MILOSAO

Përdorimi paganizmit për nxitjen e turizmit

14:50 - 15.07.18 Gazeta Shqiptare

Ndrek Gjini* -Paganizmi shqiptar nuk është primitivizëm e as barbarizëm siç mundohen ta etiketojnë disa. Ai është vlerë etnokulturore që duhet mbrojtur, konservuar e më pas promovuar për turistët e huaj dhe për brezat e rinj të Shqipërisë. Ruajtja dhe konservimi i tij është një detyrë e ngutshme si për komunitetin ashtu dhe për pushtetin ekzekutiv e atë legjislativ në Shqipëri.



Pa dashur të marr poza historiani apo etnologu, mund të them se paganizmi është ende gjallë në Shqipëri dhe se ai duhet ruajtur e konservuar si vlerë etnokulturore prej së cilës mund të kemi veç përfitime në industrinë e turizmit.

Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europë, në mos i vetmi, ku për fat të mirë paganizmi ende jeton. Pushtimet e gjata që nga ato Romake e deri tek ato të dekadave të fundit në Europë, si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij kontinenti kanë fshirë çdo gjurmë paganizmi në këtë kontinent të vjetër. Arsyet se pse ai ka mbijetuar në Shqipëri janë të shumta. Në rrënjët e këtyre arsyeve gjenden histori turpi e krenarie, histori izolimi e vetizolimi, histori betejash të humbura e të fituara, gjendet harresë, kameleonizëm, inate, vetmi, hatërmbetje e plot gjëra të këtij lloj. Por e rëndësishme është ajo që paganizmi këtu në Shqipëri është ende gjallë, ndërkohë që shenjat e trajtat e tij të fundit në Europë kanë dhënë shpirt para 30 apo 40 vjetësh në Skoci, Irlandë apo Norvegji.

Hapja e Shqipërisë si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij vendi në këto afro tre dekadat e fundit kanë bërë që paganizmi shqiptar të plaket, dobësohet e lihet në harrese, duke e afruar atë drejt shtratit të vdekjes. Është për të ardhur keq. Por këto janë kostot e hapjes dhe zhvillimit. Këto janë ligje universale e për rrjedhojë ne nuk mund të bëjmë përjashtim.

E vetmja gjë që mund të bëjmë ne është një aksion i madh kombëtar për mbledhjen dhe konservimin e gjithë këtyre dokeve, zakoneve, traditave, këngëve dhe praktikave pagane të jetesës. Dhe kjo është urgjente, pasi janë brezi i 70-80-vjeçarëve shqiptarë, janë muzeu i vetëm i gjallë i të gjithë këtyre gjërave që përmenda më lart.
Para pak vitesh, kur po shkruaja disertacionin që kishte të bënte me traditat zakonore të dasmave irlandeze në shekullin e 18-të dhe 19-të, m’u desh për disa muaj të hulumtoja nëpër disa arkiva e biblioteka të Irlandës. Aty mësova se Irlanda ka arkivin më të madh në Evropë të folklorit me mjaft elemente pagane.
Por prapë unë mendoj se arkivi ende i gjallë shqiptar i paganizmit është shumë më i madh dhe më i pasur se ai. Në vitet 1937-1938 qeveria irlandeze, bazuar në një vendim që mori Parlamenti i këtij vendi, akordoi një fond dhe ndërmori një aksion të madh dyvjeçar për mbledhjen dhe grumbullimin e kësaj pasurie folklorike dhe etno-kulturore.
U angazhuan në të gjitha shkollat fillore, të mesme. Çdo nxënësi iu dha një fletore me shumë faqe dhe me kapakë të trashë, me një pyetësor mjaft të gjerë e të detajuar për çdo aspekt të jetës, traditave, zakoneve, këngëve, mënyrës se si procedohej në kultivimin, korrjen apo ruajtjen e të korrave, zakonet e lindjes, dasmave dhe vdekjes, data, histori lokale, emra, fise, gjenealogji, pra gjithçka. Për dy vjet rresht të gjithë nxënësit e shkollave në Republikën e Irlandës nën mbikëqyrjen e mësuesve i plotësuan këta pyetësorë, vunë në ta dhe mjaft foto, dorëzuan dhe objekte të vjetra, e kështu me radhë. Një Komision Shtetëror bëri më pas seleksionimin, skedimin dhe arkivimin e tyre në një ndërtesë të ndërtuar enkas për këtë qëllim. Dhe sot, pas kaq dekadave, Irlanda ia arriti edhe t’i dixhitalizojnë këta arkiva, duke e bërë këtë vend ndër më tërheqëset në botë për turizmin me drejtim trashëgiminë kulturore.

Ne tani jemi vendi i vetëm në Europë ku paganizmi është ende i gjallë. Ky është një shans fatlum dhe duhet shfrytëzuar shpejt, pasi koha nuk pret. Pas pak vjetësh një pjesë e mirë e këtij paganizmi do të ketë vdekur. Është koha të bëjmë atë që irlandezët bënë më 1937-1938. Dhe ta bëjmë tani. Jam i sigurt se një investim i tillë në mbledhjen, ruajtjen dhe konservimin e vlerave, traditave dhe praktikave pagane do t’i sjelle Shqipërisë së viteve 2018-2028 më shumë turistë se sa deti apo bregdeti Adriatik dhe Jon të marrë së bashku.

*Ndrek Gjini (MA National University of Ireland, Galway)

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *