Nostalgji

Nostalgji/ Manjola Nallbani: Më mirë që nuk u bëra mjeke

16:00 - 15.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Manjola Nallbani: Më mirë që nuk u bëra mjeke




Artëdashësit e muzikës popullore patën fatin ta ndiqnin ‘live’ të premten që shkoi në koncertin “Perlat e muzikës popullore”, e ata që s’munden do ta shohin shumë shpejt koncertin e plotë në një nga televizionet shqiptare. Por këngëtarja shumë dimesionale, njëkohësisht prej pak muajsh për fansat e saj shfaqet me këngën “Shprehi e vjetër”, një tjetër sukses për të cilin ka marrë vlerësimet e merituara. Është pikërisht e mirënjohura Manjola Nallbani, e cila sot në “Bluetooth” nuk do të vij në një rrëfim thjesht si këngëtare, por madje edhe si padagoge, bashkëshorte, dhe nënë…! E mandej, do të zbuloni edhe një detaj të saj, dëshirën për t’u bërë një mjeke. Për më tepër le të ecim bashkë në këtë udhërrëfim…

Manjola, le ta nisim intervistën tek kënga juaj “Shprehi e vjetër”, e cila prej pak kohësh transmetohet në televizionet muzikore. Si kanë qenë komentet për të?
Kam marrë shumë vlerësime për këtë këngë dhe vetë mua më ka pëlqyer që në fillim si muzikë dhe vargjet shumë të bukura të Avni Qahilit dhe produksioni shumë cilësor i Fabrikës.

Të premten e kaluar keni çelur sezonin turistik në qytetin e Durrësit, me koncertin që është kthyer tashmë në një traditë “Perlat e muzikës popullore”. Mund të na tregoni diçka rreth tij?
Ëshët një koncert i realizuar nga unë dhe tenori Kastriot Tusha. I tërë koncerti ka qenë një iniciativë dhe mbështetje totale e Ministrisë Së Kulturës Rinisë Dhe Sporteve në kuadrin e çeljes së sezonit turistik. Koncerti ynë i parë ka qenë para dy vitesh dhe meqënëse ai rezultoi goxha i suksesshëm risollëm sërish këngët tona popullore me një orkestracion të mrekullueshëm që u ka bërë kompozitori i mirënjohur Edmon Xhulali, i cili është edhe kompozitor i këngës së fundit të koncertit, “Ti Shqipëri më jep nder”, me tekst të Agim Doçit. Ndërkaq një përshëndetje shkon edhe për prezantuesen Silvana Braçe, një nga ikonat e ekranit shqiptar që i dha padyshim një vlerë tjetër këtij koncerti.

Me këto koncerte dhe muzikën popullore specifikisht jeni më e angazhuar së fundmi…
Duke pasur një thesar të jashtëzakonshëm siç është muzika jonë popullore qytetare me të cilën realishte ne përfaqësohemi është e udhës që ne të hulumtojmë mbi to dhe t’i risjellim për publikun, për të cilin jam e kënaqur që i ka mirëpritur. Gjë që është dukur jo vetëm në duartrokitjet që kemi marrë, por edhe në komentet mjaft pozitive që kemi pasur. Që kur realizuam koncertin e parë dhe na u desh të dëgjojmë shumë dhe duke shfletur gjithë këto repertore kam gjetur një dashuri të re, le të themi. Mua personalisht më ka bërë mirë edhe lënda, të cilën unë jap në akademi për këtë gjë.

Meqë dolëm tek Akademia, angazhimi me kohë të plotë si pedagoge në këtë fakultet, mos i vjedh pak kohë familjes?
Absolutisht familja dhe pastaj vjen çdo gjë tjetër. I kushtoj kohën më të madhe të ditës dhe madje unë prej vitesh nuk kam qenë e angazhuar në një punë të përditshme me orar të plotë apo më keq akoma, ku të punoja mëngjes – pasdite. Kam zgjedhur vetëm aktivitete private që e bëj atëherë kur kam mundësi dhe kur ia vlen. Por nuk besoj që në përkushtimin ndaj fëmijëve dhe familjes më e rëndësishmja është koha. Mund të rrish gjithë ditën në shtëpi dhe pjesën më të madhe të kohës të shohësh telenovela dhe të mos dish të komunikosh me fëmijët. Punës, natyrisht kur filloj një projekt me rëndësi i kushtohem shumë sepse është një profesion që ti nuk e bën për vete, por rezultati duket dhe e gjykojnë të tjerët, por ka pasur dhe ndonjë projekt që nuk i jam kushtuar maksimalisht ose edhe e kam lënë fare pikërisht për atë arsye që thashë më parë. Mundohem që në përkushtimin ndaj të dyjave familjes dhe punës, të ruaj masën, aq sa njëra të mos dëmtojë tjetrën. Nuk e mat dot as me gramë as me kronometër, por përpiqem.

Ju dhe bashkëshorti juaj keni profesione shumë larg njëri-tjetrit, a ka pasur ndikim kjo në rrugën tuaj të muzikës?
Profesionet tona s’kanë qenë as arsyeja që na ka lidhur dhe as shkak për t’u ndarë megjithëse kanë qenë shumë të ndryshëm. Ne jemi dashur dhe tërhequr nga njëri-tjetri në fillim për të tjera arsye dhe megjithë rrugën që kemi bërë bashkë në këtë lidhje (sidomos po të mendosh që ne jemi njohur qëkur unë isha akoma në shkollë dhe kemi gati 20 vjet bashkë) sot jemi edhe më të rëndësishëm për njëri-tjetrin dhe jo vetëm për arsye që mban shpesh të lidhur një çift, që janë fëmijët, por për të njëjtat gjëra që na kanë tërhequr në fillim. Baza për një lidhje të gjatë e të lumtur? Eh… vetëm për gjëra të tilla s’ka receta as formula, jo nga unë, por as nga mendja më e mençur në botë. Njeriu gjithë jetën është në provë me veten dhe me të tjerët dhe çdo zgjidhje të momenteve të vështira në jetë duhet t’ia besojë logjikës, intuitës, forcës që ke në veten tënde. Të gjitha këto, njeriut nuk i duhen vetëm në raportin në çift, por për çdo gjë në jetë. Por më e rëndësishme nga të tëra gjërat që e mban të gjallë një lidhje është dashuria dhe për fatin tonë të madh ne e kemi pasur këtë gjatë gjithë këtyre viteve.

Kush kujdeset më shumë për vajzat?
Kohë më tepër unë, por dashuri dhe kujdes të dy njësoj.
Cilat kanë qenë momentet më të bukura dhe më të vështira në karrierën tuaj?
Në fakt, për fatin tim kam një profesion që më ka dhënë kënaqësi të shpeshta dhe të ndryshme. Momente të bukura kanë qenë intepretimet në opera apo kur kam marrë çmimet në festivale, apo koncertet jashtë Shqipërisë për festa të ndryshme. Me shumë emocione kanë qenë edhe koncertet humanitare që kemi bërë për Kosovën në kohën e luftës së Kosovës. Ndërsa momentet që më kanë lënë një shije të keqe kanë qenë periudha kur artistët e operas u futën në grevë urie, dhe unë sigurisht kam qenë pro tyre dhe festivali i fundit ku kam marrë pjesë në RTSH.

Nëse do të kthenit kokën pas, çfarë do të donit të ndryshonit nga jeta juaj?
Nëse do të kisha mundësi në fakt, s’do doja as që ta ktheja kohën pas e as që ta lija të ecte, thjesht do doja të ndalja të tashmen për shumë arsye. Por, konkretisht për pyetjen që më bëni, në mos këngëtare kam pasur dëshirë të bëhem mjeke, por për fatin e madhe të të gjithë atyre që mund të ishin në të ardhmen pacientët e mi, unë fitova konkursin e kantos dhe u bëra artiste.

Ky shkrim u botua më 29 maj 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.