OPINION

Protesta për teatrin – mendime të shkartisura

07:45 - 24.06.18 Ardian Vehbiu
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Që nga koha e Athinës klasike, teatri ka shërbyer si hapësira magjike, ku riprodhohet qyteti. Protesta e tanishme po i jep Tiranës një hapësirë po aq magjike, ku të riprodhohet teatri i mohuar. Kjo edhe ngaqë në krye të protestës kanë dalë aktorët: Aktori në rolin e protestuesit është aktori që e vazhdon teatrin në rrugë. Aktori që proteston deri dje njihej nga publiku duke mos qenë vetja; ndërsa tani konstituohet si person publik, duke luajtur publikun. Lëvizja e tanishme është performim skenik i publikes. Por ka edhe më. Në dinamikën e një shfaqjeje teatrale, aktori zakonisht është ai që e vë lirinë e vet personale në dispozicion të regjisorit.




Në fjalët, emocionet, gjestet dhe lëvizjet e tij aktori është i skriptuar, pa çka se e realizon veten si person mu në distancën e imët mes tekstit (kodit) dhe njeriut (teje si spektator). Por aktori që proteston për teatrin, e ka refuzuar tashmë regjisorin. Tek ky aktor refuzues, publiku sheh të manifestuar veten, në dramën e sotme të politikës.

Lëvizja e tanishme nuk është thjesht për të shpëtuar një ndërtesë, as për të mbrojtur një truall publik nga abuzimi. Është më shumë se kaq: është kryengritje kundër arrogancës së regjisë. Kundër arrogancës, megalomanisë, gënjeshtrës, vanitetit. Kundër Facebook-izimit të shtetit. Kundër diktaturës së imazhit dhe diktaturës së IMAZHIT (si duam t’i dukemi Tjetrit). Kundër televizionit. Kundër debateve politike të mbrëmjes televizive, si karikaturë dhe surrogato e Teatrit. Kundër dizajnimit të hapësirës publike si revistë mode. Një diversion i regjisë: të zëvendësojë konflikti i publikut me pushtetin, ashtu siç manifestohet sot në skenën e protestës, me konfliktin mes aktorëve (dhe aktorëve) në skenën e protestës. Atyre që ngrenë zërin në mbrojtje të ndërtesës së teatrit, për vlerat historike, kulturore, simbolike; ose si monument “kulture”, u është thënë: teatri nuk është ndërtesa, teatri jeni ju, teatrin e bëni ju. Por pyetja duhet të jetë: pse ky identifikim kaq tërësor, kaq pasionant i protestës me një ndërtesë? Dhe përgjigjja mund të jetë: teatri është vërtet institucion, që përfshin edhe skenën, edhe performimin e aktorëve, edhe pjesën teatrale që luhet, edhe ndërtesën.

Por Teatri – me T të madhe – sot në Shqipëri është më shumë kujtim, nostalgji dhe premtim, sesa art aktiv për publikun. Prandaj edhe ndërtesa lidh të sotmen djerrë me të djeshmen shpesh të rindërtuar me fantazi; njëlloj si aktorët e vjetër, që të kthejnë te përvojat skenike të dikurshme. I quajnë “legjendarë”, sepse periudha e protagonizmit të tyre në skenat nuk po kuptohet më. Aktorët e vjetër sot në protestë performojnë nostalgjinë e publikut jo për Realizëm Socialist, por për skenë, aktorë dhe dramë. Nostalgjinë e publikut për qytet. Në këtë kontekst, ndërtesa e mbijetuar e Teatrit merr edhe atributet e cenotafit për stadiumin e shkallmuar nga nofullat arrogante të pushtetit. Dhe për kohët kur Tirana qytet shkonte në stadium, çdo të diel. Ndeshja e së dielës: ja edhe një vend tjetër, ku riprodhohej Tirana qytet. Një vend me skenë dhe me publik, ngjashëm me Teatrin. Protesta e sotme është edhe e ndërtesës së vjetruar që kërkon të rikthehet në Teatër.

E vjetra është bene rifugio, përballë së resë që ende nuk bind. Teatri këto 30 vjet: sa e ka marrë pushtetin në pyetje? Sa e ka riprodhuar konfliktin e publikut (dhe të publikes) me ata që parazitojnë mbi publikun (dhe publiken)? Si institucion ka lënë për të dëshiruar. Publikut i është treguar, në rastet më të mira, si mund të ishte teatri; por jo më tutje. Prandaj gjakimi për ndërtesën është edhe gjakim për të mbajtur gjallë premtimin dhe garancinë për Teatër. Te binomi qytet-teatër, kërkon të gjejë vend edhe kryeqyteti; çfarë e kthen përplasjen e tanishme në instancë të konfliktit paradigmatik, në Tiranë, midis qytetit dhe kryeqytetit. Tirana kryeqytet kërkon ta përdorë Tiranën qytet si kopertinë të një broshure për turistë; si vitrinë të dyqani “me valutë”.

Pa çka se vitrina është teatër i ngrirë, fotografi në tri përmasa. Aktorët atje shndërrohen në manekinë, drama reduktohet në dëshirë. Performimi katandiset në shit-blerje. Ndërveprimin mes njerëzve e zëvendëson tregu. Teksa horizontalitetin e agora-s e zëvendëson vertikaliteti i kullës, si metaforë e hierarkive, shtresëzimeve sociale; si skenë ku performon pushteti: ekonomik, politik, kulturor. Protesta e tanishme artikulon temat kryesore të konfliktit politik në Shqipëri, pas kolapsit ideologjik të së majtës dhe kolapsit organizativ dhe motivacional të opozitës. Dhe si në çdo protestë me impakt te publiku, edhe këtu shumëçka (në mos gjithçka) do ta vendosë skena.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.