pavarësisht aparencës dhe shkëlqimit të luksit të jashtëm. Ndodh kështu, sepse paraja ku mbështeten të pasurit ka shumë andralla, ankth, armiq, madje ajo ka një fuqi magnetike të tillë, sa i thith brenda vetes si një “vrimë e zezë” të gjitha energjitë, kohën edhe shkëlqimin e të pasurit.

Një psikiatër i dëgjuar nga SHBA në studimet e tij mbi shqetësimet mendore ka treguar se pacientët e tij më të shumtë ishin të pasur. Ata vuanin nga neuroza, depresioni, sa arrin deri në vetëvrasje. Madje një pacient i tij super milioner kërkonte të vriste veten, sepse ndihej bosh, pa motiv për të jetuar. Kur mjeku, në seancat e terapisë, kërkoi arsyen e vetëvrasjes, i pasuri i tha se nuk kam çfarë të bëj më në jetë, çdo gjë më duket bosh, pa asnjë qëllim për të jetuar. Kur mjeku si terapi i kërkoi që me paratë e shumta të bënte bamirësi që të motivohej, atëherë ai, i dëshpëruar, i tha: “ Ky është problemi, unë nuk mund t’i jap ato”. Dale Carnegie(1888-1955) thotë: “Mos harro, lumturia nuk varet nga ajo se kush je apo çfarë ke, por varet vetëm nga ajo që mendon”.

Në Shkrimin e Shenjt shkruhet shpesh: “Lum të varfrit dhe mjerë të pasurit”. Jo se varfëria është lumturi dhe pasuria është mallkim, por urtësia biblike kërkon që ta nxisë njeriun të kuptojë që lumturia nuk është te pasuria, por te diçka tjetër, që të varfrit të mund ta gjejnë më lehtë.

Ku gjendet lumturia?

Njerëzit, që në lashtësi, besonin se vetëm “zotat” që jetonin në qiell ose në majë të Olimpit ishin të lumtur. Por ndryshe nga “zotat” paganë që përshëndeteshin si të lumtur, të cilët lumturinë e mbanin për veten dhe nuk e ndanin me njerëzit, sipas Biblës, Perëndia Trashedent, e vetmja qenie e lumtur dhe e lavdishme, sepse është i vetëmjaftueshëm përplot mirësi, përulet në tokë deri te njerëzit dhe kërkon t’u japë nga lumturia dhe lavdia e tij atyre që besojnë edhe shpresojnë tek Ai, prandaj thuhet tek Isaia: “Lum ata që shpresojnë tek ai” (Isaia 30:18) ose “Lum njeriu që beson tek ai”(Psalm 84:13).

 

Perëndia është i lumtur, sepse është dashuri dhe drejtësi, kështu edhe njerëzit, që të fitojnë lumturinë si e Perëndisë, duhet të zbatojnë ligjin dhe porositë e Tij në dashuri dhe drejtësi ndaj Zotit edhe të afërmit, si: “Mos ki Zot tjetër përveç meje; mos bëj idhuj; ndero ditën e Zotit; mos blasfemo; ndero prindin; mos vrit; mos prish kurorën; mos vidh; mos gënje; mos lakmo”. ( Eksodi 20; 1-17) Ky është një ligj i shkruar jo vetëm në pllaka guri apo libër, por edhe në ndërgjegjen e çdo njeriu sipas parimit: “ Mos i bëj tjetrit atë që s’duan të ta bëjnë ty.”

Pra, vetëm me bindje dhe drejtësi, lumturia do të vijë si shpërblim dhe do t’i jepet njeriut me bekime tokësore, pasuri, familje, shëndet e të tjera kënaqësi. Për besimtarin monoteist që beson te ky Perëndi i lumtur, i Cili kërkon t’i bëjë të lumtur edhe adhuruesit e tij, këshillohet vazhdimisht: “Biri im, mos i harro mësimet e mia dhe zemra jote le t’i ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate; do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. Ki besim te Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua. Nderoje Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht” (Fjalët e Urta 3:1-10).

Para Krishtit pak ishin ata që e përfitonin këtë lumturi si shpërblim të drejtësisë, madje edhe ata që e përfitonin e humbitnin prapë, sepse mëkati, shkelja e ligjit, hynte në mes si muri ndarës edhe shkëpuste lidhjen me Perëndinë e lumtur dhe ditët plot diell të bekimit ua linin vendin reve të zeza të hidhërimit, me fatkeqësi, varfëri, sëmundje si ndëshkim për mëkatin, ashtu si thuhet: “Me të hapur ti dorën, të gjitha mbushen me të mira; me të kthyer fytyrën në anën tjetër, ato tronditen” (Psalmi 103).

Madje, lumturia, sipas dialektikës së jetës tokësore, ka një paradoks, sepse njeriu mund ta fitojë edhe ta ruajë, por përsëri e humbet, sepse ai vdes: “Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës; në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet” (Psalmi 103:15-16). Kështu jeta tokësore i ngjan më shumë një udhëtimi në luginën e hijes dhe të vdekjes, sesa një shëtitjeje, argëtimi në livadhin e jetës.

Prandaj, në këtë perspektivë kalimtare, lumturia është sikur të mos ekzistojnë. Në shërbesën e varrimit në Kishën Ortodokse psalët para të fjeturit (vdekurit): “Cili gëzim i jetës mbetet i papërzier me hidhërimin? Cila lavdi qëndron mbi dhe e pandryshuar? Të gjitha janë më të dobëta se hija, të gjitha janë më të rreme se ëndrrat; një çast dhe të gjitha këto i zëvendëson vdekja.”

Lumturia, pavarësisht se është relative në tokë, ajo është absolute te Perëndia në banon në qiejt, sepse Zoti është i pavdekshëm, i përsosur dhe i pandryshueshëm, por, që njeriu ta fitojë lumturinë e Perëndisë, është e nevojshme që në këtë jetë të kalojë nga zhgënjimi që të kuptojë se ai nga vetvetja nuk mund ta fitojë lumturinë, por edhe ku mund ta kërkojë dhe si ta gjejë atë. Prandaj, kur njeriu pëson zhgënjimin e lumturisë pa Zotin, thërret me gjithë shpirt drejt Tij: “Pse e fsheh fytyrën tënde dhe harron pikëllimin dhe shtypjen tonë? Sepse shpirtrat tanë janë ulur deri në pluhur dhe trupi ynë i është ngjitur tokës. Çohu të na ndihmosh dhe të na shpëtosh për hir të mirësisë sate.” (Psalmi 44:25-26).

Prandaj Krishti, Biri i Perëndisë, u bë Biri i Njeriut dhe kështu hyri në kohën e hapësirën tonë, por edhe në vetë qenien tonë, që t’ua bëjë të mundur njerëzve lumturinë të Perëndisë. Krishti nuk është thjesht një filozof apo politikan ëndërrimtar dhe mashtrues që kërkon t’i magjepsë njerëzit me artin e të folurit, por Ai, si Perëndi, është një qenie e lumtur, dhe u bë i ngjashëm me ne njerëzit, përveç mëkatit, dhe kërkon që edhe njerëzit, të krijuar sipas ikonës së Perëndisë dhe të bashkuar me atë, duke u bërë i ngjashëm si Ai, me anë të besimit dhe mistereve të Kishës ta fitojnë këtë lumturi të përjetshme. Zoti Jisu zbuloi se të lumturit e vërtet të kësaj bote nuk janë më të pasurit, të përkëdhelurit, të fortët, por: “Lum skamësit në frymë, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen. Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë. Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë. Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë. Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyrja është mbretëria e qiejve. Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush” (Mateu 5:3-12).

Kjo përmbushje vlerash për lumturinë është bërë realitet nga Krishti me edhe në Krishtin, ngaqë Ai si Perëndi-Njeri ishte vetë i përuluri, zemërbuti, i mëshirshmi, i drejti, paqësori dhe i përndjekuri deri në vdekje kryqi për shpëtimin tonë, dhe përsëri Ai mbetet i lumturi, që iu thotë përsëri besnikëve të tij: “Po të zbatoni urdhërimet mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij. Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë”(Joani 15 10-11)Prandaj apostulli i kombeve Pavli i hyjshëm i fton besimtarët : “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni (lumturohuni)!”( Filipianve 4:4)

* Përgjegjësi i Zyrës Katekizmit Kryepeshkopatës të KOSHI-it, Tiranë

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.