EKONOMI

Kreditë e këqija, Shqipëria me nivelin më të lartë në rajon

16:50 - 20.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me gjithë masat që ka marrë Banka e Shqipërisë për uljen e nivelit të kredive të këqija, Shqipëria renditet si vendi me nivelin më të lartë në rajon të kredive të pakthyera në afat. Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, në tremujorin e parë të vitit 2018, niveli i kredisë me probleme (NPL) në Shqipëri mbeti stabël në 13.4% të totalit të huas, pas një tendence rënëse në 2017-n.




Në Serbi, e cila dikur kryesonte në rajon, NPL-të kanë zbritur në 9.2%, niveli më i ulët i dekadës. Edhe Mali i Zi i ka ulur huat me probleme në 7.3%. Të tre këto shtete, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi, kishin deri dy vjet më parë treguesin e NPL-ve që i kalonte 20%, por pas strategjive që ndoqën për uljen e kredive me probleme, ky tregues u reduktua ndjeshëm, por me ritme më të larta në Serbi dhe Mal të Zi. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, 9.7% e huave janë të pakthyera në afat, në Maqedoni 6.5%. Në Kosovë, ky tregues është vetëm 3.1%, nga 8.7% që ishte në vitin 2013, sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Europian.

Depozitat dhe kreditë
Ndërsa rritja e kredive dhe depozitave ka ngecur në Shqipëri në muajt e parë të këtij viti, e kundërta ka ndodhur me rajonin, që ka parë një zgjerim më të shpejtë të sektorit bankar në raport me ne. Kredia ra me 0.1%, ndërsa depozitat u zgjeruan me 1% në tremujorin e parë në Shqipëri. Në Maqedoni, rritja e kredisë ishte 3.1% dhe e depozitave 6%. Në Mal të Zi, performanca e sistemit financiar ishte shumë më e mirë, me depozitat që u zgjeruan me 13.8% dhe kredinë me 11.8%. Në Serbi huat dhe depozitat u zgjeruan përkatësisht me 2.2 dhe 3.3%, në Bosnjë 5.3 dhe 10.4%. Në Kosovë rritja e kredive i kalonte 10% dhe ajo e depozitave ishte 8.6%. Kursimet në sistemin bankar kanë shënuar në maj një tjetër rënie të fortë, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në fund të muajit maj, stoku total i depozitave në lekë dhe në valutë zbriti në 968 miliardë lekë, duke rënë me gati 10 miliardë lekë, ose 1% në krahasim me muajin e mëparshëm (70% e rënies erdhi nga tkurrja e kursimeve në valutë). Ky është niveli më i ulët i depozitave që nga korriku i vitit 2015.

Ekonomia shqiptare
Komisioni Europian në Raportin mbi zhvillimet ekonomike të vendeve kandidate dhe potenciale në tremujorin e parë të 2018-s. Në përgjithësi, raporti e vlerëson pozitivisht ecurinë e ekonomisë, investimet e huaja, uljen e papunësisë, reduktimin e kredisë me probleme. Ecuria më negative, referuar raportit, ishte ajo e të ardhurave buxhetore. Totali i të ardhurave u rrit me 2% në tremujorin e parë të 2018-s, shumë më poshtë rritjes së të ardhurave të buxhetuara për periudhën (6.4%). Të vetmet kategori të ardhurash që performuan më mirë se sa ishin buxhetuar, ishin kontributet e sigurimeve shoqërore. Borxhi publik (përfshirë grantet) u ul me 0.2% në tremujorin e parë. Niveli i borxhit ishte 69% e PBB-së në fund të marsit, nga 70.1% që ishte në fund të 2017-s. Sipas raportit tregu i punës reflektoi zhvillimet ekonomike. Në tremujorin e parë punësimi u rrit me 3.5% në krahasim me një vit më parë. Norma e papunësisë preku nivelin prej 13%. Megjithatë, papunësia te të rinjtë mbetet ende shumë e lartë, edhe pse ka pësuar rënie prej pikut në 2015-n. Në tremujorin e parë, papunësia për grupmoshën 15-29 vjeç ishte 24.5%.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.