Nostalgji

Nostalgji/ Eni&Greta Nis lufta mes motrave Koçi

16:00 - 13.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Eni&Greta Nis lufta mes motrave Koçi




Para 6 vjetësh Greta Koçi bëri një revolucion në muzikën shqiptare. Kjo jo thjesht për këngët që solli, por për moshën kur u prezantua për herë të parë në publikun shqiptar; sapo kishte mbushur 13 vjeç – e më tej një menaxhim të shkëlqyer që i bëjnë prindërit e saj. Me një axhendë të ngjeshur klipesh, këngësh e koncertesh, ajo vjen tashmë për fansat e saj me një këngë anglisht. Por nga ana tjetër, rrugën e saj duket se po ndjek edhe motra e saj Eni, e cila sapo ka prezantuar këngën “Vij tek ti”. Edhe Eni sot është 13 vjeç. Ka bërë dy klipe dhe së shpejti do të sjellë një album të kompozuar nga Greta, motra e saj. Ndoshta edhe ajo do të ndjekë rrugën e së motrës, Gretës… Por, mos do të thotë kjo se do të nisë një konkurrencë mes të dyjave…? Ato vetë na dëshmojnë më tej…

Eni: Greta është modeli im

Eni, sapo keni nxjerrë këngën tuaj të re “Vij tek ti”, kush janë realizuesit e saj dhe si kanë qenë komentet e para për të?
Ndihem shumë mirë që kënga ime më e fundit është pëlqyer dhe mesa di, pëlqehet veçanërisht nga rinia si kënga dhe klipi. Kam marrë shumë urime dhe për këtë jam e kënaqur! Kënga “Vij tek ti” është një kompozim i Greta Koçit, me tekst të Hervis Nakuçit dhe për sa i përket realizimit të klipit, është “Max Production”.

Sa i referoheni motrës suaj në rrugën e muzikës?
Për fatin tim të mirë kam një model fare pranë meje për të ndjekur, të cilën shumë të tjerë do të donin ta ndiqnin kështu si unë. Marr shumë nga Greta dhe ky është një privilegj për mua!

Cili është idhulli juaj në muzikë?
Bota ka shumë këngëtarë të mirë, të cilët mua më pëlqejnë dhe i dëgjoj gjithmonë. Por për mua është dhe do të jetë një idhull Greta!

Cili është vlerësimi që i jepni motrës suaj si këngëtare?
Nuk është nevoja ta shpreh unë. Të gjithë e dinë se kush është Greta, tashmë 6 vite në skenë, suksese të shumta, koncerte madhështore me dyndje njerëzish për ta ndjekur, thyerje rekordesh në shitje albumesh e çmime të para!

Këto ditë pritet të dalë klipi i Gretës. Ka qenë një strategji e juaja kjo që ta prezantonit këngën ju para saj?
Unë nuk do të ndaloj më me klipe e me këngë të bukura, realizova dy këngët e para që rezultuan me sukses dhe i erdhi koha lançimit të këngës tjetër. Pra pikërisht “Vij tek ti”, ndryshe nga Greta e cila u bë 1 vit që publiku nuk e sheh, as me klipe as me intervista. Kjo, një zgjedhje e saj. Ishte pikërisht ky moment ku rastësia na bashkoi të lançoheshim të dyja në të njëjtën kohë!

Mendoni se do të ngjallë konkurrencë kjo gjë, dy motra që sjellin këngë të reja në të njëjtën kohë?
Mua më pëlqen shumë konkurrenca dhe më bëhet shumë qejfi që sot në tregun muzikor ka shumë prurje të reja, pasi konkurrenca e mirë të motivon për të punuar më shumë. Megjithatë, unë nuk mund të kem konkurrencë me Gretën!

Sa ka ndikuar emri i motrës suaj në fushën e muzikës, të cilën keni nisur aktualisht?
Emri i motrës sime më ka ndihmuar të hyj në muzikë, por që ta mbaj atë emër, këtë mund ta arrij vetëm unë!

Keni frikë se një ditë muzika mund të bëhet pengesë në marrëdhënien tuaj?
Nuk mund të parashikoj, por marrëdhëniet e mia me Gretën nuk mund t’i përçajë asnjë lloj konkurrence, asnjë lloj inati apo xhelozie!

Me kë i ndani sekretet tuaja?
Flas shumë me Gretën, ashtu si dhe ajo me mua.

Ç’vlerësim keni për Gretën si kompozitore?
Greta ka kompozuar të gjitha këngët e albumit tim, i cili së shpejti do të jetë në treg. Në një farë mënyre, Greta projekton tashmë çdo dalje timen, qoftë nga lloji i muzikës me të cilën duhet të lançohem, pra rryma muzikore e cila është shumë e rëndësishme. Unë kam besim shumë të madh tek ajo dhe kam lënë në dorë të saj ‘çelësin’ e suksesit “këngët e bukura”!

Cila është muzika juaj e preferuar? Dhe ç’rrymë do të ndiqni në muzikë në të ardhmen?
Mua më pëlqen shumë çdo këngë e bukur, pavarësisht rrymës dhe në të ardhmen do të këndoj çdo këngë e cila mua do të më pëlqejë.

Cilat janë planet tuaja të afërta?
Jam në përfundim të albumit tim të parë, të cilin siç ju thashë, shumë shpejt do të jetë në treg. Ky është angazhimi im momentalisht. Ka shumë surpriza…vetëm desha t’ju them se nuk do të ndaloj! Më ndiqni, pasi ky është vetëm fillimi!

Greta: Enin s’do e shoh si konkurrente

Greta, fansat tuaj së shpejti do të shohin klipin tuaj të ri. Si do të vijë Greta këtë herë?
Ju përshëndes! Në fakt nuk do të doja të zbuloja asnjë detaj! Këto dy-tri ditë do të keni mundësi të shihni klipin tim të ri, i cili do të jetë krejt ndryshe nga çfarë publiku ka parë deri më sot nga Greta! Këtë jua premtoj!

Përse këtë herë kënga do të jetë në anglisht?
Kënga ime më e re “Get this” është një këngë ‘house’, shumë moderne dhe shumë verore dhe unë jam e bindur që do ta dëgjojë e kërcejë shumë këtë verë kudo rinia. Vendosa të jetë anglisht, pasi jam e sigurt që e gjithë rinia shqiptare komunikon në anglisht dhe se i gjithë publiku shqiptar do të mund të kuptojë se për çfarë flet kënga. Unë thashë rinia, por jam e sigurt që shumë djem e vajza do ua përkthejnë dhe prindërve të tyre tekstin e “Get this”. Uroj vetëm që për këtë verë t’i kem sjellë një dhuratë të bukur të gjithë publikut shqiptar, të gjithë fansave të mi, një këngë vetëm për ta, për ta shijuar e kërcyer gjatë gjithë këtyre 3 muaj verë!

Keni nisur të kompozoni muzikë. E madje keni hapur edhe një studio muzikore. Është një nevojë kjo për të realizuar vetë këngët tuaja, apo një rrugë që do të donit të ndiqnit në të ardhmen (të kompozitores)?
Më besoni, është e nevojshme të kurosh gjithçka në imazhin tënd dhe muzika, pra kënga është kryesorja. Në Shqipëri ka shumë kompozitorë të mirë, mund të them se me të gjithë kam bashkëpunuar dhe madje kam mbetur e kënaqur, por ajo që unë kërkoj tani, pas një pauze, në një stad tjetër në një kohë ku muzika evoluon çdo ditë, është diçka tjetër, diçka që unë e kam brenda meje dhe vetëm unë e di se ç’dua për veten time!

Në rrugën tuaj të muzikës, cili ka qenë momenti më i bukur? Po ai më i vështirë?
Më besoni që kam pasur shumë momente të bukura dhe më pak momente të vështira… Nuk mund të veçoj!

Cili është idhulli juaj në muzikë?
Unë nuk kam idhull në muzikë, unë kam preferenca për këngëtarë shumë të mirë, të shkëlqyer, të cilët unë i vlerësoj dhe i dëgjoj me kënaqësi!
Cili është vlerësimi për motrën tuaj Enin si këngëtare?
Mendimi im është se Eni është një element krejt i veçantë në showbiz-in shqiptar, nga çdokush tjetër. Eni është një nga këngëtarët e reja më të pëlqyera e mund ta them me plot gojë, më të veçanta në stil e në imazh, në tematikat e këngëve të saj, në zërin e saj, në paraqitjen skenike etj… Sigurisht ka shumë për të punuar e për të dhënë, por për mendimin tim, Eni është një element i spikatur në showbiz-in shqiptar.

Mendoni që do t’u ndjekë juve në rrugën e suksesit?
Kjo është një zgjedhje që i përket vetëm asaj! Unë kam për detyrë dhe për kënaqësinë më të madhe ta mësoj, ta përkrah dhe ta inkurajoj. Unë kam shumë besim në një të ardhme të paimagjinueshme suksesi tek Eni dhe kjo sepse e di sesa aftësi ka dhe mbi të gjitha sa vullnet ka për të punuar e mësuar, përherë e më shumë!

Keni frikë se një ditë ajo mund t’u marrë fansat?
Të jeni të bindur që të gjithë, fansat e mi janë tashmë dhe fansa të Enit!

E mendoni se një ditë do të jeni konkurrente me njëra-tjetrën?
Asnjëherë Enin nuk do e shoh si konkurrente. Është motra ime apo jo?! Gjithmonë do të dua që ajo të arrij gjithçka timen e të kaloj gjithçka timen.

Nëse një ditë ftojnë Enin në një koncert dhe juve jo, do t’i thoshit Enit të mos shkonte?
Sigurisht që jo! Unë e di që ju keni dëshirë të më ngacmoni, por nuk do ma hidhni jo! Eni ka shumë kërkesa për koncerte, por ende nuk ka dhënë koncerte vetëm, pasi ende nuk është gati. Përkrah meje ka qenë prezent e shpeshherë,e mund t’ju them se ka pasur një reagim të jashtëzakonshëm të publikut kur ka dalë në skenë,saqë edhe unë vetë jam habitur.

Me kë i ndani sekretet tuaja?
Me familjen time, veçanërisht me Enin!

Pas prezantimit të këngës së re, cilat janë planet tuaja?
Kam mbyllur një vit më parë 51 koncerte gjatë këtij sezoni veror, nuk di a do të kem mundësi të pushoj qoftë edhe një ditë. Do të jem pranë publikut tim, dashamirësve të mi në të gjithë bregdetin shqiptar dhe doja t’u them sot të gjithë fansave të mi, se nuk do të pushoj më: do t’ju dhuroj këngë të bukura, muzikë të mirë, ju e dini! Nuk ju zhgënjej asnjëherë!

Ky shkrim u botua më 29 maj 2010

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.