AKTUALITET

Korrupsioni në Shqipëri, GRECO: Nga 10 rekomandime, vetëm 4 janë plotësuar

11:22 - 12.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Shqipëria ka bërë përparim në zbatimin e rekomandimeve për të parandaluar korrupsionin në radhët e parlamentarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ende ka nevojë për përmirësime dhe shumë reforma duhen përmbushur”.




Në këtë përfundim ka arritur njësia anti-korrupsion në Këshillin e Europës, GRECO, në raportin e publikuar për vendin tonë.

Raporti cilëson se Shqipëria deri më tani ka përmbushur 4 nga 10 rekomandimet, që janë nxjerr nga raporti i vlerësimit në 2014-ën. Gjashtë rekomandimet e tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht.

GRECO vlerësoi si një hap të rëndësishëm përshtatjen në  prill të 2018-ës, të Kodit të Etikës për Deputetet, duke mbuluar çështje të tilla si: konfliktet e interesit, aktivitetet shtesë, dhuratat si edhe kufizimet pas detyrës.

Konfliktet e interesit duhet të deklarohen nga deputetët kur ato lindin dhe i nënshtrohen një procedure, për të siguruar që kontaktet e deputetëve me palët e treta gjatë procesit legjislativ të raportohen, regjistrohen dhe bëhen publike.

Megjithatë, GRECO thekson mangësitë e këtij procesi në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksioneve në rast shkeljeje, të cilat nuk përmenden shprehimisht në Kod. Teksa nënvizon nevojën për implementimin e një mekanizmi zbatimi, për ta bërë kodin efektiv.

Asambleja Kombëtare po planifikon të përfshijë udhëzime për të hedhur dritë mbi rregullat e përfshira në Kodin e Etikës, por ato ende duhet të miratohen.

Raporti gjithashtu cilëson si një hap pozitiv që periudha e kontrolleve të deklaratave për pasuritë e  deputetëve është shkurtuar dhe se ato publikohen në faqen zyrtare.

Në lidhje me gjyqtarët, një reformë e madhe gjyqësore është në vazhdim që nga viti 2014, teksa ata po i nënshtrohen procesit të Vetting-ut, me qëllim luftën kundër korrupsionit në gjyqësor.

Zhvillime të tjera pozitive, sapo të përfundojë reforma, janë se funksionimi i administratës gjyqësore nuk duhet të jetë më përgjegjësi e Ministrisë së Drejtësisë, por të Këshillit të Lartë Gjyqësor; dhe se ky i fundit duhet të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre.

GRECO konsideron një hap tjetër pozitiv në krijimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si autoritet përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedimeve disiplinore kundër të gjithë gjyqtarëve, megjithëse vë në dukje se posti mbetet të mbushet.

Nga ana tjetër, GRECO cilëson si negative vonesat e vazhdueshme në vlerësimet periodike të gjyqtarëve.

Për sa i përket prokurorëve, raporti shënon përparim në kuadrin ligjor për vlerësimin e tyre, i cili tani përfshin më shumë kritere lidhur me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë Prokurorial, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, duhet që të themelohet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.