Intervista

Universiteti i Tiranës hap dyert për 5545 studentë për vitin 2018-2019

14:25 - 27.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Universiteti i Tiranës do të hapë dyert për 5545 studentë të rinj që do të përzgjidhen në një nga degët e studimit për vitin akademik 2018-2019. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, Çlirim Duro, drejtor i Kurrikulës në Rektoratin e këtij universiteti zbardh vendimin e miratuar në mbledhjen e fundit të senatit akademik. Sipas Duros, kuotat e pranimit në UT janë pothuajse njësoj krahasuar me një vit më parë, me diferenca shumë të vogla. Kështu në Bachelor ka rreth 86 kuota më pak se viti i kaluar, në master shkencor ka 27 më shumë dhe në master profesional rreth 52 kuota më shumë krahasuar me 2017-2018-ën. Ndërkohë drejtori i Kurrikulës bën me dije se ndër degët më të kërkuara nga maturantët janë Informatika, Drejtësia, Ekonomiku, por pa lënë pas edhe programet e studimit te Fakulteti i Shkencave Sociale e ai i Gjuhëve të Huaja. Sakaq, Duro thekson për të gjithë ata që kanë dyshime mbi njohjen e diplomës së dhënë nga Universiteti i Tiranës, se ky institucion është futur në periudhën e një akreditimi periodik dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.




Në mbledhjen e fundit të senatit akademik të Universitetit të Tiranës u përcaktuan kuotat e pranimit për vitin akademik 2018-2019 në të 6-ta fakultetet. Sa është numri i kuotave për nivelin Bachelor dhe Master?
Universiteti i Tiranës në mbledhjen e radhës të Senatit Akademik vendosi të miratojë kuotat për ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve, pra për Bachelor dhe për Master Shkencor dhe Profesional. Në ciklin e parë Bachelor ne kemi 5545 kuota; në ciklin e dytë Master i Shkencave kemi 3400 kuota dhe po në ciklin e dytë në Master Profesional, ne kemi 2667 kuota.

Më specifikisht, sa studentë do të pranohen këtë vit në juridik, ekonomik dhe degë të tjera të shkencave sociale apo natyrore?
Sipas vendimit më të fundit të senatit akademik, në fakultetin e Drejtësisë ka 700 kuota; në Fakultetin Ekonomik, dega Administrim-Biznesi ka 460 kuota, Ekonomiksi 110 të tilla, Financa ka 460, dhe Informatikë- Ekonomike ka 250 kuota. Ndërkohë 180 kuota do të kenë degët Histori, Gjeografi dhe Gjuhë- Letërsi; Gazetaria ka 120; Arkeologjia ka 100 kuota pranimi. Vijomë më tej me Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku dega Biologji ka 100 kuota; Bioteknologjia po 100 të tilla; Matematika ka 100 kuota e po njësoj edhe Fizika. Po 100 studentë do të pranohen edhe në këto degë: Kimi, Kimi dhe Teknologji Ushqimore, Kimi Industriale dhe Mjedisore; Teknologji Informacioni si dhe Inxhinieri Matematikë dhe Informatikë. Ndërkohë Informatika do të ketë në dispozicion 200 kuota. Në Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Psikologji ka në dispozicion 110 kuota; Punët Sociale, Sociologjia dhe Shkencat Politike, Administrim dhe Politikë Sociale do të kenë 100 studentë të rinj çdo program. Ndërsa filiali i UT në Sarandë do të ketë 75 kuota për degën Administrim Biznesi dhe Gjuha Angleze 50 kuota.

Si paraqiten këto shifra krahasuar me vitin akademik 2017-2018-të?
Duke i krahasuar me shifrat e vitit të kaluar ne jemi gati njësoj me vitin e ri. Po të bëjmë një krahasim, në Bachelor ka rreth 86 kuota më pak se viti i kaluar, në Master Shkencor ka 27 më shumë dhe në Master Profesional rreth 52 kuota më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Pra, po të bëjmë një balancë në total, jemi pothuajse me të njëjtat kuota. Në bazë të ofertë- kërkesës është parë me shumë kujdes që të kemi këto kuota në bazë të kapaciteteve që Universiteti i Tiranës ofron, si në pikëpamjen infrastrukturore dhe atë akademike. Ligji i Arsimit të Lartë, na jep ne të drejtën që të përcaktojmë kuotat, e më tej Ministria e Arsimit ka të drejtë që të kryejë një inspektim për të parë nëse universiteti i plotëson kushtet për të tilla kuota studentësh.

Cilat janë kriteret me të cilat duhet të njihen që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në një nga degët e UT-së?
Nuk është se ka ndryshime nga viti i kaluar për sa i përket kritereve. Universiteti i Tiranës ofron programe diverse, dhe kur bëhen përllogaritjet në bazë të notave të provimeve të maturës dhe mesatares së gjimnazit, ka disa lëndë që iu jepen më shumë prioritet. Fakultetet nuk kanë të njëjta kritere për pranimet në programet e studimit. Ne kemi bërë takime me maturantët dhe i kemi informuar mbi këtë. Vlen të theksoj se janë miratuar kriteret edhe për vitin akademik 2019-2020 pasi kurrikula e arsimit parauniversitar (gjimnazet) kanë mbi 90% lëndë me zgjedhje dhe këto kanë peshë për të hyrë në universitet. Ne i kemi paraprirë që maturantët të zgjedhin ato lëndë që iu japin më shumë pikë për të hyrë në universitetin e Tiranës.

A do të ketë ndryshime për tarifat e studimit në këtë universitet?
Them me bindje se tarifat nuk janë ndryshuar! Vlen të theksoj se janë vendosur tarifa lehtësuese për të gjithë studentët në nevojë, duke iu dhënë edhe masterin gati me tarifë zero.

Vetë maturantët në cilat programe studimi kanë shprehur më tepër interes?
Ne kemi pasur shumë kërkesa për informacion mbi degët e studimit nga gjimnazistët, pra është një proces shumë i rëndësishëm për ne. Më shumë interes ka pasur në degët: Informatikë, Drejtësi, Ekonomik si dhe Histori, Gazetari, Gjeografi, Gjuhët e Huaja e Shkencat Sociale.

Universiteti i Tiranës ka marrë vetëm 1 vit akreditim dhe shumë studentë janë shprehur skeptikë mbi njohjen e diplomës jo vetëm jashtë, por edhe brenda vendit. A do të ketë probleme me njohjen e diplomave të lëshuara nga UT?
Universiteti i Tiranës është i akredituar me 1 vit e përfundon kur do të merret vendimi tjetër pasardhës. Ne jemi të besueshëm në mënyrë absolute, jemi të akredituar dhe në fillim të shtatorit të këtij viti, kemi bërë kërkesën e jemi futur në fazën e një akreditimi periodik. Kështu që të maturantët e studentët duhet të rrinë të qetë. E rëndësishme është sa vlerë ka diploma në tregun e punës!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.