Show-Bizz

Enxhi Cuku: Në Shqipëri është e vështirë të jesh artiste

15:03 - 19.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Sa herë që kujtojmë Enxhi Cukun na vjen ndërmend komedia romantike “Femrat” me Ermal Mamaqin. Që prej asaj kohe, bukuroshja është bërë pjesë jo vetëm e projekteve të shumta, por i është bashkuar edhe botës së radios dhe televizionit. Këtë herë aktorja vjen në një rrëfim për suplementin “Summer Pages”“Gazeta shqiptare” për pushimet verore, eksperiencën në skenë, rolet e ndryshme, për familjen si dhe për angazhimet e fundit që po ndërmerr.




Kjo verë e ka gjetur të impenjuar aktoren. Enxhi e ka prekur skenën që kur ishte fare e vogël, për të mos u ndarë kurrë më prej saj. Përpos dashurisë së madhe që ka për aktrimin, Cuku na tregon se sa e vështirë është të jesh artiste në Shqipëri. Më tej, na flet për raportin me familjarët dhe shoqërinë. Ajo pohon se është natyrë selektive.

Së fundmi, Enxhi bën me dije se shumë shpejt do e shohim edhe në televizion.

Si ka nisur kjo verë për Enxhin?
Shumë punë. (qesh) Jam duke u marrë me angazhimin në radio dhe me një projekt tjetër filmik. Por mund të them që nuk ua ndjej mungesën shumë pushimeve, pasi po bëj punën që dua.

A i keni planifikuar pushimet?
Kam shijuar vetëm fundjavat, ku kam pasur paksa kohë për pushim. Nuk kam bërë plane për pushime afatgjata, pasi kohën e lirë e kam në varësi të ecurisë së punës. Ndoshta shtatori do më rezervojë një javë pushim. (qesh)

Çfarë e lidh një aktore me radion?
Asgjë dhe shumë. Në një farë mënyre t’i futesh në një rol sapo hyn në studio, i ofron diçka publikut, bën strukturën si do u drejtohesh, si do e përcjellësh informacionin dhe mëson dhe vetë shumë te kjo gjë. Për mua është një eksperiencë e bukur dhe po jap e po marr nga kjo përvojë.

Si ka qenë eksperienca juaj e parë në skenë?
Hmm, në ekranin e vogël mund të themi shumë herët, që në moshën 15 vjeç me aktivitete të ndryshme. Ndërsa në ekranin e kinemasë, 17 vjeç.

Sa është rritur Enxhi që prej asaj kohe?
Shumë. Me kalimin e viteve, eksperienca të ndryshme, qoftë personale dhe profesionale, rritja vihet re dukshëm në mendimet dhe veprimet e mia. Mendoj se tani jam e aftë të zgjedh për veten time, duke e ditur se çfarë dua të bëj. Qoftë në punë, edhe në jetën private.

Aktrimi është për ju më shumë pasion apo profesion?
Është dashuri për mua. Ka të ardhura, por shumë të pakta në Shqipëri, nisur kjo edhe nga prodhimtaria e paktë e vendit tonë. Kështu që më shumë i marr emocionin sesa fitimin, edhe pse sigurisht jam munduar të caktoj dhe vlerat monetare të arsyeshme për mua.

Cili është ai rol që do të donit ta luanit përsëri?
Hmm, i dua shumë të gjitha rolet. Por, do doja të luaja rol të ri, magjia dhe bukuria qëndron te rolet e kaluara ashtu siç janë bërë.

Sa e vështirë është të jesh aktore në Shqipëri?
Është e vështirë, sepse s’ka punë. Nuk ka filma. Ata pak filma ose nuk do kenë buxhet, ose nuk do kenë skenar, kështu që digjen si mundësi. Unë kam vendosur më mirë të luaj pak filma, por mirë. Jam fokusuar te cilësia dhe jo te sasia.

Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga aktrimi?
Asnjëherë.

Çfarë di të bëjë më mirë Enxhi?
Shumë gjëra, ashtu siç nuk di të bëj edhe shumë gjëra të tjera. (qesh) Nuk do e thosha mendimin tim hapur se ku mendoj unë se jam e mirë. E urrej narcismin.

Jeni natyrë solare. A mos ndoshta ka lidhje kjo me profesionin tuaj?
S’besoj. Ambienti ose përplasja me padrejtësi, me njerëz jo të aftë, ose një botë që s’të kupton, të tjetërson. Natyra ime është e tillë, pasi jam rritur në një familje shumë të çiltër.

Si janë raportet tuaja me familjarët? Me kë jeni më e afërt?
Shumë të mira. Janë edhe miqtë e mi përveçse familje. Më e lidhur jam me mamanë.

Dukeni mjaft e qetë. Çfarë e nxeh Enxhin?
Mundohem ta ruaj qetësinë dhe kur nxehem. Më mërzisin edhe më nevrikosin njerëzit josuportues, pa ambicie. Unë jam e mendimit që bashkimi bën fuqinë dhe njëra dorë ndihmon tjetrën, por shumë njerëz nuk bashkëpunojnë dhe nuk duan të të shohin të arrish diçka. Duket sikur njerëzit duan vetëm të të zhysin dhe të të mbajnë në vend.

Sa miq keni?
Më pak se gishtat e një dore. Janë mikeshat e mia më të ngushta prej shumë vitesh.

Jeni selektive apo përshtateni me këdo?
Mund të përshtatem në ambiente ku më duhet, në mjedise pune, projekte. Por, në përditshmërinë time jam selektive.

Cilat janë projektet tuaja për të ardhmen?
Kam disa projekte për të prezantuar sapo të mbarojë sezoni veror. Do të jetë premiera e filmit “Internim”, që është bërë i ditur tashmë, ndërkohë një tjetër projekt filmik mund të jetë në plan. Por do të jem prezente edhe në televizion së shpejti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.