Kryesore

Pensionet, eksperti: Ja sa rriten për çdo kategori

15:04 - 10.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej datës 1 korrik të këtij viti, rreth 730 mijë pensionistëve nga mbarë vendi iu lind e drejta të përfitojnë një rritje pensioni prej 2.8%, bazuar në vendimin më të fundit të qeverisë. Në një intervistë ekskluzive për ‘Gazeta Shqiptare’, Sabah Goci, ekspert pensionesh, me një eksperiencë 21 vjeçare në ISSH tregon të gjitha kategoritë që do të përfitojnë nga rritja. Kështu rritjen do e përfitojnë të gjithë ata që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, familjar, nënat me shumë fëmijë si dhe ata që janë të përfshirë në skemën e trajtimit financiar të ushtarakëve; skemën e ish-punonjësve të nëntokës, pra minatorët; skemën e pensioneve suplementare të punonjësve të lartë të shtetit etj. Më tej, eksperti konkretizon nëpërmjet shembujve sesa do të jetë shtesa, bazuar në masën e pensionit të individit, bazuar në pensionet e llogaritura para dhe pas janarit të 2015-ës.




Por eksperti ndërkohë thekson se kjo nuk është një rritje pensionesh, por një indeksim, një detyrim i Këshillit të Ministrave që mbron pensionet nga ajo që quhet “gërryerja” e përditshme e inflacionit. Goci bën me dije për të gjithë të interesuarit që preken nga vendimi se shtesa minimale kap shifrën prej 369 lekësh të reja në muaj, ndërsa shtesa maksimale arrin në 980 lekë; kjo bazuar në masën e pensionit. Pra, sa më e madhe të jetë masa, aq më e lartë edhe shtesa e përfituar pas indeksimit me 2.8%.

Këshilli i Ministrave vendosi që pensionet të indeksohen me 2.8%. A është realizuar realisht ky indeksim?
Natyrisht pas votimit të vendimit të qeverisë mbi indeksimin e pensioneve; vetë realizimi i tij ka patur probleme teknike dhe organizative. Por dua të theksoj se prej datës 1 korrik të këtij viti, ashtu siç thuhej në vendim, të gjithë pensionistët e morën pensionin me rritje, pra me shtesën. Për këtë duhet përgëzuar veprimtaria dhe praktika e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Çfarë përfaqëson indeksimi i pensioneve me 2.8%, a?
Në gjuhën e përditshme kjo quhet rritje pensioni por realisht është indeksim, pra një detyrim i Këshillit të Ministrave për të indeksuar masën e pensioneve; të atyre që janë gjendje dhe të pensioneve të reja që priten të lidhen. Duhet të kuptohet se indeksimi është një tregues, një koefiçent që mbron pensionet nga ajo që quhet “gërryerja” e përditshme e inflacionit. Mendoj se ky indeksim me 2.8% ka qenë mbi nivelin e inflacionit. Por për të shkuar te termi rritje duhet ti referohemi mundësive financiare që ka buxheti i shtetit, pasi ky i fundit përballon çdo ndryshim që bëhet në masën e pensioneve. Ky fond varion nga 1.8 miliardë lekë dhe është goxha i konsiderueshëm për skema të tilla e buxhetete të tilla për Shqipërinë.

Sa është numri i individëve që do të përfitojnë nga shtesa e pensionit?
Vetëm numri i përfituesve të pensioneve të pleqërisë, invaliditetit, të parakohshëm, të reduktuar, pra të përfshirë në skemën 7803, arrin në 630 mijë persona ku aplikohet vendimi i indeksimit të pensioneve. Por nga kjo rritje do të përfitojnë edhe rreth 100 mijë individë të përfshirë në skemat e tjera. Pra, në total, do të përfitojnë shtesën mbi pension rreth 730 mijë persona në mbarë vendin.

Sa variojnë shifrat e rritjes së pensioneve pas 1 korrikut të këtij viti?
Po japim disa shembuj të influencave të rritjes mbi masat e pensioneve, të cilat ndahen në dy grupe. Në grupin e parë bëjnë pjesë pensionet stok të llogaritura deri në 1 janar të vitit 2015 e më përpara; ndërsa në grupin e dytë futen pensionet e llogaritura pas 1 janarit 2015-të e deri më sot. Nëse marrim një masë pensioni minimal të llogaritur para 1 janarit 2015, masa para indeksimit ishte 13563 lekë, ndërsa me aplikimin e rritjes, i bëhet një shtesë prej 369 lekësh, pra këtij pensioni minimal stok. Ndërkohë pensioni maksimal prej 27126 lekë, i shtohet një vlerë prej 739 lekësh. Pensioni i fshatit që ishte 9071 lekë shtohet me 247 lekë, pra janë influencat që marrin pensionet gjatë procesit të indeksimit.

A marrin kompensim të ardhurash, pensionet e llogaritura para 1 janarit të vitit 2015-të?
Po! Pensionet e llogaritura para vitit 2015-të, marrin edhe një kompensim të ardhurash. Ky kompensim përfaqëson përafrimin e pensionit minimal për ta çuar pranë pensionit mesatar, pasi ky i fundit në 2017-ën ishte 15527 lekë i realizuar nga pensionet e reja të lidhura. Po të marrim pensionin minimal prej 13000 lekësh, i shtohet kompensimi për ta përafruar me pensionin mesatar. Pra kompensimet e bëra me vendime specifike të Këshillit të Ministrave për të përafruar tendencën e pensionit minimal, pra për ta përafruar me pensionin mesatar janë të kësaj natyre.

A do të ndihet indeksimi prej 2.8% tek pensionet e përllogaritura pas janarit të vitit 2015?
Pas 1 janarit të 2015-ës, ka ndryshuar mënyra e llogaritjes së pensioneve, dhe ka bërë që të hiqet tavani i pensioneve në përllogaritje. Edhe kjo kategori pensionesh e ndjen rritjen pasi pëson rritje pensioni social. Nëse ky i fundit ka qenë 7100 lekë, ai pas indeksimit shkon rreth 7300 lekë dhe kur bashkohet me pjesën e llogaritur të pensionit jep influencën e vet. Pra 2.8% i indeksimit ndihet edhe për pensionet që do të lidhen pas korrikut 2018.

Më konkretisht, sa janë shtesat që do të marrin të moshuarit e kategorisë së sipërpërmendur?
Le t’i referohemi disa masave të pensioneve të llogaritura pas janarit të 2015-ës, deri më sot. Nëse individi ka një masë pensioni prej 17000 lekësh, do të marrë një shtesë prej 446 lekësh e tashmë masa do të shkojë 17446 lekë. Ndërsa një pension prej 20000 lekësh, duke u rritur shkon 20560 lekë, shtesa është 560 lekë të reja; ndërkohë një individ që ka një masë pensioni prej 25000 lekësh, do të marrë 25700 lekë. Një masë pensioni prej 30000 lekësh pas indeksimit, shkon 30840 lekë, ndërsa ai pension prej 35000 lekësh do të shkojë 35980 lekë në muaj, pra ka një shtesë prej 980 lekësh.

Cilat janë kategoritë që përfitojnë nga rritja e pensioneve?
Të gjithë ata individë që marrin pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension për nënat me shumë fëmijë (të gjitha pensionet afatgjata që jep skema e sigurimeve shoqërore) e përfitojnë këtë indeksim prej 2.8%. Rritjen e pensionit e përfitojnë edhe disa skema si: skema trajtimit financiar të ushtarakëve; skema e ish-punonjësve të nëntokës, pra minatorët; skema e pensioneve suplementare të punonjësve të lartë të shtetit etj.

A ka ndonjë formulë mbi bazën e të cilës përllogaritet rritja e pensioneve pas 1 korrikut?
Masa e rritjes është mbi masës e përfitimit, pra llogaritjet bëhen nëpërmjet indeksimi të thjeshtë aritmetik. Edhe këto skema janë të informatizuara pranë ISSH dhe shtesat janë marrë nga ana e pensionistëve prej 1 korrikut 2018.

Kategoritë përfituese të indeksimit me 2.8%

Pensionet afatgjata
¨Përfituesit e pensioneve të pleqërisë
¨Përfituesit e pensioneve të invaliditetit
¨Përfituesit e pensioneve familjarë
¨Përfitueset e pensioneve si nëna me shumë fëmijë

Përfitues të skemës së sigurimit suplementar të ushtarakëve dhe policisë
¨Përfituesit e pensioneve për vjetërsi shërbimi
¨Përfituesit e pensioneve suplementare të ushtarakëve

Përfitues të skemës së sigurimit shtetëror suplementar
¨Përfitues të pagesës kalimtare
¨Përfitues të pensioneve shtetërore suplementare

Përfitues të skemës së trajtimeve të veçanta
¨Statusi “Dëshmor i Atdheut”
¨Për pilotët fluturues në pension
¨Për punonjësit e industrisë ushtarake
¨Për punonjësit e nëntokës
¨Për detarët e nëndetëseve në pension
¨Statusi “profesor”


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.