Kryesore

Vendimi: Rritja e pensioneve, sa do të përfitojnë ushtarakët

16:10 - 26.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej 1 korrikut të këtij viti, ushtarakët në lirim do të përfitojnë rritje pensioni. Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, do të bëhet indeksimi në masën 2.8% i pensioneve të caktuara dhe të rillogaritura me ligjin “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve të caktuara me nenin 21, të këtij ligji.




“Këshilli i Ministrave vendosi indeksimin, në masën 2.8 për qind, të: pensioneve të caktuara me dekretin nr.758, datë 1.2.1994, të Presidentit të Republikës, “Për një mbrojtje të veçantë të ushtarakut”; trajtimeve të veçanta financiare, të caktuara sipas ligjit nr.9361, datë 24.3.2005, “Për një trajtim të veçantë financiar të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve dhe palombarëve të forcave detare në pension””,-theksohet në vendim. Gjithashtu, në këtë të fundit bëhet me dije se nga kjo rritje do të preken edhe trajtimet e veçanta financiare të caktuara sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”.

Ndërkohë indeksimin, e përfitojnë edhe pensionet që do të caktohen nga data 1.7.2018 e në vazhdim, me kusht që data e fillimit të pensionit të jetë deri më 30.6.2018, përfshirë edhe këtë datë. “Shuma bazë e pensionit, e përcaktuar sipas pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, duke filluar nga data 1.7.2018 e në vazhdim të jetë 7 262 lekë. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në shumën 1 545 000 000 lekë dhe përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së të vitit 2018″,-nënvizohet më tej në vendim.

Kriteret
Sipas ligjit, ka disa lloj përfitimesh që administrohen nga ISSH-ja, e respektivisht bëhet fjalë për: pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi; pensionin suplementar të pleqërisë; pensionin suplementar të invaliditetit; si dhe për atë familjar. Kështu për të përfituar pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, burrat duhet të kenë mbushur moshën 47 vjeç e të kenë jo më pak se 15 vite pune, ndërsa gratë duhet të jenë mbi 42 vjeç e të kenë jo më pak se 12 vite shërbimi. Ndërkohë mund të përfitojnë pension suplementar pleqërie të gjitha kategoritë e sipërpërmendura, dhe pension suplementar invaliditeti po këto kategori që janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas Ligjit nr. 4171, “Për sigurimet shoqërore të RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, “Për sigurimet shoqërore në RSH”. Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se kur personat e familjes në ngarkim të personave të sipërpërmendur dhe familjet e ushtarakëve që humbasin jetën në krye të detyrës e përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit kanë gjithashtu të drejtën e marrjes së pensionit suplementar familjar.

Dokumentacioni
Personat e interesuar duhet të paraqiten në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore ku kanë vendbanimin dhe të pajisen me dy formate kërkese. “Një format kërkese i plotësuar paraqitet në strukturat nga ku keni ndërprerë karrierën ushtarake dhe keni dalë në rezervë/lirim apo pension pleqërie. Mbi bazë të kësaj kërkese, këto struktura dërgojnë në rrugë postare modelarin nr. 3 ‘Vërtetim për vjetërsinë në shërbim dhe pagën mesatare neto referuese’ në strukturën rajonale të sigurimeve shoqërore, ku keni vendbanimin”, – citohet në manualin e ISSH-së. Ndërkaq, formatit tjetër të kërkesës, plotësuar në të gjitha rubrikat, i bashkëlidhet dokumentacioni përkatës dhe dorëzohet pranë ALSSH, ku individi ka vendbanimin. Por, aplikantët duhet të bëjnë kujdes, pasi data e regjistrimit të kërkesës është tepër e rëndësishme. Personi që kërkon përfitimet jo më vonë se 1 vit nga data kur i lind kjo e drejtë, përfitimi i paguhet nga data e lindjes së të drejtës. Në raste të tjera, përfitimi paguhet nga data e paraqitjes së kërkesës për përfitim. Përveç kërkesës, të interesuarit duhet të bashkëngjitin edhe dokumentacionin përkatës. Kështu, për pension të parakohshëm, aplikanti duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit, deklaratë për punësimin (e përvitshme), vërtetim nga Zyra e Tatim-Taksave, vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues, vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive. Ndërsa për pensionin suplementar të pleqërisë e atë të invaliditetit, kandidati duhet të dorëzojë edhe një fotokopje të kartës së identitetit.

Dokumentacioni

Për pensionin të parakohshëm:
Fotokopje e kartës së identitetit.
Deklaratë për punësimin (e përvitshme).
Vërtetim nga zyra e Tatim-Taksave.
Vërtetim nga zyrat e punës si punëkërkues.
Vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive.
Për pensionin suplementar të pleqërisë:
Fotokopje e kartës identitetit.
Për pensionin suplementar të invaliditetit:
Fotokopje e kartës identitetit.
Për pensionin suplementar familjar:
Certifikatë familjare.
Certifikatë e vdekjes së personit.
Fotokopje e kartës identitetit së përfituesit.
Vërtetim për vazhdimin e shkollës për jetimët që kanë mbushur moshën ligjore për t’u punësuar.
Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.
Për pensionin suplementar familjar, kur ushtarakët humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj:
Certifikatë familjare.
Certifikatë e vdekjes së personit.
Fotokopje e kartës identitetit së përfituesit.
Vërtetim i vazhdimit të shkollës për jetimët.
Deklaratë për punësimin apo aktivitetin ekonomik.

Kategoritë përfituese:

Ushtarakët e Forcave të Armatosura në RSH;
Punonjësit e Policisë së Shtetit;
Punonjësit e Gardës së RSH;
Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit;
Punonjësit e Policisë së Burgjeve;
Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit;
Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm;
Punonjësit e Agjencisë së Inteligjencës dhe Sig urisë së Mbrojtjes.
Kriteret
a) Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi.
Kushtet për përfitim: – Për burra: mosha 47 vjeç dhe jo më pak se 15 vite shërbimi; – Për gra: mosha 42 vjeç dhe jo më pak se 12 vite shërbimi.
b) Pension suplementar i pleqërisë.
Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur në pikën 2 të këtij kreu, që përfitojnë pension pleqërie sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore në RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.
c) Pension suplementar i invaliditetit.
Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur në pikën 2 të këtij kreu, kur janë deklaruar invalidë dhe përfitojnë pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm, sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore të RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.
d) Pensioni suplementar familjar.
Kushtet për përfitim: – Kur personat e familjes në ngarkim të personave të përmendur në pikën 2 të këtij kreu, përfitojnë pension familjar, sipas Ligjit nr. 4171, datë 13.09.1966 “Për sigurimet shoqërore në RPSH” dhe Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, i ndryshuar.
e) Pensioni suplementar familjar, për personat që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj Kushtet për përfitim: – Personat e përmendur në pikën 2 të këtij kreu, që humbasin jetën në detyrë apo për shkak të saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.