Kryesore

Përfitimi i ilaçeve, shtohet lista e atyre që merren pa recetë

14:35 - 14.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mbi 800 barna do të mund të blihen gjatë këtij viti nga qytetarët pa recetën e mjekut në farmaci. Për vitin 2018 është përditësuar lista e barnave OTC ose e thënë ndryshe e barnave pa recetë. Me përditësimin e saj kjo listë është pasuruar duke përfshirë më shumë se 800 lloje medikamentesh të cilat qytetarët mund t’i blejnë pa recetën e mjekut. Me zgjerimin e listës së medikamenteve OTC qytetarët mund të përfitojnë më shumë nga risitë që hidhen çdo ditë në treg. Në një kohë kur zgjerohet lista e medikamenteve pa recetë, pacientët shqiptarë ndeshin vështirësi në përfitimin e medikamenteve të shtrenjta me rimbursim. Fondi ka hartuar një sërë rregullash dhe kriteresh për të përfituar rimbursimin e medikamenteve të shtrenjta.




Rregullat për të mbledhur pikët që kërkon fondi për rimbursimin e medikamenteve janë jashtë parametrave shëndetësore, kur flasim për kurim apo parandalim të sëmundjeve. Nëse i referohemi holluesit të gjakut Xarelto, në tregun farmaceutik shqiptar kushton 9500 lekë, ndërkohë që për ta marrë me rimbursim edhe pse mund të ta caktojë mjeku duhet që të kesh edhe dy diagnoza të tjera shtesë për të plotësuar pikët e kërkuara. Për të njëjtin medikament nëse bëjmë një krahasim me tregun farmaceutik të Kosovës, tregtohet me gjysmën e çmimit.

Barnat e rimbursueshëm
Lista e re e barnave të rimbursueshëm, e cila ka nisur të aplikohet zgjeron gamën e medikamenteve të rimbursuara si dhe diagnozave që mbulon, duke bërë të mundur që 475 mijë qytetarë të përfitojnë barnat me rimbursim. Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduard Ahmeti deklaroi në muajin maj kur u miratuan edhe ndryshimet se lista e re përmban 1175 alternativa tregtare, 568 barna alternative të para dhe 244 principe aktive. “Në listën e vitit 2018 janë përfshirë 36 barna te reja për diagnoza si insuficencë kardiake, kancer, hepatit C, demence/alzheimer, diabet, etj. Këta barna, përmirësojnë dhe zgjerojnë trajtimin e pacientëve në shërbimet onkologjike, gastrohepatologjike, endokrinologjike, kardiologjike, psikiatrike, neurologjike etj. Padyshim risi është përfshirja në këtë listë e herceptinës, njëra formë e saj, e cila së bashku me formën tjetër që sigurohet në QSUT arrin mbulimin 100% të nevojave të grave dhe vajzave për trajtimin e kancerit të gjirit”,-tha Ahmeti.

Drejtori i Fondit deklaroi, gjithashtu, se është ulur çmimi i barnave krahasuar me listën e mëparshme: “Përveç shtimit të numrit të barnave të LBR 2018, vlen të theksohet se çmimet e miratuara janë ulur me rreth 11% krahasuar me çmimet e listës se mëparshme, duke sjellë kështu mundësinë për zgjerimin e listës së rimbursueshme dhe në përfshirjen e diagnozave të reja që më parë nuk ishin mbuluar”, tha drejtori i FSDKSH. Ndërkohë krahas uljes së çmimit të barnave është rritur vlera e financimit për rimbursimin e barnave. FSDKSH financon rreth 10.4 miliardë lekë për rimburismin e barnave dhe përfitues janë rreth 475,000 qytetarë. Vetë m nga barnat e reja do të përfitojnë rreth 10 mijë qytetarë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.