BLUETOOTH

U bë pjesë e modelingut ndërkombëtar, Anisa Mukaj: Kur ëndrrat bëhen realitet

15:00 - 14.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Flet ish-misi shqiptar: Ju rrëfej vështirësitë e jetës së një modeleje – “Jeta është e mbushur me zhgënjime, duhet punë dhe fat për të arritur atje ku dëshiron”




Ajo është një nga vajzat më të bukura të Shqipërisë, e cila arriti pas shumë përpjekjesh të realizojë ëndrrën e saj. Anisa Mukaj, ish-misi shqiptar tashmë është pjesë e kastit të modeleve ndërkombëtare në Stamboll të Turqisë. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, modelja na rrëfen prapaskenat dhe gjithë vështirësitë e jetës së një modeleje. “Të jesh modele nuk është e lehtë, është e mbushur edhe me zhgënjime…Por unë ndjehem mirë pasi ëndrrat e mija po fillojnë të prekin realitetin dhe të bëhen të prekshme,” thotë Anisa. Për më tepër në intervistën e mëposhtme:

Keni nisur karrierën prej pak kohësh si modele ndërkombëtare. Si ndihet tani Anisa?

Po është e vërtetë që kam provuar vetveten si modele në Turqi. Ndjehem shumë e lumtur që zgjodha pikërisht këtë vend pasi është tepër i madh dhe mund të të ofrojë shumë në aspektin e modelingut. Ndjehem mirë pasi ëndrrat e mija po fillojnë të prekin realitetin dhe të bëhen të prekshme.

Sa e vështirë është jeta e një modeleje?

Jeta e një modeleje është e vështirë, sidomos në hapat e parë. Kërkon përkushtim, impenjim të madh dhe përpjekje të vazhdueshme. Nuk është aq e lehtë sa mund të duket në pamje të parë. Është sa e vështirë aq edhe e bukur, me plot të papritura dhe surpriza befasuese.

Nga çfarë ka hequr dorë Anisa për të zgjedhur këtë rrugë?

Modelingu ka qenë një dëshirë imja e hershme, dhe tani e konsideroj si një arritje të diçkaje që më ka shoqëruar gjithmonë. Kur ndjek ëndrrat nuk besoj se mund të heqësh dorë nga diçka tjetër. Momentalisht po jetoj rrjedhën e gjërave të bukura pa m’u dashur që të heq dorë nga asgjë sado e vogël.

Prej pak kohësh jeni pjesë e kastit të modelingut në Stamboll. Si ndiheni aty?

Ndjehem shumë e lumtur dhe me fat që jam pjesë e kastit të modelingut në Stamboll. Është një vend që e dua katërçipërisht. Në të ia vlen për t’u përpjekur si dhe për të punuar fort. Dua mënyrën se si punojnë njerëzit atje, traditat, kulturën, gjithçka.

Çfarë nuk prisnit nga ato që keni hasur në jetën e përditshme të një modeleje?

Siç e thashë dhe më parë, jeta e një modeleje mund të duket perfekte. Po ashtu si çdo punë tjetër, edhe ajo të përball me vështirësi të ndryshme. Fillimisht të duhet të përshtatesh me jetën prej modeleje në tërësi. Duhet të ushqehesh si modele, duhet të rendësh që në mëngjes sipas axhendës së parapërgatitur, duhet të përshtatesh me jetën në grup, me njerëz të kulturave të ndryshme. Por të gjitha këto mendoj se ia vlejnë pasi të përgatisin për jetën, të bëjnë më të fortë dhe më të aftë për të përballuar jetën e vetme.

Mbani mend ndonjë keqkuptim apo incident të ndodhur në ndonjë kast të bërë?

Unë si natyrë jam tepër miqësore, komunikuese si dhe tolerante. Këto tri veçori nuk kanë lejuar që të bie pre e episodeve të ndryshme të pakëndshme. Mendoj që nuk më është dashur të ruhem, pasi thjesht mënyra se si unë jam e gatuar nuk ka lejuar të ndodhë asnjë incident i padëshiruar.

Si është të jetosh me disa modele në një shtëpi? Me kë je e lidhur më tepër?

Jetesa me disa modele në të njëjtën shtëpi në fillim nuk është e lehtë. Por po të gjesh një gjuhë të përbashkët, të mundohesh të përshtatesh dhe të tregohesh sadopak tolerante, gjithçka shkon mirë. Janë njerëz që ndan përditshmërinë, të njëjtat objektiva ndaj me kalimin e kohës natyrshëm të hyn në zemër dhe ambientohesh me zakonet dhe mënyrën e sjelljes së tyre. Më tepër kam bërë miqësi me një modele spanjolle me të cilën gjeta vetveten menjëherë, ndaj shpresoj ta ruaj miqësinë me të edhe në vazhdimësi.

Si është një ditë e zakonshme e një modeleje në Stamboll?

Dita e zakonshme e një modeleje në Stamboll fillon me të ngriturin herët në mëngjes dhe drejtimin për në destinacionet e përcaktuara. Përmban në vetvete tension dhe plot aventura. Si është një ditë nuk është një tjetër. Gjatë kohës së punës mund të serviren gjëra të pamenduara, të paparashikuara, por edhe zhgënjime, ndaj jeta e një modeleje është një surprizë e vërtetë. Të duhet shumë punë, por edhe tepër fat për të arritur atje ku dëshiron.

Cila ka qenë kënaqësia më e madhe në jetën si modele që mbani mend?

Kënaqësia më e madhe si modele i përket veprimtarive të fundit në Stambollin e bukur. Kam arritur disa gjëra pozitive, të cilat shpresoj të rriten dhe zhvillohen në të ardhmen.

Ku ka qenë pagesa më e mirë që keni marrë dhe sa ka arritur vlera?

Kur bëhet fjalë për punë që lindin nga ëndrrat besoj se nuk ngjall aspak interes për të folur për vlerat e pagës. Një punë e bërë me dëshirë dhe pasion të jep një kënaqësi shpirtërore të jashtëzakonshme dhe përpara një sadisfaksioni shpirtëror nuk vlejnë aspak pagesat.

A do të ketë pushime këtë vit për Anisën?

Për sa u përket pushimeve jam në planifikim e sipër. Preferoj së tepërmi jugun e Shqipërisë, por pse jo dhe të largohem për disa ditë edhe jashtë kufijve.

Cili është vendi i preferuar ku do të donit të ishit pjesë e kastit të modeleve? Ku aspiron Anisa?

Vendi i preferuar ku do të doja të isha pjesë e kastit të modeleve është Meksika. Aspiroj fushën e modelingut në Dubai dhe shpresoj të bëhem një ditë pjesë e asaj bote.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.